Të dhënat për tre HEC-et mbi kaskadën e Drinit
TIRANE– Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka publikuar të dhënat mbi tre hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, për këtë të diel. Burime nga kjo ministri, thonë se nga të dhënat deri në orën 08:00 të ditës së sotme, niveli në liqenin e Fierzës është 289.89, duke iu rikthyer kështu plotësisht normalitetit, pasi pika maskimale e tij është 296 metra. Prurjet në këtë ujëmbledhës janë 350 metër kub për sekondë. E njëjta situatë është edhe në liqenin e Komanit, ku niveli i tij është në kuotën e 170.679 metra. Për sa i përket prurjeve, bëhet e ditur se ato janë 130 metra kub për sekondë. Ndërkohë, në liqenin e Vaut të Dejës, prurjet janë 90 metra kub për sekondë, ndërsa niveli i këtij HEC-it është 74.43 metra. Sipas METE-s në të tre hidrocentralet nuk ka shkarkime, ndërsa vijon normalisht prodhimi i energjisë elektrike. Kushtet meterologjike të ditëve të fundit, kanë bërë që situata në prurjet e lumit Drin të përmirësohet ndjeshëm, ndërkohë që në ulësirat e Shkodrës, uji që përmbyti mijëra hektarë, ka filluar të tërhiqet. (d.b/BalkanWeb)