E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Kroat Berishës: Anëtarësimi i vendeve tona në NATO është i rëndësishëm për rrugën për në BE

Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, deklaroi të hënën se "anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nuk përbën vetëm vlerë në aspektin ushtarak, por ka një rëndësi të jashtëzakonshme në aspektin politik, si dhe për vijimësinë e integrimit në Bashkimin Europian". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Sali Berisha, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Kroaci, Kryeministri Sanader u ndal te përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve për të hyrë në NATO dhe BE. "Duke marrë parasysh që vendet tona para 20 vjetësh kanë qenë nën diktaturën komuniste, kjo është një ëndërr madhore e realizuar nga të dy kombet tona. Shpresojmë që në muajt e ardhshëm të ratifikohet plotësisht Protokolli i Anëtarësimit në NATO, në mënyrë që të shkojmë në Samitin e 60-të jubilar të Aleancës si vende me të drejta të plota", u shpreh Kryeministri Sanader. Lidhur me anëtarësimin e Kroacisë në BE, Kryeministri Sanader e vlerësoi atë "me një rëndësi jetike për gjithë vendet e rajonit që aspirojnë një gjë të tillë", ndaj sipas tij, "çdo pengesë për Kroacinë përbën pengesë për gjithë rajonin". "Ne ramë dakord që të punojmë për të arritur liberalizimin e plotë të vizave mes vendeve tona brenda vitit 2009. Diskutuam edhe për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, ku ramë dakord që të bashkëpunojmë për shtrirjen e gazsjellësit Trans-Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi deri në Kroaci", tha Kryeministri Sanader. Gjithashtu, Kryeministri kroat informoi se "dy palët do të diskutojnë për gjetjen e mundësive për të bashkëpunuar në projektin e energjisë nukleare, një projekt rajonal në modelin e Kerckos që kemi me Slloveninë".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›