Liviu Lungu
Liviu Lungu është arkeolog në profesion dhe me pasion për të shkruar. Ka lindur më 15 prill 1962 në Konstancë të Rumanisë. I vogël, në rrëfimet e saj, gjyshja i tregonte për vendin ku ajo ishte rritur vajzë. Për një fshat jugor, të cilin familja e saj u detyrua ta braktiste. Kishte jetuar në Krinë të Gjirokastrës. Lungu ndërtoi kështu pa dashje një vend imagjinar si terren gjeografik. E populloi atë me njerëz që vet gjyshja ia portretizonte dhe i vuri të jetonin sipas ligjësish po të rrëfyera
“Një roman për Shqipërinë që më kanë rrëfyer”
Shqipëria ishte për të një vend sa i njohur dhe i panjohur. Deri para një viti nuk kishte shkelur asnjëherë në tokën e saj. Por kishte shkruar për të, për njerëzit, për historinë, traditat...Liviu Lungu është arkeolog në profesion dhe me pasion për të shkruar. Ka lindur më 15 prill 1962 në Konstancë të Rumanisë. I vogël, në rrëfimet e saj, gjyshja i tregonte për vendin ku ajo ishte rritur vajzë. Për një fshat jugor, të cilin familja e saj u detyrua ta braktiste. Kishte jetuar në Krinë të Gjirokastrës. Lungu ndërtoi kështu pa dashje një vend imagjinar si terren gjeografik. E populloi atë me njerëz që vet gjyshja ia portretizonte dhe i vuri të jetonin sipas ligjësish po të rrëfyera. Kjo është Shqipëria e viteve 1900 (gjyshja e tij ka lindur më 1903) në të cilin Liviu Lungu udhëtoi me imagjinatë për shumë vite. “Shqipërisë, njerëzve të saj, Sevestës”. Ky dedikim gjendet në faqen e parë të romanit “Lekë Bukurani. Dashi...”, që shkrimtari erdhi ta promovonte në Tiranë gjatë Panairit të Librit. Historia e shkruar prej tij, e përkthyer në shqip nga Adriana Tabaku dhe e botuar nga “Omsca-1”, i jep mundësinë shkrimtarit që të “takojë” lexuesin shqiptar edhe përmes krijimtarisë. “Unë jam gjysmë shqiptar”, na thotë Lungu teksa gjendet tashmë edhe fizikisht në truallin e gjyshes së tij. Sigurisht që nuk është ajo çka ai ka imagjinuar. Ndaj rreket të kapë çdo reagim të mundshëm në ato pak orë që kalon në kryeqytetin që i kushtohet librit. “është hera e parë në Shqipëri. I premtova vetes që do të rikthehem shpejt.
Janë përshtypjet më të mira, jo vetëm për natyrën por edhe njerëzit”, shprehet ai në një bisedë pas promovimit. Një bisedë që në fakt mbeti e pakonsumuar mes rreshtave për shkak të ngjarjeve të ngjeshura të librit në nëntorin që lamë pas bashkë me 2009-n. Kureshtjen ia nxisnin vende historike si Berati e padyshim Gjirokastra, drejt së cilës udhëtoi që ditën e dytë të mbërritjes. Shkoi të vizitonte fshatin e vogël, që ndonëse i papërcaktuar në faqet e librit, frymon si i tillë. Liviu Lungu i ka dhënë jetë rrëfimeve të gjyshes dhe imagjinatës së tij përmes një forme letrare. Një romani. Në të gjallojnë personazhe, rite dhe tradita, flitet për jetën dhe për vdekjen, për gjakmarrjen, për besën, për dashurinë. Të gjitha kapërthehen në histori njerëzore, që nuk kanë një kohë lindje dhe as shtrirje në data të përcaktuara mirëfilli. “Në veprat e Liviu Lungu-t takojmë botën shqiptare, të filtruar nga kujtimet afektive të gjyshes, një botë në kufijtë e legjendës dhe sureales. Ndonëse shkrimtari nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri, proza e tij popullohet nga personazhe shqiptare, me peizazhe shqiptare, me dashuri shqiptare. Prozatori ndërton një gjeografi shpirtërore, duke ruajtur të gjalla viset e ëndrrave të gjyshes, dashurinë për vendlindjen e munguar, dhe kërshërinë për të gjetur një pjesë të rrënjëve gjenetike...”.
Kështu do ta përshkruante në pak fjalë këtë roman studiuesi dhe përkthyesi Luan Topçiu. Ndërsa shkrimtari Visar Zhiti, i cili e shoqëroi në këtë udhëtim shqiptar, shprehet se “dua të them se teksti i kësaj vepre vërtet shumëçka e ka parake, mitet, legjendat, historitë, besëtytnitë, mendësitë, paragjykimet etj., të mbështjella me një gjuhë gurgullimash, fëshfërimash, trokesh, goditje të drurit, të gurit, të kujtesës, me ofshama, krisma armësh e shtrëngatë, por dhe me heshtje”. Kurioziteti prej arkeologu e ka shtyrë të “gërmojë” edhe në fakte historike. “E njoh mirë kulturën shqiptare, sepse përveç tregimeve, jam arkeolog dhe më pëlqen të mësoj mbi gjithçka, në radhë të parë mbi Shqipërinë. Di mjaft gjëra mbi historinë e Shqipërisë, traditat, legjendat sepse kam lexuar mbi këtë vend”, shprehet ai. Arkeolog i Muzeut të Historisë Nacionale dhe Arkeologjisë në Konstancë, Liviu Lungu shprehet i kënaqur për punën e tij. “Nuk ka shumë para, por është pasion dhe dashuri”, thekson me një nënqeshje që nënkupton se këto reflektohen edhe në të shkruar. Në fakt ka shkruar disa tregime për sa i përket Rumanisë.
Pozicionimi si shkrimtar e ka bërë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. “Lekë Bukurani. Dashi...” është romani i tij i parë i përkthyer në shqip, por shprehet se tashmë ka shkruar edhe dy histori të tjera mbi këtë vend. Privilegjet e të shkruarit në një kohë kur të lejohet të krijosh lirshëm, i bën më të dukshme përmes një historie të shkurtër. “Në lagjen ku ne dilnim të luanim, në një barakë të vjetër jetonte një njeri. Prindërit na këshillonin të mos i afroheshim. Me kureshtjen e fëmijëve nga dërrasat e çara e shihnim gjithnjë në një qoshe të errët. Nën rrezet e diellit dallohej që mbante në dorë një laps dhe letër e vetëm shënonte. Kështu bëri deri sa vdiq. Më vonë mësuam se ishte një shkrimtar dikur i njohur. Ishte dënuar nga komunizmi”. Liviu Lungu u largua disa ditë pas udhëtimit të parë në Shqipëri. Në Konstancë e pret puna e përditshme. Sigurisht edhe orët dedikuar krijimtarisë. Ndoshta tashmë Shqipëria e njohur së afërmi dhe e largët në kohë e mendësi nga ajo që gjyshja e tij i rrëfente, do t’i ngjallë të tjera ndjesi të shkruari. Ndoshta, përtej gjithçkaje që hedh në rreshta të shkruar, ai do të zërë pozicionin e rrëfyesit përballë fëmijëve të tij. Do të tregojë për një tjetër botë, për njerëz, për tradita në një shekull të ri.
#