E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroaci, nga nesër hyn në fuqi ligji antiduhan

Zagreb - Kroacia njofton hyrjen në fuqi të ligjit antiduhan duke filluar nga dita e nesërme. "Periudha e përkohshme prej gjashtë muajsh për baret dhe restorantet do të përfundojë nesër dhe ligji për ndalimin e duhanit në ambientet publike do të zbatohet menjëherë", deklaron Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë për shtyp.

Qëllimi i këtij ligji është të mbrojë personat që nuk pinë duhan, të cilët përbëjnë rreth 68 për qind të popullsisë prej 4,4 milionë banorësh. Nenet e këtij ligji kanë qenë në fuqi për spitalet dhe mjediset shkollore dhe nesër do të hyjnë në fuqi edhe për restorantet, kafenetë dhe vendet e tjera publike. Pirja e duhanit do të lejohet vetëm në vendet e posaçme dhe që do të jenë të ndara nga pjesët e tjera të lokaleve.

Në Kroaci, sipas shifrave zyrtare, të paktën 10 000 persona humbin jetën çdo vit nga pirja e duhanit. Ky ligj ka shkaktuar pakënaqësi tek pronarët e kafeneve dhe restoranteve që dyshojnë se ky ligj do të ketë pasoja negative për bizneset e tyre në këtë vend turistik që pret rreth 10 milionë vizitorë çdo vit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›