E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH, shtrirja e skemës së sigurimeve kërkon autonominë e spitaleve



Autonomia e spitaleve del si një procedurë e domosdoshme për të mundësuar shkrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore në të gjithë vendin. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor bën të ditur se autonomia e spitaleve është një domosdoshmëri për efikasitetin e skemës së sigurimeve shëndetësore, e cila pritet të përfshijë 42 spitale në vend në 1 janar 2009. Ministria e Financave ka rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, çka përbën një pikë themelore për funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin në spital. Kështu, një pjesë e problemeve në spitale do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se reformat do të aplikohen gradualisht, sipas rëndësisë së problematikës. Burime nga ISKSH shprehen se reforma financiare në shërbimin spitalor konsiston pikërisht në shndërrimin e spitaleve në institucione shëndetësore autonome, me pavarësi juridike, administrative dhe financiare. Sipas tyre, spitali ka një kontratë 1 vjeçare me sigurimin shëndetësor. Spitali përfaqësohet nga Drejtori, i cili kontrakton me çdo pjesëtar të stafit të institucionit. Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet disiplinë administrative, financiare dhe profesionale, për të siguruar eficencën e shërbimeve shëndetësore.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›