E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krokodili rus që vret narkomanët

Varfëria dhe dëshpërimi po i shtyjnë të varurit rusë nga drogat që gjithnjë e më tepër të orientohen kah marrja e drogës vdekjeprurëse ‘krokodil’. Por, problem tjetër është se kjo drogë tashmë ka rritur edhe në Gjermani. Në muajin qershor kjo drogë për herë të parë u shfaq në Hessen, kurse tani edhe në zonën e Ruhrit.

Emri ‘krokodil’, ose shkurtimisht ‘krok’, në të vërtetë është një përzierje e kodeinës, benzinës, fosforit të kuq dhe e disa metaleve të rënda, dhe origjina e saj është nga Rusia. Veprimi i kësaj droge është veçanërisht tinëzar, sepse ajo e “gërryen” organizmit e konsumuesit të saj nga brenda. Si rrjedhojë, njeriu që nuk vdes menjëherë pas injektimit të parë të ‘krokodilit’, dhe që vazhdon ta konsumojë këtë drogë sintetike, faktikisht do të fillojë që të kalbet përbrenda. Në vendin e shpimit krijohen pezmatime që janë vështirë të shërueshme, përderisa indi përreth shpimit fillon të vdes, kurse lëkura merr një ngjyrë të kaltër në të gjelbër dhe fillon të lëvorohet. Si pasojë e këtyre simptomave droga edhe e ka marrë emrin e saj, sepse lëkura fillon të ngjasojë në atë të krokodilit.

Nëse vartësi i tillë nuk shkon te mjeku dhe nëse nuk i nënshtrohet trajtimit adekuat mjekësor, lëkura dhe mishi vazhdon të bien edhe nga eshtrat. Mjekimi pothuajse është i pamundur, kështu që shumë shpesh ndodhë që pjesët e prekura të trupit duhet të amputohen. Ndërkaq, marrja më e gjatë e ‘krokut’ gjithmonë përfundon me vdekje. Në fakt, ose dështon mëlçia, sepse më nuk mundet të luftojë me një dozë aq të madhe të helmit, ose viktima fillon të ketë gjakderdhje, sepse fillojnë t’i shkatërrohen enët e gjakut.

Menduan se morën heroinë

Duke pasur parasysh të gjitha këto pasoja të tmerrshme nga ‘kroku’, shtrohet pyetja se përse atëherë merret kjo drogë.

Policia gjermane supozon se “në skenën e konsumatorëve të narkotikëve” mbase ende nuk dihet se sa helmuese dhe vrasëse është kjo drogë, edhe pse ky komunitet zakonisht është mirë i informuar për këto gjëra. Disa nga të varurit ‘krokun’ e blejnë për një arsye fare të thjeshtë, sepse është shumëherë më i lirë se heroina. Megjithëse edhe veprimi i tij është shumë më i shkurtër, kështu që të varurit i duhet të marrë doza shumë më të shpeshta, gjë që si pasojë ka edhe një dëm shumë më të madh për organizmin e tij. Veç kësaj, thuhet se ‘kroku’ krijon edhe një varshmëri shumë më të madhe sesa heroina.

Mjekët e Shoqatës Për Ndihmë Narkomanëve – Krisenhilfe, konfirmojnë se në qytetin gjerman Bochum, tek katër persona janë konstatuar simptoma tipikë të konsumimit të ‘krokut’ . Fillimisht, këta persona kishin menduar se kanë konsumuar heroinë, kështu policia beson se në tregun e narkotikëve në Bochum ‘kroku’ po shitet si heroinë.

Përbërësit, të qasshëm edhe pa recetë

Policia gjermane pret se Gjermania së shpejti do të mund të vërshohet nga një valë e ‘krokodilit’, njësoj sikurse që është rasti me Rusinë, ku, siç supozohet, kjo drogë deri tani ka shpënë drejt vdekjes disa qindra të varur nga droga. Kjo për shkakun se prodhimi i saj në Gjermani është paksa më e vështirë që të realizohet.

Preparatet që përmbajnë kodeinë - e cila është e nevojshme për prodhimin e ‘krokut’ – në Gjermani mund të sigurohen vetëm me recetë, gjë që nuk është rast në Rusi. Sipas revistës gjermane ‘Der Spiegel’, industria farmaceutike në Rusi ka shënuar një rritje të shitjes së produkteve që mund të blihet pa recetë për plot 37 përqind. Për më tepër, në Rusi as që fshihet fakti se për këtë rritje më meritorët janë produktet që përmbajnë kodeinë. Madje, për shkak të kundërshtimit të industrisë farmaceutike dhe të mjekëve, detyrimi që këto preparate në Rusi të mund të sigurohen vetëm me recetë, është shtyer nga vera e vitit 2011, për kur ishte paraparë që ky detyrim të hynte në fuqi, për muajin qershor të vitit 2012. /DW/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›