E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja premton krijimin e kartës sociale

Kreu socialist ka prezantuar dje premtimet për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.

Socialistët premtojnë një vlerësim mjekësor dhe social, si dhe rritje të rimbursimit të karburantit

Vlerësim mjekësor dhe social, rritje të rimbursimit të karburantit dhe krijimin e kartës sociale. Këto janë tri zgjidhjet që socialistët premtojnë se do të realizojnë gjatë qeverisjes së tyre në katër vitet e ardhshëm, për shtresën e personave me aftësi të kufizuar.

Në ditën e festës së Pashkëve Ortodokse, kreu i Partisë Socialiste, në kuadër të turit të tij të prezantimit të programit qeverisës, ka preferuar që të bashkëbisedojë me personat me aftësi të kufizuar, ku dhe ka bërë prezente ofertën e socialistëve për këtë shtresë sociale.


Takimi


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar dje me persona me aftësi të kufizuara në periferi të kryeqytetit, për të vazhduar prezantimin e programit të ri qeverisës të PS-së, e posaçërisht kapitullin që i përket kësaj kategorie.

Gjatë shfletimit të këtij kapitulli, Rama ka vënë theksin tek vizoni që ka kjo forcë politike për të bërë ndërhyrjet e duhura, në mënyrë që kjo kategori sociale të mund ta ndjejë veten të mbrojtur nga shteti, jo vetëm nëpërmjet mbështetjes financiare, por edhe asaj morale.

Për këtë qëllim, PS-ja premton se së pari do të rishikohet sistemi i vlerësimit të paaftësisë, duke kaluar nga një vlerësim thjesht mjekësor, në vlerësim mjekësor dhe social.

Pra, të gjithë personat me aftësi të kufizuar do të trajtohen jo vetëm në bazë të aftësive të tyre, por edhe të gjendjes aktuale sociale dhe shoqërore. Gjithashtu, një tjetër premtim që vjen në këtë linjë është edhe mundësia që do të krijojë qeverisja e ardhshme e socialistëve, që këta persona të mos ndihen të vetmuar.

Për këtë qëllim, socialistët garantojnë se në rast se do të fitojnë të drejtën për të qeverisur vendin në katër vitet e ardhshme, do të shohë me përparësi edhe trajtimin e atyre individëve që do t'i shërbejnë kësaj kategorie.

Kështu, për individët që u shërbejnë personave me aftësi të kufizuara, kreu socialist ka deklaruar se vitet që kalojnë pranë tyre, do t'u llogariten si vite pune për efekt pensioni. "Periudha në shërbim të personave me aftësi të kufizuar, do të njihet si vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë", - tha kreu socialist gjatë fjalës së tij.


Karta


Një risi në programin socialist përbënë dhe krijimi për herë të parë në Shqipëri i kartës sociale, si një mundësi nëpërmjet së cilës do të bëhet i mundur jo vetëm përfitimi e një sërë shërbimesh njëherësh, duke filluar që nga ai social e shëndetësor dhe për të përfunduar me atë kulturor.

Sipas Ramës, kjo nismë do të përbëjë një revolucion në Shqipëri, pasi me anë të saj do të bëhet i mundur trajtimi efikas dhe në kohë i të gjitha kategorive që ajo do të përfshijë.

"Duam që të krijojmë për çdo shqiptar e shqiptare, kartën sociale, e cila është një kartë që në bazë të profilit individual dhe gjendjes shoqërore e ekonomike, t'i japë mundësi çdo qytetari e qytetareje të përfitojë në mënyrë të thjeshtë dhe tërësisht transparente shërbimet e kujdes social e shëndetësor, arsimor, apo kulturor.

Kjo sigurisht nënkupton një revolucion në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit dhe për këtë revolucion, Shqipëria ka nevojë", - tha më tej kryesocialisti Edi Rama. Pjesë e paketës së premtimeve të socialistëve për këtë kategori, ka qenë dhe rritja e masës së rimbursimit të karburantit që i duhet për lëvizje kësaj kategorie të shoqërisë.

"Ne do ta rritim shumën e rimbursimit të karburantit për ju e për ata që si ju kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë, duke siguruar që pavarësisht ndryshimit të çmimit të karburantit, çdo person me aftësi të kufizuar, të mund të blejë të njëjtën sasi karburanti që i nevojitet", - e përfundoi Rama fjalën e vet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›