E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e oficerit të policisë, dy autorët shfaqin pendesë në gjyq

04/04/2011  Jetnor Nakolecin e qëllova unë, u trembëm për arrestimin

TIRANË-Elidon Zeqo dhe Jetnor Nakoleci dy personat që janë arrestuar për vrasjen e oficerit të policisë në Vlorë, Roland Likaj, kanë shfaqur pendesë para togave të zeza duke pranuar autorësinë e krimit. I arrestuari Jetnor Nakoleci ka marrë të gjithë përgjegjësinë mbi krimin duke pohuar se ishte ai autori i vrasjes së punonjësit të policisë. “Atë natë ishin tre persona, unë Elidoni dhe Saleo Stojani. Po përpiqeshim të grabisnim një banesë në atë zonë, kur jemi zbuluar nga një polic. Jemi larguar me vrap dhe kemi hyrë në disa rrugica të ngushta. Aty e kam qëlluar vetëm një herë me pistoletë policin, pasi u trembëm se mos na arrestonte”,-ka treguar para gjykatëses Etleva Deda. Në këto kushte prokurori Xhehat Hana ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë për dy personat e arrestuar, ndërkohë që avokati mbrojtës i ka kërkuar trupit gjykues caktimin e një mase më të butë për shkak të moshës së mitur. Pas dëgjimit të palëve, gjykata ka vendosur lënien në burg të dy të arrestuarve, ndërkohë që për të arrestuarin tjetër 17-vjeçarin Saleo Stojani pritet që masa të kryhet në ditët në vazhdim, për shkak se ai është dënuar nga gjykata e Korçës dhe vuan dënimin në burgun e Drenovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›