E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgatitjet për fushatë, qeveria zhvat para nga bizneset dhe bashkitë



Ervin KOÇI

Përgatitjet për fushatën elektorale qeveria po i nis me sigurimin e financimeve. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi përveç financimeve për vete, qeveria duket se po mendon edhe më gjatë, për kundërshtarët. Por jo për t’u shtuar fondet atyre, përkundrazi, si t’ua pakësojë. Në këtë mënyrë, qeveria me një gur synon të vrasë dy zogj. Ulja e mëtejshme e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 3 milionë lekë xhiro në vit, është vetëm njëra mënyrë e qeverisë për sigurimin e sa më tepër të ardhurave para nisjes së vitit elektoral. Kjo është argumentuar deri tani si masa më e re fiskale e qeverisë. Burime zyrtare të Ministrisë së Financave e kanë konfirmuar këtë vendim, i cili e zgjeron bazën e pagesës së taksës së vlerës së shtuar që është edhe taksa me peshën më të madhe në buxhet. Të njëjtat burime nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ky ndryshim fiskal të jetë një paketë e përbashkët që shoqëron edhe shkurtimet në buxhetin e shtetit që do të ndërmerren në fillim të muajit korrik. Pika e dytë por jo më pak e rëndësishme se e para është ajo që qeveria në të njëjtën kohë me sigurimin e fondeve të ndryshme për vete, po mendon se si të reduktojë financimet për opozitën. Një nga këto manovra është dhe reduktimi i taksave të bashkive dhe komunave, duke bërë që pushteti vendor të sigurojë më pak të ardhura prej tyre. Në këtë mënyrë, ato bashki dhe komuna që i përkasin opozitës, përfshi këtu edhe bashkinë e Tiranës, do ta kenë shumë më të vështirë për të përballuar shpenzimet e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Pragu i TVSH-së
Ulja e pragut të TVSH është e dyta që qeveria ndërmerr brenda një harku kohor 1-vjeçar.
Ulja e parë e zbriste pragun e TVSH nga 8 që ka qenë prej shumë vitesh në 5 milionë lekë. Kjo ulja në 3 milionë lekë sjell më shumë kontribut në buxhet e në të njëjtën kohë është edhe një masë që ul informalitetin në ekonomi. Kjo masë mund të përfshijë në TVSH mijëra biznese të tjera të vogla të cilat deri më tani kanë qenë subjekte lokale të pagimit të taksave. Një masë e tillë, është edhe një reagim i qeverisë edhe në kushtet e rënies së të ardhurave të grumbulluara për buxhetin nga TVSH-ja. Statistikat zyrtare të financave kanë publikuar se, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2010 deficiti në mbledhjen e TVSH-së ka qenë më shumë se 15 milionë euro. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, “qeveria është duke ecur në këtë rrugë. Ne kemi një kategori që i themi biznes i vogël, dhe e kemi thënë që këta do të jenë ata që të ardhurat e tyre i derdhin tek bashkitë dhe ka të bëjë me tatimin mbi fitimin ose tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, kurse futja në skemën e TVSH përbën një domosdoshmëri jo vetëm për të formalizuar tregun, por për të zhbllokuar problematikën e madhe që po hasin gjithnjë firmat e mëdha për shitjen me faturë të mallrave të tyre”. Më tej, në lidhje me të njëjtën temë, ministri Bode ka shtuar se, “ne do e ulim në mënyrë graduale pragun. Aktualisht, e kemi zbritur në 5 nga 8 që ishte vitin e kaluar, dhe mund ta çojmë për vitin 2011 në 3 milionë tavanin e poshtëm dhe të zbresim në 2 milionë”.

Përplasjet
Pjesa e mbetur e vitit 2010 do të jetë periudha e përplasjeve të mëdha mes pushtetit vendor dhe qeverisë, e cila tenton të marrë situatën nën kontroll, duke përdorur mekanizma, që në fakt ia lejon hapësira ligjore. Referuar variantit të ri, Ministria e Financave shpjegon se projektligji propozon rishikimin e niveleve të taksës së tabelës për qëllime reklamimi, të thjeshta dhe elektronike, duke kufizuar aplikimin e masës së taksës për metër katror për sipërfaqe të tabelës. Nga ana e logjikës ekonomike, tarifa e reklamës duhet të ketë një çmim tavan, për këtë propozohet që të taksohet tabela deri në sipërfaqen 12 metra katrorë, e më pas një normë fikse, pavarësisht madhësisë. Pra, me rregullin e ri, tabelat deri në 12 metra katrorë do të kenë një taksë 45 mijë lekë për metër katrorë në vit, që i bie 540 mijë lekë, kurse mbi këtë madhësi, niveli i tarifës që do të aplikohet mbetet i njëjtë, po 540 mijë lekë, kur më parë ajo rritej në varësi të hapësirës. E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për zonat e tjera të vendit.

Argumentet
Ministria e Financave paraqet disa argumente që çuan në marrjen e vendimit për kufizimin e taksimit të tabelave për reklamat. Sipas MF-së, shikueshmëria është e njëjtë, pavarësisht nga përmasa që ka tabela, pasi ato me sipërfaqe më të madhe vendosen në distanca më të largëta se ato me dimensione të vogla. “Tarifa për një cityligh (1.8x1.2) që zakonisht janë në qendrat e qyteteve kanë logjikë ekonomike, kurse me rritjen e taksës, tabelat me sipërfaqe më të madhe se 12 metra katrorë dalin jashtë logjikës dhe mundësi shitjeje për klientët”,- sqaron ministria, duke shtuar një tjetër argument, se niveli aktual i taksave krijonte abuzime në vjeljen e saj. Nga ligji aktual, mbetet e pandryshuar taksa e tabelës që vendoset për raste evenimentesh, panaire etj., 1 mijë lekë për metër katrorë në ditë.

BOX//////////////////////////////////
Berisha premton sërish mbështetje ndaj biznesit vendas

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se Shqipëria nuk ka arritur të prekej nga kriza ekonomike, pasi qeveria mbështeti biznesin. “Leksioni ynë i madh nga kjo krizë edhe rruga e vetme më e sigurt për t’u mbrojtur prej saj është mbështetja e biznesit”,- tha Kryeministri, Sali Berisha. Deklarata e Kryeministrit Berisha u bë dje gjatë përurimit të fabrikës së riciklimit të mbetjeve të letrës në Porto Romano, Durrës, një investim privat, në bashkëpunim me BERZH-in, me vlerë 17 milionë euro. “Ky investim është një dëshmi tjetër e entuziazmit të ekonomisë shqiptare. Ekonomi që, siç u bë e ditur së fundi edhe nga Komisioni Europian, qëndron në krye të listës për funksionimin e saj dhe që në kohën më të vështirë të piramidës botërore qëndroi, garantoi rritjen dhe po shpejton ritmet”,- u shpreh Berisha. Fabrika përdor si lëndë të parë mbetjet e letrës, të grumbulluara në vend, duke e shndërruar atë në letër ambalazhi, karton dhe ambalazhe kartoni dhe letre, me kapacitet prodhimi prej 70-80 letër në ditë. Fabrika plotëson nevojat e vendit për këto produkte dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të saj është i destinuar për eksport.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›