Krokodili, gaforrja dhe bletët

Siç ka treguar përvoja e vendeve ish-socialiste, që tashmë kanë hyrë në skedinën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, demokracia mund të sjellë stabilitet, ndërsa stabiliteti nuk është e thënë se sjell demokraci
Nga
Kosta Barjaba*
1. Burokrati europian që prenotoi restorant
Crocodile për darkën e fundit të majit, me siguri i njihte simbolikat e
krokodilit në kulturën europiane e botërore. Për kureshtjen e lexuesit, po
risjellim disa prej tyre. Prej të paktën 400 vjetësh, në kulturën europiane
krokodili është simbol i hipokrizisë. Legjenda tregon se krokodili lotonte
ndërsa gëlltiste qeniet njerëzore. Edhe kultura shqiptare ka huazuar këtë
simbol, në frazën lakonike e sarkastike: lot krokodili. Në disa kultura të
tjera, hipokrizia krokodiliane është justifikuar me argumentin se Krokodili
kullufiste vetëm qeniet fajtore. Mbështetur në këtë simbolikë kulturore, në
Mesjetë hyrja e Ferrit përshkruhej si një gojë e stërmadhe, në të cilën
dallohej një dhëmb i hatashëm Krokodili. Simbolikat kanë pasuar njëra-tjetrën,
por thelbi i tyre mbetet i njëjtë në të gjitha kulturat: heretikët, fajtorët dhe
të pabindurit i presin dhëmbët e Krokodilit, pavarësisht se kjo ndodh e
mbërthyer në shkëmb (Andromeda në mitologjinë greke), buzë liqenit (në kulturën
afrikane), ose përgjatë brigjeve të lumit (në kulturën koreane). Kështu, pra,
darka e famshme krokodiliane strasburgase mund të vendoset shumë lehtë në
rezervuarin simboliko-kulturor europian. Por me disa modifikime, të cilat
burojnë nga konteksti i ri.
Krokodili europian është i vonuar, madje tepër i vonuar, në dhënien e
verdiktit për krizën shqiptare. Ndërhyrja ndodhi me shumë vonesë, kur ngjarjet
kishin degraduar pothuajse në mënyrë të pariparueshme. Shqipëria po bënte një
vit në qerthullin e një krize amortizuese për vendin, ndërsa Krokodili në
brigjet e Rinit (lumi që përshkon Strasburgun) nuk reagon. Kriza shqiptare për
zyrtarët europianë tingëllon si rutinë e një demokracie liberale të papjekur,
por shumë thjesht ajo mund të përkthehet në terma kritikë. Një vit vonesë në
zgjidhjen e një krize në gjuhën e negociatave mund të jetë një test ose një dështim
profesional, por në jetën e shqiptarëve janë katër milionë vite. Nëse
llogarisim që çdo shqiptari i kushtoi një vit jetë amullie, ngadalësim
investimesh, përfolje të vendit të tyre në kancelaritë europiane, mungesë
qartësie perspektivash e projektesh individuale.
Mos u çudit, i dashur lexues, me këto argumente. Shqipëria është një vend me
tregje gati monopsonike, gjë që do të thotë se nëse makina shtetërore,
qeveritare dhe politike ka probleme, ato i vuajnë të gjithë qytetarët. Siç
ndodh me shumicën e qëndrimeve ndaj vendeve me demokraci të papjekura,
Krokodili priret jo nga standardet demokratike të tyre, por nga i famshmi
stabilitet. Por siç ka treguar përvoja e vendeve ish-socialiste, që tashmë kanë
hyrë në skedinën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, demokracia mund të sjellë
stabilitet, ndërsa stabiliteti nuk është e thënë se sjell demokraci.
Përndryshe, Enveri dhe Tito do të quheshin Xhefersonët dhe jo Stalinët e
Ballkanit. Krokodili mban ndaj krizës shqiptare dhe vetë Shqipërisë një qëndrim
të ngjashëm me atë të vendeve të dorës së dytë. Që nuk janë në zemër të
Europës, por në kontinentet e largëta. Dorëdytësia është shumë e thjeshtë të
kuptohet: Ju arrini çmund të arrini nga standardet. As që bëhet fjalë të
arrini atje ku duhet!. Para disa kohësh, diplomacia e një vendi mik dhe
partner me Shqipërinë, për të cilin ne shqiptarët kemi një nderim të veçantë,
organizoi disa aktivitete për të nxitur kthimin e emigrantëve të suksesshëm
shqiptarë nga ky vend mik në Shqipëri. Dhe, për tu bërë realistë, praktikë e
nxitës, kishin gjetur edhe disa modele kthimi. Më i spikaturi ndër ta ishte një
parukiere, në fakt zonjë e nderuar, që me mundin, të ardhurat nga migracioni
dhe inteligjencën e saj ka ngritur një shërbim model në Tiranë. Por nuk e
zbërtheva dot mesazhin pse modeli më i spikatur duhej të ishte parukerja e
suksesshme. Nuk kanë arritur suksese të tjera emigrantët shqiptarë gjatë
njëzetë vjetëve të fundit në këtë vend mik? Apo dikush na kujton se bëni çtë
doni, më shumë se parukierë nuk arrini dot?. Por Krokodili me dhëmbin e tij
nuk po tregohet i sinqertë, duke mos respektuar madje as legjendën që vjen nga
hyrja e Ferrit - dënimin e mëkatarëve. Krokodili i kërkon mëkatarët te
viktimat dhe jo te fajtorët.
2. Po Gaforrja? Ah, Gaforrja mbetet po ajo. Nëse tranzicioni shqiptar mund të
krahasohet me një ecje në stilin e gaforres, episodi më tipik i këtij stili
është kurba e zgjedhjeve. Zgjedhjet e 2009 nuk ishin veçse të mbërthyera fort
prej saj. Paraprocesi, procesi dhe pasprocesi u kontrolluan në mënyrë të
studiuar dhe, duhet thënë, inteligjente. As zgjedhjet e majit 1996 nuk e
mbajtën pezull Shqipërinë si zgjedhjet e qershorit 2009. Edhe atëherë Shqipëria
bëri zgjedhje të dështuara dhe të stigmatizuara, Krokodili kërkoi përsëritjen e
tyre në limitet e moscenimit të rezultatit, Gaforrja refuzoi, pastaj shtëpia e
shqiptarëve u rrëzua me rropamë dhe desh i zuri të gjithë brenda. Në harkun
kohor të një viti, Shqipëria mbajti zgjedhjet e reja, të cilat mbyllën
periudhën e amullisë dhe gradualisht e vunë vendin në rrugën e normalitetit.
Ndërsa tashmë, viti i kontestimit po mbyllet dhe askush nuk di asgjë. As
Krokodili, as Gaforrja dhe siç do të shohim më poshtë, as Bletët. Me zgjedhjet
shqiptare ndodh si në paradokset filozofike: pasoja ndodhet para, nuk vjen pas
shkakut.
3. Dy vjet para zgjedhjeve, opozita i hyri një procesi të mundimshëm dialogimi
me të qeverisurit. Pavarësisht produktit të këtij komunikimi politik, punë e
cila mund të krahasohet me palodhshmërinë e bletëve, dialogu e shpuri opozitën
në çdo cep të jetës së shqiptarëve. Opozita u shkri me shumicën e popullit dhe,
si rezultat, e majta u votua më shumë se e djathta. Zgjedhjet nuk prodhuan një
shumicë, por thjesht një pakicë më të madhe, e cila u shtua gjatë procesit të
administrimit të votës. Gjatë procesit, Bletët e humbën toruan, sepse Gaforrja
ndodhej kudo dhe kontrollonte çdo gjë, votimin, numërimin, aleancat
paranumëruese. Pas procesit ato ndërtuan të njëjtin dialog e komunikim me
shumicën e shqiptarëve. Kërkesat e opozitës erdhën duke u racionalizuar e bërë
më prudente: nga mosnjohja e zgjedhjeve, te pranimi i rezultatit; nga debatet
brenda partisë, te mbështetja e gjerë popullore; nga rinumërimi i fletëve, te
hapja e materialeve zgjedhore; nga kontestimet institucionale e ligjore, te
manifestimet popullore; nga dyqind mijë qytetarë që protestojnë në 200 grevistë
urie; nga greva e urisë, në tryezën e Krokodilit. Por në pyllin politik ende
asgjë nuk pipëtin. Ndaj dhe njerëzit kanë të drejtë të thonë: Bletët si
bletët, Gaforrja si gaforrja, Krokodili si krokodili!.
(*) Marrë nga Express