E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të ndihmojë të moshuarën, rrëzohet vetë

Tenton t‘i japë ndihmën e parë një të moshuare, të cilën e hodhi aksidentalisht në kanal, rrëzohet edhe vetë bashkë me të. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Paskuqan, afër Urës, kur mjeti "Renault", me targë TR 7292 P, që drejtohej nga 21-vjeçari Andi F. banues në Tiranë, me arsim të lartë, duke qarkulluar nga Instituti Bujqësor drejt Paskuqanit, ka aksidentuar këmbësoren Mereme S., 82 vjeçe. E moshuara ka rënë në kanal, dhe në momentin që drejtuesi i mjetit, ka qenë duke i dhënë ndihmë asaj, për ta nxjerrë nga kanali, është rrëzuar edhe vetë. Këtu është dashur që edhe vetë drejtuesi i mjetit të kërkojë ndihmë dhe kalimtarë të rastit kanë ndërhyrë menjëherë për t‘u dhënë ndihmën e parë dy personave, duke i transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak nga ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndaj 21-vjeçarit nisën hetimet në gjendje të lirë për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›