Kromi, hiqen 13 leje minerare në Bulqizë
Më në fund duket se Task Forca e ngritur për disiplinimin dhe ndalimin e punës së jashtëligjshme në minierën e Bulqizës ka dhënë rezultatet e para pozitive në këtë drejtim. Dje, nën drejtimin e prefektit të Dibrës, Xhafer Seiti, u zhvillua analiza dymujore e punës së Task Forcës “mbi disiplinimin e veprimtarisë minerare në rajonin e Bulqizës”. Sipas nënprefektit të rrethit Bulqizë, zotit Hamit Dervishi, në këtë mbledhje morën pjesë drejtues nga Ministria e Ekonomisë, si AKBN-ja e RISHM-i, drejtori i Policisë të Qarkut Dibër, si dhe përfaqësues të strukturave vendore pjesëmarrëse në grupin e Task Forcës së ngritur për disiplinimin e punës në pellgun krommbajtës të Bulqizës. Ndërkohë u evidentua se Task Forca ka këmbëngulur në punën e saj në drejtim të sigurimit të jetës së minatorëve, duke insistuar në zbatimin me përpikëri të kushteve të sigurimit teknik në punë, rritjen e shkallës së kualifikimit të tyre etj. Ndërkaq mësohet se METE, mbi bazën e konstatimeve të Task Forcës, ka pezulluar 6 leje minerare të subjekteve private për mos mosplotësim e zbatim të rregullave të sigurimit teknik në punë për punonjësit, si dhe për 12 subjekte janë marrë masa ndëshkimi gjoba në vlerë 18 milionë lekë e masa të tjera administrative. Ndërkohë, sipas nënprefektit të Bulqizës, Hamit Dervishi, mbi bazën e propozimeve të bëra nga Task Forca, METE do të heqë edhe 7 leje të tjera minerare, duke e çuar kështu në 13 numrin e lejeve të hequra gjithsej, për mosplotësim të kushteve të lejeve minerare të dhëna nga METE. Ndërkohë për të rritur masat e sigurisë në punë për minatorët, nënprefekti Dervishi propozoi që METE të caktojë 2 inspektorë të RISHM-it në Bulqizë, duke pasur parasysh sigurimin e jetës së minatorëve.
#