E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpëzi, një udhëtim në fshatin pa njerëz

Barinjtë e zonës strehojnë bagëtinë në oborret e shtëpive të braktisura rrëzë malit të Picarit

Prej më shumë se një dekade, pjesa më e madhe e fshatrave malorë në rajonin jugor të vendit po tkurret ndjeshëm. Disa prej tyre, edhe pse para 10-15 vjetësh numëronin jo më pak se 150 familje, tani “kanë hyrë në ujë”. Ndonjë që ka afërsi me rrjetin kombëtar rrugor, arrin të mbijetojë me të keq, të tjerët vuajnë braktisjen e plotë. Por fati i fshatit Shtëpëz në Gjirokastër është më i veçanti dhe më i rralli, pasi prej 10 vjetësh nuk jeton asnjë njeri. Në fshatin e vendosur në brinjat e malit të Picarit, në të majtë të rrjedhës së lumit Drino, aty ku lugina e lumit hyn në grykën e ngushtë të urës së Subashit, aty ku gjallonte një vendbanim me rreth 120 familje dhe rreth 800 banorë, tani nuk ka më këmbë njeriu. Shtëpëzjotët kanë ikur të gjithë. Fshatin e ka pllakosur heshtja. Gardhet që ndajnë oborret dhe kopshtet kanë rënë, ndërsa pemët, edhe pse të ngarkuara me fruta nga braktisja, kanë lëshuar degët dhe kanë prekur dheun. Arrat, bajamet, kumbullat, dardhët, manat, mollët, pjeshkat, dikur të mbjella me merak nga shtëpëzjotët punëtorë, tani qëndrojnë me fruta të rrëzuara. Aty-këtu nëpër degë dhe poshtë tyre dallohen frutat e thara, të kalbura dhe të pavjela të një viti më parë.
“Ikën të gjithë ‘nga sytë këmbët’, themi ne këtej, ikën nga mendimi se në qytet jetohet më mirë”, thotë Besnik Vehipi, një bari nga Gropa e Barxhit, që strehon 500 kokë dhi të kopesë së tij në oborret e shtëpive të braktisura.

Shtyjmë portën e një shtëpie e hyjmë në oborrin e mbushur me degë. Ca lastarë të fuqishëm të një fiku të mbirë në pragun e derës nuk na lejojnë të hyjmë brenda shtëpisë. Megjithatë nga dritarja pa xhama dhe me kanate të kalbura plotësisht, nuk është vështirë të dallosh brenda dhomave. Aty janë soba e ndryshkur, ca minderë, një kornizë e vogël druri në mur, por ajo që dikur ishte një fotografi, tani duket një letër me ca njolla, me asnjë imazh tjetër.

Ecim më tej në fshatin e braktisur. Hyjmë në një shtëpi dykatëshe. Dukej qartë se ajo ishte e bastisur nga dikush. Orenditë e kuzhinës, ca pjata dhe gota plastike dhe një mbajtëse enësh, ku për çudi logoja “NISH Goma Durrës” lexohej qartë, ishin flakur andej-këndej nëpër oborr. Një djep i përmbysur qëndronte sipër sofasë së portës, ndërsa në murin e brendshëm të njërës prej dhomave, kalendari shënonte “Tetor 1998”. Dyshemeja e katit të dytë ishte shembur, por çatia çuditërisht ishte në vend. Lastarët e hardhive të papenguara nga asgjë dhe askush, kishin hyrë brenda banesës nga njëra prej dritareve dhe kishin dalë përsëri nga ana tjetër e banesës.

“Ai atje lart është fshati ynë i vjetër, themeluar nga stërgjyshërit tanë 200 e ca vjet më parë. Shikoni si është katandisur, braktisur plotësisht, pa njerëz”, shprehet Bexhet Lluka, një prej banorëve të zhvendosur me shtëpi në fushat përfund malit. “Shtëpëzi shtrihej në faqet e brinjat e maleve të Labërisë dhe njëherë e një kohë mbulonte dy male”, tregon Bexheti, duke mos fshehur nostalgjinë.
Bëjmë poshtë nga hyrja e fshatit, aty ku dikur dredhonte një rrugë e pashtruar që vendasit e quanin “rruga e makinës”, por që sot nuk gjen asnjë gjurmë nga tarraca që konsiderohej rrugë. Përballë nesh, godina e shkollës 8-vjeçare. Duket qartë se është një objekt i investuar në “orët e fundit” të periudhës komuniste. Shkollë trekatëshe, e suvatuar keq nga brenda dhe jashtë, me hapësira trikanatëshe të dritareve, me klasa të mëdha. Ndonëse pa dyer dhe dritare, në raftet e etazherit të dhomës së mësuesve gjetëm të paprekur disa regjistra shkolle. Lexojmë emrat, por më tepër na mbetën në mendje mbiemrat e nxënësve: Tola, Isaraj, Veshi, Peta, Lluka..., mbiemra që i kemi dëgjuar shpesh pasi i gjen sot në disa biznese, fast-food -e, furra buke, materiale ndërtimi, minimarkete, firma ndërtimi, pika shitjeje karburanti, baxho bulmeti etj., në qytetin e Gjirokastrës. Një pjesë e shtëpëzjotëve e kanë gjetur veten mirë në sistemin e ri dhe kjo është dëshmi e përpjekjeve për mbijetesë dhe e dëshirës së tyre për punë e jetë më të mirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›