E Diel, 1 Nëntor 2026

Kronikë zogolliane nga shtypi evropian i kohës dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit

04/04/2011  Gazeta “Ouest-Eclair” e 24 tetorit 1927, në artikullin “Vrasja e Ceno beut dhe marrëdhëniet italo-jugosllave”, shkruar nga analisti i mirënjohur i kohës René Pinon, vë në dukje:

“Është vazhdimisht Ballkani rajoni nga ku Evropa i drejton sytë me shqetësim, sepse që andej mund të vijnë, ashtu sikurse më 1914, ndërlikimet më të mëdha. Shkaqeve lokale e kronike të vështirësive dhe trazirave u shtohet, sikurse ndodh sa herë që shpërthen një krizë evropiane me origjinë ballkanike, edhe veprimtaria turbulluese e një apo e shumë fuqive të jashtme.

Arsyet lokale të turbullirave janë sidomos gjendja në Shqipëri dhe ajo në Maqedoni... Një incident i ri po rihap rrezikshëm problemin shqiptar, të cilin prej një viti traktati i Tiranës dhe arrestimi i përkthyesit të legatës jugosllave në Tiranë e kishin shtruar më parë dy herë të tjera.

Vrasja e Ceno beut, ministrit të Shqipërisë në Pragë, nga një student shqiptar i quajtur Bebi, është po aq sa një çështje familjare, edhe një çështje politike. Ceno beu (Kryeziu), që i përkiste një prej familjeve kryesore të Shqipërisë, është kunati i Ahmed Zogut, që qeveris në mënyrë despotike republikën e Shqipërisë që prej dy vjetësh dhe që e ka vënë vendin, nëpërmjet traktatit të Tiranës, nën protektoratin e Italisë. Vrasësi, përpara se të bënte krimin, kishte jetuar në Romë, ku kishte qenë i lidhur me personalitetet italiane, dhe në Vjenë, ku kishte krijuar lidhje me disa grupe shqiptare të atjeshme. Mirëpo Ceno beu dhe i kunati i tij ishin në mosmarrëveshje rrënjësore rreth orientimit që duhej t’i jepnin politikës shqiptare: viktima e Bebit predikonte pavarësinë e vendit të tij nga Italia dhe një lidhje të ngushtë me Jugosllavinë, ndërsa Ahmed Zogu u lidh me Italinë musoliniane. Ceno beu, që ishte ministër në Beograd, kritikonte Ahmed Zogun se po sakrifikonte pavarësinë e Shqipërisë, dhe Ahmed Zogu ia kthente se Ceno donte t’ia shiste Shqipërinë Jugosllavisë. Të dy akuzonin njëri-tjetrin reciprokisht si të shitur tek një fuqi e huaj.

Aq iu desh shtypit jugosllav për të zbrazur krejt bateritë: po akuzon pa dorashka qeverinë italiane si frymëzuese të vrasjes së Ceno beut. Por pa shkuar gjer atje, jemi të detyruar të njohim se politika e Romës, ndryshe nga ajo e Parisit dhe e Londrës, kërkon të mbjellë përçarje dhe grindje mes popujve ballkanikë, për të krijuar aty një zonë ndikimi...”

Gazeta “Ouest-Eclair” e 26 gushtit 1928, nën titullin “Skanderberg II ngjitet në fronin e Shqipërisë” jep kronikën e mëposhtme:

Londër, 25 gusht – Flitet se Skanderberg II, mbreti i Shqipërisë u ngjit në fron këtë mëngjes. Ahmed Zogu u largua dje nga Durazzo ku po veronte, për t’u kthyer në Tiranë në prani të funksionarëve të lartë. Një turmë e madhe njerëzish e shoqëroi gjer në pallatin mbretëror, ku kryesoi mbledhjen e fundit të këshillit qeveritar në cilësinë e Presidentit të Republikës. Në këtë mbledhje të Këshillit u studiua dhe miratua mesazhi mbretëror. Kuvendi duartrokiti monarkun e ri.

Vjenë, 25 gusht – Gazeta “Neues Wiener Tageblatt” vë në dukje se Komiteti i Shoqatës kombëtare shqiptare u mblodh në Vjenë për të protestuar kundër shpalljes së Ahmed Zogut si mbret i Shqipërisë.

Komiteti vendosi t’i drejtojë Fuqive të mëdha dhe Shoqërisë së Kombeve një protestë për të vënë në dukje se veprimtaria e Ahmed Zogut përbën rrezik për paqen në Ballkan.

E përjavshmja “Le Cri des peuples” e 3 tetorit 1928, nën titullin “Farsa mbretërore e Tiranës – Veç të presim tani luftën në Ballkan”, boton shkrimin e mëposhtëm të Fan Nolit, ish-kryetar i Këshillit të Republikës së Shqipërisë.

Vjenë, 18 shtator 1928 – Republika shqiptare sapo u shndërrua në monarki me Ahmed Zogun si mbret. Roma u gëzua, Beogradi u idhnua dhe bota u gajas së qeshuri. Le të fillojmë nga ana më groteske e ngjarjes: një ish kabarexhi në Bukuresht, i quajtur Pandeli Evangjeli, në krye të një rrëmeti personash famëkëqij, ish-banditë, spiunë, vrasës e rrufjanë, të vetëquajtur Asamble Kushtetuese, po i dhurojnë kurorën mbretërore një cubi të quajtur Ahmed Zogu, i cili ka çarë përpara përmes vrasjes, është pasuruar përmes vjedhjes dhe ka ardhur në pushtet përmes tradhtisë. Dhe ky cub emëron si kryeministër një batakçi e një kriminel, Kosta Kotën, që ushtronte fshehtas zanatin e kirurgut në Salt Lake City në Amerikë, nga ku ia mbathi për t’i shpëtuar policisë amerikane, e cila e kërkonte pasi kish masakruar një pacient të operuar prej tij.

Dhe kjo operetë monarkike po luhet në Evropë, pikërisht në shekullin XX, një shekull që pa me sytë e vet frone dhe dinasti të shemben, që u nxjerr gjuhën mbretërve të fundit shndërruar pak a shumë në kukulla apo në figura zbukuruese të klikave sunduese.

E shkuara e afërt është dëshmitare se si Zogu e shpërbleu mbrojtësin e vet Musolini për mbështetjen që i dha regjimit të tij të përgjakshëm.

Më 1925 u dha koncesion Banka e ashtuquajtur Kombëtare, që e vuri Shqipërinë nën kontrollin ekonomik italian; më 1926 ishte radha e Paktit të Tiranës, që e vuri Shqipërinë nën kontrollin politik italian, më 1927, u arrit Traktati i Aleancës, që e vuri Shqipërinë nën kontrollin ushtarak italian.

Kuptohet se Musolini e kishte siguruar tashmë paraprakisht çmimin e kurorës mbretërore. E ardhja e afërt do të na dëshmojë se cilat do të jenë tradhtitë e reja të Ahmed Zogut, por nuk është e vështirë për t’i zbuluar: bashkimi doganor, italianizmi i arsimit publik, kolonizimi i fushave pjellore me kolonë fashistë, baza detare në Valona e Durazzo, baza ushtarake në të gjitha pikat strategjike të kufirit shqiptaro-jugosllav, me një fjalë gjithçka e domosdoshme për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni italiane. Ja tradhtia e fundit e farsës.

Por Musolini me fashistët e vet dhe Ahmed Zogu me bejlerët e tij feudalë antikombëtarë nuk janë të vetmit fajtorë për këtë krim ndaj pavarësisë së Shqipërisë dhe paqes në gadishullin ballkanik.

Nuk duhen harruar militaristët e Beogradit dhe të Athinës, të cilët që prej vitit 1912 bënë gjithçka për të zhdukur e copëtuar shtetin e pavarur shqiptar krijuar pas luftërave ballkanike.

Për këtë qëllim, ata organizuan herë pas here invadime të vërteta ushtarake, që i quanin kryengritje. Mjafton të përmendim më të bujshmet. Më 1913, Zografos pushtoi Shqipërinë e Jugut. Më 1915, Shqipëria e Mesme u pushtua nga Esad Pasha dhe më 1921 u pushtua Shqipëria e Veriut nga trupat e Marka Gjonit. Më 1924 u pushtua krejt Shqipëria nga Ahmed Zogu. Ky pushtim i fundit u organizua i tëri në territor jugosllav, me topat serbe dhe mercenarë të rekrutuar në Jugosllavi, si dhe me oficerë të Wrangelit. Militaristët serbë shpresonin kështu të vendosnin Shqipërinë nën protektoratin e Beogradit. Por rezultati ja ku është protektorati i Romës.

Çfarë zhgënjimi për militaristët serbë e grekë! Dhe çfarë pendimi, duke ditur fare mirë se Shqipëria nuk është veçse etapa e parë e depërtimit italian në Ballkan! E ç’të thuash për më tepër, kur janë pikërisht ata që e gatuan.

Last but, not lesat, ja një fjalë edhe për Anglinë, që është për më tepër përgjegjësja kryesore. Ardhja e Ahmed Zogut në fuqi dhe pushtimi i Shqipërisë nga Musolini u kryen edhe nën kujdesin e Londrës. Dhe Anglia u shpërblye më së miri. Fitoi koncesionin e naftës, sepse, mjerisht, ka naftë në Shqipëri. E tani, çështja është shumë e qartë. Atje ku ka naftë, puna mban erë të keqe e do ketë shpërthime rrënuese.

Dhe e pamë që ka filluar të ndihet erë e keqe në Tiranë nën regjimin e Ahmed Zogut.

Tani, veç të presim shpërthimet!

Do vinë fatalisht për të na provuar në mënyrën më të dukshme se popujt evropianë janë sot po aq kaqolë sa ç’ishin para luftës së parë botërore.

Fan Noli, ish-kryetar i Këshillit të Republikës së Shqipërisë, Vjenë, 18 shtator 1928.

Gazeta “Ouest-Eclair” e 10 tetorit 1928 nën titullin “Zogu I-rë ka përqafuar me sa duket fenë katolike”, jep kronikën e mëposhtme:

Londër, 9 tetor – Sipas korrespondentit të “Daily Express” në Beograd, nga Tirana njoftohet se mbreti i Shqipërisë, Zogu I-rë, ka përqafuar këto ditë fenë katolike dhe është pagëzuar nga nuni apostolik. Mendohet përgjithësisht se kalimi në fenë katolike romake duhet të ketë njëfarë lidhje me planet martesore të sovranit shqiptar.

Revista “Correspondance d’Orient” e tetorit 1928, boton kronikën “Fillimet e mbretërimit të Zogut I-rë”, ku vihet në dukje:

Të nesërmen e ardhjes në fuqi, mbreti i shqiptarëve i bëri një deklaratë gazetës “Daily Express”, në të cilën shprehte pikëpamjen e tij për regjimin e ri. “Rezultati i parë i vendosjes së monarkisë, - deklaroi ai, - do të jetë të çlirojë vendin tim nga luftërat partiake. Presidenti i Republikës është domosdoshmërish i detyruar të favorizojë ata që e kanë zgjedhur, ndërkohë që partitë e tjera manovronin pareshtur për ta zëvendësuar me një nga kandidatët e tyre. Kështu, mbreti do të jetë përmbi partitë. Ai do t’i shërbejë vetëm kombit. Ministritë, ushtria dhe xhandarmëria do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me monarkun, pa kaluar nga ndërmjetës”.

E megjithatë, vë në dukje kronika, kjo nuk e pengoi aspak opozitën të protestojë energjikisht. Imzot Fan Noli, kryetar i Komitetit të Emancipimit Kombëtar, i drejtoi që nga Gjeneva një manifest të ashpër, por që përfundoi në kosh. Rrjedhimisht, u organizuar qeveria e re.

Gazeta “Ouest-Eclair” e 16 tetorit 1928, në kronikën me titull “Kurorëzimi i mbretit të ri të Shqipërisë” nënvizon se kurorëzimi i Zogut I-rë si mbret i shqiptarëve do të bëhet në Krujë, më 28 nëntor, ditën e festës kombëtare të Shqipërisë, dhe se Kruja është qyteti ku ka lindur heroi kombëtar shqiptar, Skanderbeg.

Gazeta “Ouest-Eclair” e 18 nëntorit 1928 boton më në fund foton e princit të ri shqiptar Esad të Shqipërisë, nip i mbretit Zog, si trashëgimtar i mundshëm i fronit.

(Foto e princit Esad dokument më vete)

Revista “Correspondance d’Orient” e shkurtit 1929 boton njoftimin e gazetës vieneze “Neues Wiener Tagblatt” se “Mbreti i Shqipërisë ka dërguar në Vjenë një delegat për t’iu lutur qeverisë austriake t’i dorëzojë përkrenaren dhe shpatën e Skanderbergut, që ruhen në muzeun e arteve historike, mes një koleksioni të mrekullueshëm mburojash e armësh të lashta krijuar nga Habsburgët. Ahmed Zogu I-rë do të dëshironte të mbante mbi trup përkrenaren dhe shpatën e heroit të madh kombëtar shqiptar gjatë ceremonisë së kurorëzimit të tij, që do të organizohet në Krujë, atdheu i Skënderbeut. Është i gatshëm, thuhet, të japë një shumë mjaft të konsiderueshme për të pasur në zotërim këto objekte të nderuara.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›