E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Shishtavecit, asnjë punë pas prerjes së shiritit

Kanë kaluar dy muaj nga dita e inaugurimit të fillimit të punës për ndërtimin e rrugës Kukës-Shishtavec dhe ende asnjë kazmë nuk është ngulur. Në muajin korrik, Kryeministri Berisha udhëtoi në Kukës ku nëpërmjet një ceremonie në terren inauguroi fillimin e punimeve për dy akse të rëndësishme rrugore të rajonit të Kukësit, përkatësisht atë Kukës-Shishtavec me një vlerë prej rreth 4 miliardë lekë dhe atë Kukës-Krumë, loti i parë me rreth 3 milionë dollarë. Për rrugën e Shishtavecit, duke prerë shiritin e fillimit të punës, Berisha pat thënë se qeveria e tij vlerësonte nevojën e zonës për një rrugë të parametrave europiane dhe se Shishtaveci tashmë do të integrohej përmes kësaj rruge me infrastrukturën kombëtare. Por përvoja ka treguar se jo çdo tender i zhvilluar kthehet në vepër. Sot, pas dy muajsh banorët e zonës pothuajse e kanë harruar premtimin, pasi në rrugë nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se aty punohet. Përkundrazi, rruga e vjetër, e cila nuk plotëson asnjë parametër për t‘u quajtur edhe një rrugë fshati afrikan, vazhdon të degradojë çdo ditë e më shumë, duke u kthyer në një pengesë për zhvillimin e zonës, si edhe në rrezik për udhëtarët. Se kur do të nisin punimet kjo ende nuk mësohet nga askush, pasi këto ditë duket se asgjë nuk është në vendin e vet dhe qeveria e re ende nuk ka marrë formë.

Komentet

Udhëtarët e lodhur që përshkojnë rrugën e Shishtavecit sapo zbresin nga Gryka e Vanave, nga ku shfaqet ura e madhe e autostradës, komentojnë edhe rrugën e tyre në mënyra krejt politike, pasi askush nuk është i informuar saktë për atë se çfarë po ndodh në të vërtetë me rrugën e tenderuar. Një pjesë e njerëzve e komentojnë, duke e lidhur me mungesën e fondeve, ndërsa të tjerë e cilësojnë si një premtim thjesht postelektoral që Berisha e ka përdorur për vlera morale ndaj humbësit të zgjedhjeve. Drejtues vendorë shprehen se vonesa e fillimit të punimeve në këtë aks nuk është çështje e tyre dhe se përveç mungesës së mjeteve nuk duhet të ketë asnjë pengesë tjetër objektive apo madhore, siç mund të ishte pronësia mbi tokën apo moti etj. Madje, njohësit e fushës tregojnë se me fillimin e dimrit do të vështirësohen punët në rrugën në fjalë, e cila në të vërtetë ndodhet në një terren shumë të vështirë, ndoshta më të vështirin në vend.

Shishtaveci

Rruga në fjalë do të lidhte tri komuna me qendrën administrative të Kukësit, si edhe aksin kombëtar të autostradës dhe përkatësisht komunat Topojan, Zapod dhe Shishtavec që të marra së bashku kanë një popullsi prej rreth 11 mijë banorësh, në tërësi mjaft të varfër. Kjo zonë është e njohur për prodhimin e patates cilësore dhe shumë e kërkuar në tregun e Shqipërisë, Kosovës dhe më gjerë. Nga ana tjetër, Shishtaveci përbën një potencial të çmuar turistik, nga më të mirët në shkallë vendi për zhvillimin e turizmit malor, si dhe për sportin e skive. Rruga Kukës-Shishtavec, me një gjatësi 24 km do të kushtojë rreth 4 miliardë lekë, ndërsa ndërtimi i saj do të përfundonte në vitin 2010. Ajo nis tek ura e madhe mbi lumin Luma dhe përshkon Komunën e Topojanit dhe Zapodit, ndërsa përtej Shishtavecit lidhet me rrjetin rrugor të Dragashit të Kosovës, si dhe me atë të Tetovës së Maqedonisë, një rrjet rrugor i kategorisë së dytë në gjendje mjaft të mirë.

Rruga e Hasit

Dy muaj më herët, Kryeministri Berisha preu edhe shiritin e fillimit të punimeve për rrugën e Hasit, për vetëm një nga lotet prej 6 kilometrash. Edhe rruga e Hasit cilësohet si pjesë e rëndësishme e një "unaze verilindore", siç e pat cilësuar Kryeministri sistemin rrugor që niste në Tropojë, kalonte në Has, në Kukës dhe Peshkopi etj., dhe përfundonte në Delvinë. Ndryshe nga rruga e Shishtavecit, në atë të Hasit punimet kanë filluar në ditën e inaugurimit dhe për lotin në fjalë nuk janë ndërprerë, por në lotet e tjerë të kësaj rruge prej 30 kilometrash fillimi i punimeve duket po ashtu i largët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›