E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia, ndryshojnë procedurat e punësimit në administratë



Eljona Ballhysa
Ka hyrë në fuqi strategjia e re e qeverisë për punësimet në administratën publike. Dje është botuar në Fletoren Zyrtare strategjia ndërsektoriale e reformës në administratën publike 2009-2013, e cila, përveçse parashikon një mënyrë të re të rekrutimit të nëpunësve, vë në dukje një sërë problemesh që shfaq administrata aktuale publike. Dokumenti prek të gjitha lëvizjet në administratë, nga pranimi i zyrtarëve të rinj, lëvizja paralele dhe penalizimet. Strategjia propozon një mënyrë të re konkurrimi, ndërsa nuk parashikohet ndryshim në sistemin e pagave.
Deri tani për një vend të lirë zhvillohej një konkurs ku duhet të merrnin pjesë të paktën katër kandidatë. Testimi kryhet nga një komision “ad hoc” dhe eprori i drejtpërdrejtë përzgjedh si fitues një nga tre kandidatët e seleksionuar nga komisioni. Me miratimin e strategjisë do të përdoret rekrutimi në grup për pozicione të ngjashme, çka do të thotë që për postet që kanë të njëjtën natyrë pune në institucione të ndryshme do të zhvillohet vetëm një konkurs. Pra konkurrenti që del i pari zë vend në postin e mbetur bosh. Nëse pas një periudhe kohe në një institucion tjetër do të ketë një post bosh të ngjashëm me të, nuk do të zhvillohet konkurs tjetër, por do të pranohet konkurrenti i dytë.
Testimi
“Në nivelin e specialistit, rekrutimi në grup bëhet bazuar në nevojat e pritshme dhe kandidatët e suksesshëm përbëjnë një listë nga ku mund të zgjidhen për t’u emëruar në institucione të ndryshme në momentin e krijimit të një vendi të lirë. Rekrutimi, rast për rast, për specialistët, mund të përdoret për pozicione që kërkojnë specialitete të veçanta”, - parashikohet në strategji. Në strategji preket edhe metoda e testimit të kandidatëve, ku do t’u jepet më shumë peshë formimit, personalitetit dhe aftësive krijuese. Nga pranimi në administratë do të hiqet ajo përmes kontratave paraprake, ndërkohë që eksperienca në punë do të ketë një peshë më të madhe në vlerësimin e kandidatëve. “Intervista nga eprori duhet të dokumentohet, regjistrimi apo dokumentet të ruhen”, - theksohet në strategji. Përsa i përket gjendjes aktuale vërehet se “konkurrimet janë përgjithësisht objektive, por mënyra e vlerësimit në to priret drejt testimeve shabllon dhe teorike, përdoren metoda skematike, që vlerësojnë më shumë informacionin e memorizuar në dëm të vlerësimit të aftësive analitike, formimit potencialit krijues apo personalitetit”. Në strategji parashikohet se nëpunësit e shërbimeve publike si Arsimi, Shëndetësia, Tatimet, Dogana, Rendi Publik, Mbrojtja, Diplomacia etj., duhet të kenë status të veçantë për shkak të veçantisë së tyre, por gjithsesi, duke përmirësuar elementet bazë të konkurrueshmërisë, karrierës dhe vlerësimit të performancës në lidhje me grupe të tilla të nëpunësve civilë.
Problematika
Në strategji vërehen një sërë problemesh që shfaq administrata aktuale shtetërore. “Përgjithësisht vërehet delegim i kufizuar i vendimmarrjes brenda institucioneve. Komunikimi ndërmjet njësive brenda një ministrie rezulton relativisht i vështirë duke penguar shpesh proceset e konsultimit dhe vështirësuar koordinimin e veprimeve”, - shkruhet në strategjinë e qeverisë. Më tej në këtë strategji konstatohet se “në sistemin e rishikimit administrativ vërehen mangësi lidhur me procesin e animimit, pasi pothuajse të gjitha aktet nxirren nga titullari”. Problematikë është cilësuar edhe procedura e ngritjes në detyrë, pasi vlerësohet si një procedurë tërësisht subjektive. Po kështu ,në strategji bëhen kritika edhe për mënyrën e vlerësimit të vartëse, duke vënë theksin në mungesën e zbatimit të kritereve ligjore.

Ngritja në detyrë
“Mundësia për ngritje në detyrë krijohet në rastet kur paraqiten katër konkurrues të brendshëm, d.m.th., nëpunës aktualë për një pozicion. Nëse ky kusht nuk plotësohet, konkurrimi për atë pozicion hapet për kandidatët e jashtëm. Në praktikë ngritja në detyrë ka ndodhur në përqindje mjaft të vogël rastesh. Sistemi aktual lidhur me këtë aspekt konsiderohet të jetë subjektiv. Vendimi i eprorit mbi lëvizjet nuk mbështetet në kriteret ligjore objektive”.

Vlerësimi
“Vlerësimi i nëpunësve nga eprorët është i cekët dhe kjo vjen për shkak të konformizmit në vlerësim, familjaritetit të nëpunësve, si dhe mungesës së aftësive për të vlerësuar. Ecuria e procesit të vlerësimit të rezultateve vjetore vazhdon të mbetet problematike. Numri i nëpunësve që përfshihen si vlerësues të vartësve të tyre është i madh dhe kjo rrit mundësinë e inkoherencës në vlerësim. Në këtë drejtim ndikojnë dhe ndryshimet e shpeshta të stafeve”.

Ligji kërkon 84 vota në Kuvend
Strategjia që është botuar dje në Fletoren Zyrtare do të pasohet nga ndryshimi i ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, i cili i mbron punonjësit nga ndryshimi i herëpashershëm i pushtetit. Por prekja e këtij ligji kërkon në Parlament 84 vota, çka e detyron maxhorancën të kërkojë patjetër konsensusin e opozitës. Ndonëse miratimi i strategjisë u shty për një vit, me qëllim që opozita të paraqiste propozimet e saj, kjo nuk ndodhi, çka lë të kuptohet se miratimi i ligjit në Kuvend do të jetë i vështirë. Përveç kësaj, ndryshimet e ligjit “Për statusin e nëpunësit civil” duket se nuk do të ndodhin tani afër, të paktën derisa opozita të rikthehet në Parlament. Në relacionin e strategjisë thuhet se zbatimi i saj do të jetë i monitorueshëm. “Informimi i publikut si dhe monitorimi i zbatimit të strategjisë dhe rezultateve të saj nga organizata të specializuara e të interesuara të shoqërisë civile, apo media do të përbëjnë gjithashtu, një nga elementet bazë të sistemit të monitorimit dhe llogaridhënies së strategjisë së administratës publike”.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›