E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta ime e shtrenjtë

Karim Ben Khalifa tregon se si hapin e madh e hodhi nga Kosova, në kufijtë eShqipërisë, në frontet e UÇK dhe prej andej u bë fotorepoteri i konflikteve të luftës, i botës arabo-muslimane për “Time, Newsweek”, “Le monde”. “Kompozitori” i kaosit, kundër stereotipeve ndaj Islamit dhe rolit sipërfaqësor të medias

Karim Ben Khelifa, fotoreporter autodidakt, 36-vjeçar, e nisi këtë punë në Shqipëri, në kohën e luftës së Kosovës të cilës i kushtoi një libër (Les Editions Luc Pire-Bruksel 1999). Sot punon për Newsweek, Time Magazine, Stern, Le Monde 2, The Neë York Times Magazine etj. I ftuar për një trajnim të fotografëve të rinj shqiptarë pranë “Projektit 5.6”, nën drejtimin e Eleni Laperit, Ben Khelifa, do të ketë të premten një prezantim më të gjerë për publikun në Tiranë. Është hera e tij e dytë në Shqipëri, por ndërkaq kishte ardhur shumë herë ndërmjet vitit 1998-1999. Karriera e tij nisi këtu ku ka realizuar punët e para të mëdha. Qysh atëherë ai është korrespondenti i luftës, me një punë të gjerë kushtuar botës arabe dhe Islamit, konflikteve të nxehta në Lindjen e Mesme. Karim flet për vdekjen që ka parë me sy në frontet e luftës me të njëjtin respekt si dhe për jetën.

Nuk tingëllon aq e zakonshme kur thua që punët e tua të para dhe të mëdha i ke bërë këtu. Si ndodhi?

Ishte viti 1996-97, isha i panjohur dhe merresha me show business për të cilin nuk isha fare i interesuar. Një vit më vonë vendosa të bëhem fotograf. Punët kishin filluar të shkonin keq në Kosovë dhe në verë të atij viti erdha në Tiranë, takova disa njerëz të UÇK-së. Ishte një djalë, Dritan quhej, rekrutonte njerëz për të luftuar në Kosovë. Më ndihmoi që të takohesha me të UÇK-së. Shkova në Bajram Curri, në Tropojë sepse kishin një bazë atje, pastaj në Gjakovë. Përshkuam kufirin serb dhe bëra një seri fotosh atje.

Ishte më mirë që të shkoje drejt e tek ushtritë, të mbuloje luftën?

Po, kjo më pëlqente. Mendoj që bota nuk i ka punët mirë. Unë nuk mund ta ndryshoj atë, por përpiqem.

Me ç’sy i shikon punët që ke bërë në atë kohë?

I përkasin historisë, i pëkasin historisë së njerëzve të përfshirë në luftë, apo atyre që mërgonin. I dua akoma ato foto, e ndjej veten të lidhur me to. Sot që jam më i njohur, jo se i shoh ndryshe gjërat, kam kuptuar se isha i lirë asokohe, nuk kisha para në xhep, isha trokë, çdo ditë ishte luftë, por ndjeja lirinë që sot nuk e kam. Punoj për revistat më të mëdha në botë, Newsweek, Time Magazine, paguhem shumë mirë, por gjithashtu kam shumë më tepër përgjegjësi.

Kur sheh fotot tuaja vë re se jeta e përditshme e vendeve “të tua” është konflikt, armë, shkatërrim. Çfarë kërkon këtu një fotoreporter?

Të gjejë histori kuptimplote. Shiko, origjina ime është gjysmë belge nga nëna dhe gjysmë tuniziane nga babai, dhe e kam më të lehtë për të lëvizuar në vendet myslimane, sepse i kuptoj, i respektoj dhe sepse pas 11 shtatorit këto vende janë portretizuar me një lloj dhune. Është e vërtetë që ka shumë dhunë tek njerëzit jo tek feja, ka shumë dhunë tek mënyra se si ata e lexojnë religjonin dhe Kuranin dhe gjejnë arsye që të jenë të dhunshëm. Ai Islam që përshkruhet i dhunshëm, për mua që e njoh, e di që thellë-thellë nuk është ashtu, dhe është e lehtë të krijosh steriotipe.

Kjo është një pyetje që do të të bëhej patjetër: Islami që vjen nga fotoreporterët dhe në përgjithësi nga media, çfarë vlen të komentohet?

Është e kollajtë që njerëzit të përftojnë një Islam të dhunshëm duke parë foto kur është Id el Kabir dhe Id el Fitr, apo djem të vegjël me armë. Është e lehtë të fotografosh një fëmijë në Jemen me armë në dorë dhe të thuash që po i mësojnë dhunën. Pra them se është një klishe e stërmadhe, një steriotip.

Është pjesërisht e vërtetë ajo që japin mediat nga zonat e nxehta të botës?

Pjesërisht e vërtetë. Është më e lehtë të tregosh dhunën se sa dashurinë. Nëse shihni fotografitë e mia nga Iraku, ka një dhunë ekstreme, por keni edhe dasma, fëmijë duke luajtur, kjo është pjesë e jetës. Në këtë cep të botës me dhunë njerëzit vazhdojnë të martohen, vazhdojnë të duhen.

Çfarë ndodh tek ti para se të shkrepësh aparatin përballë trupave të vrarë, kaosit, tablove të shqyera?

Ndihem i frikësuar, ndihem si ndyrësirë, i tmerruar si çdo njeri, sepse duam të jetojmë, të duam. Po, puna kështu e do, sigurisht jo të vritem, por të jem afër. Shumë gazetarë nuk janë aq afër sa duhet. Unë kështu mendoj: është e rëndësishme që të jesh me njerëzit. Në radhë të parë duhet t’i njoh këta njerëz, jetën e tyre, të pranohem prej tyre. E kam të nevojshme këtë: të jem në zemër të luftës apo të rrezikut, sepse kjo është mënyra më e mirë për t’i shpjeguar situatat.

Fotot e tua kanë një freski, sikur të jenë bërë dje, sikur ke fotografuar një vend shumë afër nesh. Ndjen se ai që po fotografon është njëri ndër ta, është në mes, është brenda fotove.

Unë zgjedh një kënd të gjerë fotografimi dhe kjo e do që të jem afër njerëzve. Të jesh gazetar për mua do të thotë të jesh afër. Nëse je afër njerëzve, ke për t’i kuptuar, kur jeton me ta, fle me ta, nëse shkojnë të luftojnë dhe ti shko me ta. Duhet t’i takosh, t’i ndjesh. Unë këtë përpiqem të bëj për fotot e mia.

Si shkon deri në vendet e rrezikshme për të fotografuar edhe njerëz të rrezikshëm?

Mua nuk më takon të them që njerëzit janë të mirë apo të këqinj, unë jam dëshmitar për çka ata bëjnë. Unë nuk mendoj si talebanët, nuk dua aspak një botë të qeverisur prej tyre, por s’dua as botën e qeverisur nga Bush-i, aspak. Gjërat më të këqija në jetë janë ekstremet dhe kur njerërëzit do të fillojnë ta kuptojnë njëri-tjetrin, atëherë edhe unë do të iki prej atyre vendeve. Tani jam fotograf për të dëshmuar që bota ka marrë të tatëpjetën. Kur unë e dëshmoj këtë shpresoj që njerëzit ta kuptojnë dhe do të bëjnë më të mirën ditën tjetër.

Çfarë ju tërheq tek tema e myslimanëve në Amerikë të cilëve u ke kushtuar së fundi një seri punësh.

Duke parë Amerikën 8 vjet pas presidencës së Xhorxh Bushit, vë re se myslimanët nuk mund të luten këtu apo atje, kur më anën tjetër Amerika është një vend fantastik, është një vend mërgimi. Kushdo që shkon atje mund të jetojë, qoftë ky mysliman, shqiptar, çfarëdo qofsh ke një vend tëndin, mjaft që të respektosh ligjet dhe rregullat: të jesh tolerant me të tjerët, tolerant me fetë e tjera dhe të punosh shumë, të punosh jashtëzakonisht shumë. Nuk të dhurohet asgjë në Amerikë.

Ka një përcaktim të gjetur për punën tënde. Ti je fotoreporteri që përcjell një formë të kompozuar të kaosit.

E thash pak më lart se “duhet të jesh afër me njerëzit”. Po edhe kjo nuk mjafton. Mund të jesh afër dhe bën foto të këqija. Të tilla bëj plot. Është shumë e rëndësishme të kapësh një imazh goditës që e sheh dhe befasohesh.

Karim, a ke një kod etik tëndin, meqë gjithë kohës je i fokusuar me vdekjen pranë, në trupat e vrarë, në dhunën. A duhet një, le ta quajmë “kod” për t’i mbrojtur njerëzit nga kjo shpalosje e dhunës?

Kjo ndodh, kjo është bota ku jetojmë dhe kjo është etika ime e cila më thotë që duhet të shkoj aty ku njerëzit as nuk do të hidhnin sytë, sepse do të rrezikonin jetën, këmbët, familjet. Nuk do doja ta bëja këtë gjithë jetës, sepse gjërat mund të ndryshojnë ose ngaqë unë mund të vdes një ditë, mund të vritem.

E mendon vdekjen?

Sigurisht, e mendoj kur jam duke shkuar në një vijë fronti. Vdekjen ku ma gjen, por nuk do doja të humbisja një këmbë, një krah apo një sy.

Të jep më shumë guxim mendimi se edhe mund të vdesësh?

Po, në të kundërt nuk do të shkoja. E dini se cila është gjëja më interesante në këtë jetë? Të shkosh përtej kufijve të tu. Kur mendon se ky është kufiri yt, duhet ta shtysh atë, por jo shumë, pak, përndryshe do të merrje fund shpejt. Interesante është kur e shtyn veten në ato vende ku nuk mendon se do të mbijetosh.

Ka vite që simbol i World Press Photo-s është një imazh nga vendet për të cilat po flasim. Si thua, çfarë duhet të jetë fituesi i ardhshëm?

Oh, do doja të shihja.... do doja të shihja atë foto që duan të shohin të gjithë, që do t’i sillte në humor të mirë, sepse kjo botë po shkon keq e më keq dhe përfundimisht kjo është e vërtetë që duhet treguar. Fituese do doja të ishte një foto pa dhunë, pa luftë, pa tërmet, një foto që do t’u kujtonte njerëzve se jeta megjithatë është e bukur.

Kjo që shohim nga fotoreporterët e sotëm është një lloj mode, moda e “botës së keqe”, është estetika e imazhit sot?

Jo, unë besoj vërtet se punët shkojnë keq, sidomos këtë dhjetëvjeçar, sidomos pas 11 shtatorit që ishte një e keqe e skajshme dhe gjithçka pas kësaj ishte po aq e tmerrshme. Fotoreporterët nga njëra anë na japin atë që ndodh realisht, po nga ana tjetër kjo ndodh edhe për shkak të medias, të fotos dixhitale. Mund të fotografosh kaosin rrotull teje. Është bërë e lehtë për çdo njeri që të jetë fotograf. Sot ka qindra fotografë më shumë se dhjetëvjet para kur nisa të merresha me këtë punë, kurse hapësirë në gazeta dhe revista ka 100 herë më pak. Në fakt gjithë biznesi është çalltisur këto 10 vjet, përfshi edhe mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›