E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule mashtron Ramën, s’paraqitet në takimin e nënshkrimit të marrëveshjes

Nga L.Progni

Vangjel Dule i PBDNJ mashtron socialistët dhe koalicionin e tyre duke mos u paraqitur në ora 5 të pasdites së djeshme në takimin e parashikuar për nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionin Bashkimi për Ndryshim. Paraditen e djeshme PBDNJ mblodhi kryesinë, e cila mori vendimin për të hyrë në koalicion me PS. Pas këtij momenti PS lajmëroi se në orën 5 pasdite në Akademinë e Arteve do të organizohej një ceremoni me krerët e partive pjesëmarrëse në koalicion, si dhe me deputetë e zyrtarë të tjerë të këtyre partive. Por Dule bashkë me të vetët kanë munguar duke bërë që ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së pesë partive të mbetej në kuadrin e fjalimeve ku predikohej nevoja për bashkim përtej së majtës dhe së djathtës. Krerët e partive të tjera të koalicionit, Rama, Veliaj, Milo e Gjinushi, kanë mbajtur fjalën e rastit duke e vlerësuar koalicionin si një bashkim vlerash. Ndërkohë, PBDNJ nisi mbledhjen e kryesisë, ku po diskutohej pikërisht për qëndrimin që do të mbajnë në lidhje me koalicionin me PS. Pas një mbledhjeje të gjatë për gati tri orë krerët e PBDNJ kanë deklaruar se sot do të ketë negociata me PS dhe në orën 4 pasdite do të mblidhet sërish kryesia e PBDNJ për të vendosur për bashkëpunim ose jo me PS. Deri atëherë deklarata e përbashkët e partive të koalicionit Bashkimi për Ndryshim nuk do të firmoset.

Deklarata e ndryshimit

Është quajtur deklarata e ndryshimit draft-marrëveshja e koalicionit të majtë, por ka mbetur në tentativë për t’u nënshkruar. Në krye të draft-marrëveshjes janë të renditur emrat e partive pjesëtare në koalicion, ku përfshihet edhe PBDNJ. “Ne, përfaqësuesit e partive..., të mbledhur në një moment që ne e konsiderojmë si historik për fatet integruese të Shqipëris녔 nis kështu deklarata e ndryshimit. Në këtë aktmarrëveshje theksohet se politika e bashkimit të qytetarëve është në thelb të bashkëpunimit, përtej së majtës dhe së djathtës.

“Ne besojmë se Shqipëria mund të bëhet, sepse ne besojmë se shqiptarët janë një popull vital, që e do punën, që përshtatet me shpejtësi me të renë dhe përparimin; Ne besojmë se Shqipëria mund të bëhet, sepse ne besojmë që ajo realisht mund të ketë më shumë përparim, më shumë punë dhe të ardhura për çdo familje, kushte më të mira jetese, shkolla më të mira, shërbim shëndetësor më të mirë. Ne besojmë se ky mund të kthehet në besim të çdo shqiptari, kudo që jeton, mëson ose punon, në besim të fshatarit, punëtorit, sipërmarrësit, nëpunësit, pensionistit, personat me aftësi të kufizuara, minoritarëve, grave, fëmijëve, të rinjve, emigrantëve, diasporës, në besim të gjithkujt që e do Shqipërinë. Secili duhet të besojë se Shqipëria mund të bëhet”, - thuhet në deklaratën e ndryshimit që pritej të nënshkruhej nga pesë partitë e pretenduara si pjesëmarrëse në koalicionin e kryesuar nga PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›