E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfaqen filmat e realizuar në 48 orë

Festivali “Tirana 48 Hour Film Project", 14 filma në Teatrin Kombëtar

Përgjatë dy netëve, salla e vogël e Teatrit Kombëtar në Tiranë do të kthehet në një sallë të vogël kinemaje, ku do të shfaqen të gjithë filmat e realizuar për “Tirana 48 Hour Film Project", një festival mbarëkombëtar i filmit të shkurtër. Mbrëmja e djeshme i është rezervuar shfaqjes së grupit të parë të filmave. Janë projektuar për publikun “A mates Day”, “The Magic Comb”, "Dritëhije Përbuzjesh", "Judge", “Pak Kohë”, "Njeriu me...", dhe “Krehri". Ndërkaq, edhe gjatë programit të mbrëmjes së sotme priten të shfaqen gjithashtu shtatë filma të shkurtër. Ata janë: "A Siners pride", "Is it supposed to be like that?", "Hakmarrje e ndërgjegjes", "Këta plehra", "Dont`t hate the game", "Romance" dhe "Perfect couple". Të 14 filmat të cilët janë pjesë e këtij festivali janë realizuar për vetëm 48 orë. Temat të cilat këta filma trajtojnë kanë të bëjnë më së shumti me fenomene që janë shumë të prekshme në shoqërinë e sotme shqiptare, siç është abuzimi me pushtetin apo tema të ndryshme sociale, të cilat njëkohësisht gjejnë jehonë edhe për publikun e huaj. Robert Aliaj, në rolin e producentit, dhe Andi Tepelena si drejtor organizativ, kanë njoftuar për nisjen e këtij projekti rreth një javë më parë. Ky është një format i njohur i themeluar në maj të vitit 2001, kur Mark Ruppert i ftoi kineastët të bëheshin pjesë e eksperimentit për të realizuar një film në 48 orë. Vetëm një vit më parë Aliaj ishte fitues i këtij projekti për Belgjikën, e që aty fitoi të drejtën për të sjellë këtë format në Shqipëri. Ky format parashikon që gjithçka të realizohet në 48 orë: shkrimi i skenarit, xhirimi e më pas montimi. Një javë pas shfaqjes së filmave në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar pritet që të shfaqet fituesi i cili do të konkurrojë me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin "Best 48 hour Film of the Year 2010" në Los Anxhelos. Ndërkohë, të gjithë filmat e tjerë do të kenë mundësi të marrin pjesë në festivalet kryesore botërore për filmat e shkurtër. “DigitAlb” është partneri mediatik i këtij festivali.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›