E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroaci, formimi i qeverisë së re i besohet Jadranka Kosor

Presidenti kroat, Stipe Mesiç ka mandatuar zëvendëskryeministren, Jadranka Kosor për formimin e një koalicioni të ri qeverisës të qendrës së djathtë, pas dorëheqjes së papritur të kryeministrit Ivo Sanader këtë javë. Nëse merr miratimin e parlamentit, detyra e parë e Kosor do të jetë realizimi një sërë reduktimesh buxhetore, të nevojshme për të stabilizuar financat publike në kushtet e një krize ekonomike dhe rihapja e bisedimeve të ngrira për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Sipas analistëve, rishikimi i buxhetit do të jetë një test themelor për qeverinë e re, që nuk pritet ndryshojë shumë nga kabineti i Sanader, që e kishte planifikuar për ta realizuar në mesin e korrikut apo në fillim të shtatorit.
"Ajo ka demonstruar se gëzon mbështetjen e mazhorancës parlamentare, pas një konsultimi me të gjitha partitë, i kam dhënë asaj mandatin për formimin e qeverisë së re", deklaroi Mesiç.
Kosor, e cila ka rreth 30 ditë për të fituar votëbesimin e parlamentit, ka siguruar mbështetjen e deputetëve të mazhorancës. Nëse ajo nuk arrin të garantojë mbështetjen e parlamentit, Mesiç duhet të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Të gjithë aleatët e vegjël të koalicionit qeverisës të Unionit Demokratik Kroat (HDZ) kanë deklaruar se janë të vendosur të qëndrojnë në qeveri. Por, ata u shprehën gjithashtu se kërkonin të diskutonin me Kosor lidhur me përbërjen e qeverisë së ardhshme, që mund të kërkojë kohë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›