Denoncon dy punonjës të KESH-it për faturën e kripur të energjisë
DURRËS – Në shumë raste qytetarët shprehin pakënaqësi për faturat e kripura të Korporatës Energjetike. Në qytetin e Durrësit, një konsumator ka denoncuar dy punonjës të KESH-it, ndaj të cilëve kanë nisur hetimet nga organi i akuzës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve Flamur Bakaj dhe Arben Manga, të dy lindur dhe banues në qytetin bregdetar. Sipas tyre, ndaj dy punonjësve të KESH-it është bërë një kallëzim nga një shtetas 40-vjeçar me banim në Lagjen Nr. 13, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga burimet policore. Dosja në ngarkim të 52-vjeçarit Baka dhe 47-vjeçarit Manga i ka kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Denoncimi
Në banesën e një 40-vjeçari në qytetin bregdetar ka mbërritur një faturë nga KESH-i, sipas së cilës ai kishte harxhuar 2000 kë/h energji elektrike, por ai ka refuzuar ta paguajë me pretendimin se ka konsumuar më pak. Ai ka debatuar me drejtuesit e filialit, por nuk ka arritur t’i japë zgjidhje, gjë që e ka detyruar atë t’i drejtohet për ndihmë policisë. 40-vjeçari ka pretenduar se matësi i energjisë elektrike është hequr nga banesa e tij dhe është dërguar në Laboratorin e Njësisë Elektrike Durrës, pa qenë i pranishëm në kryerjen e veprimeve nga punonjësit e KESH-it. Madje, ai pretendon se nuk ka qenë i njohur për penalizimin që i është bërë, duke u vendosur përballë faktit të kryer që të paguajë detyrimet e prapambetura. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit shprehen se banori i lagjes Nr. 13 ka bërë një denoncim në polici ndaj shtetasve Flamur Bakaj, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 18, dhe Arben Manga, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 1. Me këtë çështje po merret Seksioni kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, ku sipas të dhënave zyrtare ndaj dy punonjësve të KESH-it ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. “Dy shtetasit në fjalë, të cilët janë punonjës të degës së Korporatës Energjetike Shqiptare në Durrës, në mënyrë arbitrare (pa plotësuar ndonjë dokument ku të pasqyronin veprimin e kryer) i kanë marrë 40-vjeçarit matësin elektrik të banesës, të cilin e kanë dërguar në Laboratorin e Njësisë Elektrike”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Ornela Cako. Sipas saj, Flamur Bakaj dhe Arben Manga e kanë penalizuar qytetarin me 2000 kë/h energji elektrike, pa e njoftuar për arsyet e penalizimit. Burimet e policisë vendore pohojnë se pas marrjes së kallëzimit u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës i kaluan për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës”.
Problemi
Gjatë gjithë këtyre viteve, me mijëra qytetarë kanë denoncuar publikisht KESH-in për veprime arbitrare në lidhje me faturimin e energjisë së konsumuar. Përmes mediave kanë dalë raste kur faturuesit kanë aplikuar skema afrofe, duke iu vënë qytetarëve shuma të konsiderueshme. Por janë të rralla rastet kur konsumatorët denoncojnë punonjësit e Korporatës për veprime të tilla. Ndonëse çdo përdorues i energjisë ka një kontratë të shkruar me ndërmarrjen e privatizuar së fundi, në pak raste ka ndodhur që konflikti mes palësh të zgjidhet në rrugë gjyqësore. Një fenomen i tillë është bërë shkak edhe për debate politike mes drejtuesve të KESH-it dhe partive opozitare.
PS: Po grabiten qytetarët me faturat e energjisë
TIRANË - Partia Socialiste ka denoncuar vjedhjen abuzive që po ndërmerr Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, tha se në faturat e muajit tetor, periudha e faturimit nuk është 30 ditë, por 36 ditë duke rritur në mënyrë abuzive pjesën e konsumit mujor mbi 300 kilovat. “Pra, për çdo kilovat të konsumuar në 6 ditët e fundit të periudhës së faturimit OSSH ka grabitur familjet shqiptare me 5 lekë, ndërsa administrata tatimore ka grabitur familjet shqiptare me 1 lek tatim mbi vlerën e shtuar. Ky veprim i përsëritur është shprehje e qartë e sjelljes korruptive dhe abuzive, që qeveria e kryeministrit Berisha ka instaluar këta 40 muaj”, - tha Beqja.
8 Nentor 2008