Studimet në Itali, nis konkursi i gjuhës për aplikuesit e rinj
Jonida Tashi
Nis konkursi i gjuhës për aplikantët e rinj që dëshirojnë të ndjekin vitin e ardhshëm studimet në Itali. Testimi për nivelin e zotërimit të gjuhës italiane kryhet pranë Institutit Italian të Kulturës në Tiranë si dhe pranë tre konsullatave italiane: të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës. Marrja e provimit të gjuhës është prova e parë që duhet të kalojë një maturant për të nisur studimet në Itali. Burime nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se kanë nisur procedurat e reja për maturantët që duan të studiojnë në vitin akademik 2009-2010 në Itali. Kështu, në muajin mars, të gjithë ata të rinj që duan të ndjekin studimet në Itali, duhet të japin provimin për gjuhën italiane. Pajisja me certifikatën “CELI 3” i paraprin regjistrimit të tyre në universitetet italiane.
Konkursi
Konkursi për testimin e gjuhës italiane ka një javë që ka nisur dhe të gjithë të interesuarit duhet t’i nënshtrohen këtij testimi për të mësuar se në çfarë niveli e zotërojnë këtë gjuhë. Ky testim paraprak i gjuhës italiane bëhet me qëllim që çdo i ri që dëshiron të ndjekë studimet e larta në Itali të dijë nëse e zotëron mjaftueshëm këtë gjuhë. Në të kundërt, të rinjtë mund t’i nënshtrohen kurseve të gjuhës italiane për ta zotëruar më mirë atë. Pas përfundimit të konkursit kalohet në provimin e gjuhës. Në bazë të kalimit të këtij provimi do të mund të procedohet më tej në aplikimin për të filluar studimet në universitetet italiane. Provimi për gjuhën italiane zhvillohet në muajin mars, në bazë të procedurave që do të publikohen nga Ambasada Italiane në Tiranë.
Provimi
Për pjesëmarrjen në provimin e gjuhës çdo maturant duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi te Instituti Italian i Kulturës dhe certifikimi i gjuhës (CELI 3), bëhet nga Universiteti për të Huajt i Peruxhias në Itali. Marrja e këtij provimi gjuhe është një provë e vështirë, por që hap dyert për aplikimin për vizë studimesh në Itali. Studentët që dëshirojnë të studiojnë në degë të universiteteve italiane, ku hyrja parashikon një provim tjetër duhet të përballojnë një sprovë të dytë për pranimin në këto degë me numër të mbyllur ose në rast se nuk fitojnë aty mund të tentojnë të kalojnë në fakultete të tjera italiane, ku hyrja është e lirë. Në këtë rast ata duhet të kenë parasysh se çdo universitet italian vendos kuota të përcaktuara për studentët e huaj dhe numri i tyre varet nga vetë universiteti. Provimi i gjuhës italiane shërben për t’u pajisur me certifikatën e gjuhës italiane “CELI 3”, të lëshuar nga Universiteti për të Huaj i Peruxhias.
Sqarimet
Para zhvillimit të këtij provimi Instituti Italian i Kulturës do të sqarojë datat, oraret, vendet, si dhe kushtet e tjera që do të kenë studentët për të dhënë provimin në fjalë. Provimi zgjat katër orë dhe zhvillohet në dy forma: me shkrim dhe me gojë. Provimet janë organizuar nga Instituti Italian i Kulturës pranë tre Konsullatave italiane të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës, të cilat shërbejnë edhe për t’u pararegjistruar në universitetet italiane. Kandidatët duhet të paraqiten në datën e përcaktuar sipas orarit të parashikuar, pranë qendrave të përcaktuara, sipas mbiemrit të tyre si dhe vendit ku kanë kryer pagesën e taksës së regjistrimit. Instituti Italian i Kulturës sqaron dhe çfarë duhet të kenë me vete studentët dhe çfarë nuk u lejohet. Kandidatët duhet të paraqesin në momentin e hyrjes: faturën origjinale prej 55 eurosh të taksës së regjistrimit, të kryer pranë Institutit Italian të Kulturës, ose pranë përgjegjësve të kurseve të Institutit; dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, certifikatë lindje me fotografi ose patentën); laps të zi (është i ndaluar përdorimi i stilolapsit). Për shembull, është e ndaluar futja në ambientet e provimit të çfarëdolloj materiali (libra, fletore, fjalorë etj.), si dhe telefonave celularë. Studentët për provimin me shkrim, ashtu edhe për provimin me gojë, duhet të paraqiten pranë qendrës së provimit që i korrespondon vendit ku kanë kryer pagesën.
23 Shtator 2008