Shqiperia dhe perplasjet e klaneve pas vitit 1945
04/04/2011 Së shtati, respekt për iluministët shqiptarë.
Në Gjermani, te Presidenti Var, ishin të ftuar zoti Pjetër Arbnori dhe Halil Lalaj, dy kundërshtarë politikë. Papritur që të dy u përplasën në debat për komunizmin. Njëri: “Komunizmi është ashtu”, tjetri: “Komunizmi është kështu!…” Presidenti: “Mosni, unë ju dua për paqe…” E këtë paqe midis shqiptarëve e dëshiruan dhe pranuan mjaft iluministë bashkëkombës. E përjavshmja e Anastas Kullurjotit “I foni tis Alvanias” (Zëri i Shqipërisë) që dilte në Athinë në vitet 1879 –1880; e përkohshmja “Fjamuri i Arbërit”, që dilte me iniciativën e De Radës në Korikane-Kalabre e më pas në Kozenca të Italisë gjatë viteve 1883-1887, ndihmuan shumë për njohjen e Shqipërisë, si vend i një populli të lashtë. Revista “Drita”, “Dituria”, që doli me iniciativën e Sami dhe Naim Frashërit, Jani Vretos dhe Pandeli Sotirit gjatë viteve 1884-1885 dha një kontribut të madh për përparimin e gjuhës letrare shqipe e përhapjen e alfabetit të Stambollit. E përjavshmja tjetër “Shqipëria”, që dilte po në Bukuresht gjatë viteve 1897-1899 u bë tribunë e Lidhjes së Pejës, ngjarje kjo që çoi më tej platformën për autonomi të Lidhjes së Prizrenit.
Në vitet 1900-1912 veçori e botimeve shqip ishin gazetat “Drita” e Shahin Kolonjës, që botohej në Sofje në vitet 1901-1907, “Shpresa e Shqypnisë” e Nikolla Ivanait (1909-1911); “Kombi”, që botohej në Boston të SHBA më 1906-1908; “Shkopi”, që botohej nga Jani Vruho në Kajro, më 1907-1908; “Shqypja e Shqypënisë”, që botohej në Sofje nga Josif Bageri (1909-1911), të cilat kishin në thelb të përmbajtjes së tyre frymën tonë kombëtare.
Mbas Lidhjes së Prizrenit iluministët tanë shpallën strategjinë e çlirimit shoqëror e atdhetar në të gjitha fushat. Mendimet e fuqishme të Jeronim de Radës, Anastas Kullurjotit, Shahin Kolonjës, Anton Zako Çajupit, Aleks Stavri Drenovës, Visar Dodanit, Nikolla Ivanajt, Sotir Pecit, Fan Nolit, Dervish Himës, Mihal Gramenos, Hil Mosit, Kristo Luarasit, Luigj Gurakuqit, Aleksandër Xhuvanit e, mbi të gjithë, Frashëllinjtë e mëdhenj bënë epokën shqiptare.
Gazeta “Pellazgu” e datës 3 prill 1907, në artikullin me titull “Guverna turke dhe shqiptarët” shkruan: “Ca nga ca, vendi ynë po shkretohet prej kaq qindra mijë duarsh e shpatullash e Amerika po mbushet”. Në anën tjetër, botimet e këtyre viteve i përkushtohen çështjes së gjuhës shqipe dhe luftës për të ndaluar përçarjen fetare, të cilat armiqtë tanë kombëtarë i nxitnin për të mos u bërë Shqipëria. Me emrin e Shqipërisë në gojë vdiq Papa Kristo Negovani dhe mjaft të tjerë.
Vallë, shtypi ynë i fillimit të shekullit XXI deri kur do ti përkushtohet ngjalljes së shpresës për ta bërë Shqipërinë demokratike, të ndalet hemorragjia jonë intelektuale apo punëtore, të mos bëhen ortodoksët shqiptarë helenë?
Deri kur do të vazhdojë si çështje kryesore lufta politike për “lojën e karriges”, midis partive, duke lënë anash çështjet e ndërgjegjes sonë kombëtare?! Kur Norbert Jokli (1877-1942) u pyet përse nuk u martua, u përgjigj se ishte martuar me një nuse shumë të bukur, me gjuhën shqipe.
E kur për një bashkim kombëtar shqetësohet një president gjerman apo një shkencëtar vjenez, atëherë çfarë duhet të bëjmë vetë ne shqiptarët? Si mund të rrimë në heshtje kur në Korçë prishet busti i Asdrenit dhe shtëpia muze e Mihal Gramenos?!
Oshilacionet e mendimtarëve të kohës
Shtrohet pyetja: në vitet 1900 deri 2000 me çfarë bilanci vjen mendimi ynë kombëtar? Alternojmë doktrinat e kohës 100-vjeçare, konkludojmë avantazhet dhe disavantazhet si rregull universal të zhvillimit për një analizë të drejtë.
Le tia fillojmë me mendimtarin më të madh të letrave në këtë fillimviti 2000, me një radiografi midis dy kohëve të tij, atë të ish-realizmit socialist dhe atë që jetojmë, për ndryshime demokratike.
* Kadarea, kur iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi”, në qytetin e lindjes, në Gjirokastër, më bëri përshtypje kur u shpreh: “Aventura e mendimit është më e vështira aventurë e racës njerëzore, dhe në këtë aventurë pjesën më të lartë e përbën mendimi i lirë. Të mendosh në mënyrë të lirë, është gjëja më e rrallë, është një nga cilësitë e mrekullueshme të qenies njerëzore”.
Duke marrë shkas nga ky ngacmim, aq i nevojshëm për intelektualët e Shqipërisë postkomuniste, mendoj të shtroj para publikut-lexues, pyetjen: a kanë qenë dhe, a vazhdojnë të kenë mendim të lirë intelektualët tanë?
Kjo, në veçanti për shkencat shoqërore, filozofinë a historinë, letërsinë a sociologjinë, a e kemi të tillë?
Dihet që “epoka” e realizmit socialist polli dhe krijoi mendimtarët të saj, të cilët jo vetëm i mbanin “iso” M-L, por konsolidonin mendimet enveriste në çdo qelizë të jetës shoqërore të popullit tonë. Kontribuuesit më racionalë ishin nga radhët e shkrimtarëve, poetëve, historianëve dhe filozofëve, të cilët morën si dhurata nga politikanët e kohës tituj, grada e ndere, e pse jo një madhështi të imponuar për t i respektuar në mbarë shoqërinë shqiptare.
Lexojmë mendimtarët e mëdhenj të kohës së Zogut, lexojmë aktualisht dhe këta të persekutuarit politikë, me dëshirën se mos gjejmë vazhdimësinë e filozofisë shqiptare, së cilës i mbeti ora në vitin 1945, por gjejmë vetëm llogore politike midis “revolucionarëve” dhe “reaksionarëve”.
Kështu që mendimi i shqiptarizmës, tashmë është mbartur me sulmet e “reaksionarëve”, duke qenë në mbrojtje “revolucionarët”, gjë që ka dyzuar mendësinë e kohës në luftë midis njëra-tjetrës, e, për pasojë, ardhmëria shqiptare është futur përsëri në udhëkryq. Kjo prodhimtari konfliktuale, reflektim i politikanëve tanë primitivë, ka ushqyer shtypin dhe median elektronike në botën e huaj, diasporën shqiptare, duke e paraqitur si në vitet 1945-1990, sikur hanë njëri-tjetrin, duke u bërë kështu anemikë për gjakun tonë kombëtar.
Kur je i krahut të majtë, media e shtypi apo strukturat e propagandës partiake i ngrenë mendimtarët e tyre të idealizuar si vetë ardhmëria; po e njëjta gjë ndodh nga krahu i djathtë. Si dy gjela që fryhen e luftojnë, duke menduar se janë me të vërtetë të tillë. Shkrimet me porosi, reklama, promovimet politike (më parë të tilla i bënte enverizmi). Tani vazhdon kjo sëmundje, por nga dy anë të kundërta.
Dëmi është madhor, copëzohet mendimi me antivlera dhe asfiksohet mendimi i lirë i vlerave kombëtare.
Harrohet që bulevardi i mendimit të lirë është strategjia e ideuar nga “Komiteti i Stambollit”, ndërsa rrugicat politike nuk kanë përse të devijojnë nga kjo rrugë kombëtare…
Çamëria, Kosova, Dibra nuk janë çështje partie, por padrejtësi kombëtare. E kuptojmë vlerën e kufijve konvencionalë të kombit tonë, por kjo sdo të thotë që demokratizimi ballkanik të na gjejë me një komb të shprishur, pa gjuhën dhe kulturën e përbashkët. Mbi këtë çështje madhore, lufta politike për pushtet është anësore. Asnjë parti nuk e përjashton njëra-tjetrën për të qenë kombëtare, si një e drejtë legjitime e secilës, por mendimi intelektual i tyre nuk ka përse të parcelizohet kur vjen puna që preket gjuha e gjaku i shqiptarëve.
Këtë e bënë Greqia dhe Serbia për intelektualët e saj, jo më Shqipëria, që u ka mësuar atyre se çfarë është kombësia.
Kështu, liria e intelektualit dhe vlera kombëtare dhe jopartiake nuk janë të tilla, por të pushtuara nga paragjykimet politike, shpesh të orientuara keq edhe nga fqinjët.
Ismail Kadare më 3 nëntor 2000, në prani të politikanëve, diplomatëve, intelektualëve të fushave të ndryshme, medias u shpreh me këto ide kryesore:
1. Egërsi shqiptare në sjelljen dhe komunikimin e klasës politike. Emancipimi duhet të bëhet duke respektuar gjithsecila forcë politike rregullat e demokracisë.
2. Kalimi i pushtetit në mënyrë paqësore dhe demokratike.
3. Në raportet e forcave politike, pozitë-opozitë, të bëjnë distancimin nga mëkatet.
4. Personalitetet, nëse nuk ka institucione të fuqishme demokratike, veprimet e tyre nuk do të kenë vlerë ose do të reduktohen në një dramë.
Për këto dhe të tjera për lirinë e Kosovës, apo për një Shqipëri natyrale, nuk mund të qëndroja i heshtur pa u prononcuar, sepse në këto çështje ka mjaft thyerje dhe ekuivoke në mendimet intelektuale. Kështu për shembull, për pikën e parë ideore që u shpreh Kadareja i shquar, unë shoh edhe pasojat e nxitjeve të fqinjëve për interesat e tyre. Çfarë nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë Greqia për Çamërinë, derisa të humbasë edhe nocioni shqiptar?!
Edhe për Kosovën, për tu përfshirë në suazën e vetë Serbisë, ardhmëria do ta tregojë çfarë do të shpikin e intrigojnë të gjithë dashamirësit e sllavizmit në Evropë.
Atëherë Shqipëria natyrale edhe po të sinkronizohet pozitivisht për vërejtjet e Kadaresë, përsëri bëhet utopike, pa vlerësuar kundërpeshën historike dhe tradicionale të fqinjëve.
Marrim idenë tjetër, aq shumë të domosdoshme për politikën shqiptare, çështjen e pushtetit. Mund të zgjidhet dhe të zbutet me kalimin e kohës edhe për shkak të faktorit ndërkombëtar me përvojën e vet, por duke shërbyer si katalizator, që ky “reaksion kimik” i demokracisë shqiptare të mos prodhojë më precipitate si të vitit 1997 duke i kaluar më parë eksperimentet në laboratorët e tyre. Po a mund të konceptojnë një arritje ata politikanë, që për dhjetë vjet nuk mësuan alfën e demokracisë?
A mund të pranojnë ata një popull opozitar dhe jounitar ndaj bëmave të pushtetarëve? Vështirë se janë të besueshëm për një ngarkesë të tillë demokratike politikanët e këtyre viteve. Testimi dhjetëvjeçar provon se janë pemë të plakura dhe që nuk prodhojnë më frutat e kohës.
Bëhet fjalë në një ide tjetër, që përcjellin raportet e komunikimit midis pozitës dhe opozitës, por, që në fakt, kanë më tepër struktura klanore, fisnore, miqsh (nepotike) të një komprometimi reciprok sesa çështje bindjesh. Për pasojë ndahen ose bashkohen sa herë rrezikojnë të aktivizohen të rinjtë para “tortës” pushtet.
Në dukje është sikur kemi klasë politike, por në përmbajtje kanë të njëjtën bërthamë “atomike”, që gjeneron energji për tërë elektronet (elektoratin) që i rrethojnë.
Por pa ndryshuar e transformuar këto përmbajtje me infeksione nga e kaluara, nuk mund të krijohet një klasë politike e shëndoshë. Receta për ilaçin e sëmundjes shqiptare, edhe pse e diagnostikuar mirë nga Kadare, nuk mund të bëjë efektin e duhur, sepse terapia për kurimin e saj nuk zbatohet në praktikë. Të gjithë thonë “jemi ne më të mirët, më të zotët, më të ndershmit”. Që të ketë institucione të fuqishme demokratike, ato duhet, në radhë të parë, të çlirohen nga idetë e vjetra, në veçanti tek institucionet e shkencave shoqërore. Në krye të këtyre institucioneve, mendimi juridik, sociologjik, politik, historik është bukosur po nga “ishët”, që konsoliduan përvojën e diktaturës enveriste, por tashmë janë veshur me kostum demokratik. Po na bëhet historia po nga ata profesorë që shkruan historinë e Enverit dhe duke na zbuluar pak të vërtetë të fshehur me “trimëri” nga e kaluara, si dhe me një truk profesional, e botojnë si diçka shkencore.
A mund të jenë të bindshëm këta mashtrues intelektualë, pa pohuar më parë mëkatet e tyre, të cilët me një dorë ngritën lavdinë e krimit dhe me tjetrën e miratuan si të pavdekshme atë?
Në atë kohë, patriotë të Enverit dhe historianë-porosie të PPSH-së, ndërsa sot atdhetarë, por nën ombrellën partiake, sfumohen si të shquar në shërbim të politikanëve.
E, për shpërblim, politikanët bëjnë vlerësimin “shkencor” të veprës së tyre, u japin çelësat e institucioneve dhe investime, duke qenë bodigardë të shkëlqyer që në këto institucione të mos hyjnë të aftët jashtë bindjeve partiake.
A i di Kadarea këto? Çfarë heqin dhe si pengohen këto forca të vërteta intelektuale të pakomprometuara, apo që guxojnë të prekin interesat e vipëve – monopol të politikës?
Kush do ti bëjë demokratike këto institucione: uzurpatorët e pushtetit shkencor, që me të drejtë janë quajtur historianë të politikës, apo shkrimtarë a poetë partiakë? A nuk ka ardhur koha që këta ishët me ide të vjetra të pushojnë pak, të reflektojnë brenda vetes, para se të na hiqen si baballarë të demokracisë?
Me gjyshër e baballarë, patronati i rritjes së demokracisë dhjetëvjeçare po merr një edukatë plëngprishëse për shtëpinë e vet, edhe pse janë xhelozë e nostalgjikë për kohët e tyre të “lashtësisë primitive”, sepse po rriten me veset e së kaluarës.
Punonjës me tituj shkencorë nga ISML, pjesëmarrës aktivë me disa libra-porosi të KQ PPSH, na kundërvihen tashmë me fanatizëm ndaj Akademisë së Shkencave, sikur vetë nuk kanë qenë aktorë dhe autorë në atë dramë të përbashkët pseudohistorike që prodhuan. Kujt i duhen më këta kameleonë, që të japin ide, kur më parë na sollën dështim dhe mjerimi? Ata duhen vlerësuar vetëm si persona të arkivuar. Më mirë të na tregojnë se ku janë fshehur apo zhdukur bibliotekat e Eqerem Bej Vlorës, Vërlacëve dhe të mjaft familjeve të mëdha, që në vitet 1944-1945 u sekuestruan, sesa tu prishin mendjen brezave të ardhshëm. Më mirë të na orientojnë, të paktën një herë, me ndershmëri për ato përkthime e botime që kanë shfrytëzuar nga puna e intelektualë “borgjezë” që kanë bërë në burgjet politike dhe të tjerë i kanë merituar “ato tituj shkencorë”. A e di Kadarea se mjaft profesorë që janë sot mburren me këtë djersë e gjak të atyre që vdiqën burgjeve? Bile një zëvendësministër i Punëve të Brendshme mori menjëherë titull shkencor kur përgatiti një studim për Kosovën, që në fakt ishte fryt i mendjes dhe i punës të një ish-të burgosuri politik, me potencë intelektuale të jashtëzakonshme.
A e dinë disa lexues se për 5-6 vjet, me porosi të Mehmet Shehut u grumbulluan përkthyesit dhe intelektualët më të mirë që kishin trashëguar nga e kaluara komuniste, të burgosur politikë që kishin krijuar vlera, për të cilat u mburrën të tjerët? Këta përfitues, tashmë u bënë të privilegjuar, janë të shkrirë në disa parti, bëjnë sikur replikojnë, por aq sa të mos zbulojnë njëri-tjetrin dhe përsëri arkivat e shtetit punojnë për ta.
Do të ishte mirë që ashtu siç deklarohet një pasuri, në veçanti ajo e pandershmja, të deklarohet edhe vlera e titullit shkencor në shkencat shoqërore në kohën e diktaturës.
Do të ishte të paktën në nderin e këtyre shkencëtarëve që të ndeshen një herë me politikanët shqiptarë, jo vetëm “iso” apo “amin” po të thonë, qoftë edhe nga pikëpamja etimologjike: “More, po çfarë është kjo parti e të Drejtave të Njeriut”?! A ka në botë ndonjë parti (pjesë) që tu përkasë të gjithëve? Apo të ndalen edhe në përmbajtjen e saj me mision grek nëpërmjet multietnikësh. Kur kjo parti të na pushtojë gjeografinë e vendit, kur ajo të vërë ekuilibrin në shtet, ose ta prishë atë, atëherë do të jetë vonë, sepse “telekomanda” e demokracisë do të na japë kurdoherë një figurë të deformuar të botës së saj.
Për këto doja të prononcohesha sadopak, sepse për konceptin e Shqipërisë natyrale dhe për lirinë e Kosovës kam disa vjet që kam shkruar dhe mbrojtur këtë tezë dhe nuk përbën ndonjë gjykim të ri për ardhmërinë e tyre.
Refleksione për të gjykuar më lindën edhe nga intervista e Kadaresë dhënë gazetës “Shekulli”, botuar më 5 nëntor 2000. Ajo që më interesonte më tepër ishte çështja që kishte të bënte me Çamërinë, për të cilën Kadarea shprehet: “Ky kujtim i hidhur, në vend që ta shtyjë Greqinë drejt shqyrtimit të ndërgjegjes, nxit shpeshherë të kundërtën”.
Kjo sentencë, e zbërthyer në prova dhe në evenimente historike, është paraqitur edhe në këtë libër, por dora e gjatë e Greqisë është shtrirë deri te Parlamenti Evropian, tashmë për ta kapur “për fyti” të drejtën shqiptare…
Pika e gjashtë e Rezolutës të Parlamentit Evropian: “Nëse nuk përmirësohet siguria e brendshme në vend, duke përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen e pakicave etnike, nuk ka gjasa që të bëhen përmirësime themelore, shoqërore dhe ekonomike”.
Ndërsa Sabri Godo shprehet: “Të drejtat e minoritetit në Shqipëri nuk më duket se janë shkelur diku. Pavarësisht se e mira nuk ka fund, duke gjykuar në bazë të sondazheve të përgjithshme, Shqipëria i ka respektuar të drejtat e minoritetit”. Është me të vërtetë për tu errësuar sytë, kur për minoritarët në përgjithësi, dhe atyre grekë në veçanti, janë dhënë të drejta më tepër se vetë qytetarëve shqiptarë me kombësi e nënshtetësi shekullore. Multietnizmi po na i prish, në fakt, nga privilegjet e fituara, edhe ato përmirësime themelore shoqërore dhe ekonomike që kemi. Mund të sjell prova aq të shumta për atë që jetojmë vetë, por do të ishte e tepërt ti hidhja në letër…
Papandreu dhe Simitis e mbajtën fjalën se paskan “të gjitha mjetet” për të shtrënguar Shqipërinë. Politikanët tanë në vend që të japin përgjigje se grekët të bëjnë të paktën 5% ndaj çamëve e shqiptarëve në shtetin e tyre, aq sa bëhet nga Shqipëria për minoritarët e tyre, i futen analizës ndaj kritikave që, në fakt, i takojnë Greqisë.
Çfarë është kjo: shtrojnë çështjen për Himarën dhe minoritarët në Shqipëri, bind me informacione të rreme miqtë evropianë për ta ngrënë “sapunin për djathë”, duke vrarë kështu me “një gur dy zogj”? E para, na shpik çështjen “Himara” dhe e dyta, mbyll rrugën për të drejtat e popullit shqiptar për Çamërinë.
Të zgjuar e dinakë qerratenjtë e Greqisë! Tamam si padronët me shërbëtorët, gjykon e vepron përsëri Parlamenti Evropian në emër të të drejtave të njeriut.
Prandaj në këtë pikë u ndala për çështjen çame, që të kuptojmë shpikjet greke në çdo pikë, vetëm që të devijohet zgjidhja e saj.
Atë që duhet të bëjmë ne për të drejtat e minoritarëve në Greqi (çamët sjanë të tillë, por edhe në kontekst juridik ata e mohojnë), bëjnë grekët për të tyret në Shqipëri. Kjo të revolton, sepse nuk është ndonjë zgjuarsi e madhe tua heqësh “petët lakrorit”.
Për të qenë më pak euforikë dhe më tepër rezultativë për kombëtarizimin e çështjes çame, ka nevojë të reflektojmë edhe ndaj disa dukurive, të cilat, po nuk i evidentuam, atëherë do të zhgënjehemi me faktin sikur i afrohemi zgjidhjes së saj, po në realitet na e largojnë.
Këto dukuri kanë të bëjnë me disa patriotë të rremë, por të veshur me kostum kombëtar. Që në revistën “Kalendari Kombiar” të vitit 1901 nxirren me emra dhe vepra patriotët e rremë, që hiqeshin sikur luftonin për Shqipërinë dhe, në fakt, bënin punët e turkut dhe të grekut...
Një riciklim i tillë është dhe në vitin 2000, ku çështjen çame e matin vetëm me fjalë dhe me asnjë veprim konkret. Në kohën e enverizmit, këta pseudopatriotë e bënë “lesh e li” çështjen çame edhe në diasporë, duke vepruar si misionarë grekë. (Në librin e ardhshëm do ta faktojmë). Por edhe në periudhën e postdiktaturës e njëjta dukuri është ngjallur. Po kështu edhe diaspora shqiptare, shoqëria “Vatra”, apo shtypi i saj, “Dielli”, kënaqen me çështjen çame vetëm duke u mallëngjyer me disa “leksione” për Çamërinë, të ruajtura që nga koha e diktaturës.
Aq shumë preken nga këto fjalime, të cilat shoqërohen edhe me ndonjë vjershë, saqë kur vjen puna të prekin të vërtetën dhe ta vënë në rrugën e zgjidhjes, nuk bëjnë asgjë, por veçse qahen nga lobi grek.
Kjo është puna e patriotëve të rremë, që kanë vizituar edhe pasanikun Antoni Athanas e deri tek Agim Karagjozi, mjaft personalitete politike a historianë nga Shqipëria mëmë.
Është për të qarë hallin se edhe diaspora shqiptare në SHBA, në krahasim me punën e bërë në fillim të shekullit XX, këtë fillimshekulli të ri (XXI) këmben shkrime nostalgjike dhe jo veprime efektive.
Lobi grek apo çifut për vendin e tyre kanë bërë të kundërtën, nga nostalgjia kanë kaluar në fuqizime diplomatike e juridike në tërë kancelaritë e SHBA e të Evropës.
Ka ardhur koha që diaspora shqiptare ti njohë me vepra patriotët e vërtetë, të mos preken e mallëngjehen nga fjalët e mësuara, por tua bëjnë radiografinë, sepse dalin me “hije” në jetë. Nuk mund të jenë patriotë të vërtetë ata historianë apo shkrimtarë, të cilët janë bashkautorë me librat enveristë të historisë, ku përjashtohej Kosova e Çamëria, sepse janë bashkëfajtorë të ndarjes kombëtare, qoftë edhe konvencionalisht.
Asnjë parti, e djathtë apo e majtë qoftë, çështjen çame nuk mund ta mbajë si peshë e ta zgjidhë veças, pa një platformë të përbashkët mbarëshqiptare.
Greqia, me këtë platformë ka hyrë edhe në shekullin XXI, që të helenizojë çdo gjë mbi Çamërinë dhe çfarëdo parti të vijë në pushtet, do ta respektojë pa hezitim. Këtu ska vend për iluzione.
Duke pasur gjithë këto pengesa, duke u përballur me një Greqi armike për çështjen çame e duke marrë atribute kombëtare, disa patriotë të rremë, për pasojë, çështjen çame do ta zbehin dhe Evropa do tentojë ta arkivojë në emër të demokracisë.
Kështu që zëri i intelektualëve seriozë shqiptarë, në veçanti të atyre çamë, të vlerësohet drejt, jo si çështje partiake, as me ndonjë fjalim elektoral të ndonjë kryetari partie, por duke u marrë seriozisht gjithë potenciali shqiptar institucional, politik, shkencor për të mbështetur rrugën e zgjidhjes.
Veprimet e grekëve për Çamërinë na mësojnë për ta çuar deri në fund pavarësinë e Kosovës. Më të rrezikshmit ishin dhe janë përfituesit në emër të kombit, patriotët e rremë, të cilët kanë bërë dhe po bëjnë sikur e duan Çamërinë, por në fakt hedhin pluhurin e harresës mbi të.
Përvoja e realizmit socialist na mësoi se si u hodh baltë mbi Gjergj Fishtën etj., duke shkatërruar atë që e quanin Shqipëri të vjetër dhe të ndërtonin atë që e quajtën njeriun e ri.
Kur erdhi postdiktatura e viteve 1900-2000, ishin pikërisht këta të mëdhenj të mendimit shqiptar, që po infiltronin veten e tyre nga e kaluara, për të dalë përsëri madhorët e mendimit demokrat.
Ata nuk lejuan tu hedhin “baltë” mbi figurat e tyre, por duke e mbledhur me zell të ri këtë baltë ia hodhën me finokëri Enverit, demiurgut të epokës socialiste në Shqipëri. Tashmë këta intelektualë “të lirë”, madje “disidentë”, u lehtësuan nga barra e bashkëfajtorit, duke u shprehur se të këqijat e atij sistemi ishin pjellë e vetvetes, se po të vepronin ndryshe, do tu ikte koka, por ne e kemi kundërshtuar enverizmin në kohën tonë… dhe nisin e tregojnë disa sajesa qesharake.
Mendimtarët e mëdhenj që, në fakt, ishin iluministët M-L të “Shqipërisë së re”, nuk guxuan të shkruanin dy rreshta për Çamërinë, por prenotuan edhe institucionet shkencore për vitet 90 duke i orientuar tashmë si reformatorë të shoqërisë kapitaliste. Dhe… na çuan këtu ku jemi sot, në fillim të shekullit XXI…
Në veprat e tyre zbulon vlera të së kaluarës dhe antivlera të panjohura më parë, por kush guxon ti mohojë si të tilla? E kaluara për ta është vetvetja, ndërsa e ardhmja do të dyzohet përsëri me madhështinë e tyre.
Absurditete! Madhorë në dy mendime të kohës që përjashtojnë njëri-tjetrin, të komunizmit dhe të kapitalizmit, një mbërthim që e ka bllokuar lirinë e vërtetë intelektuale.
Në shtetet e Lindjes, këta të mëdhenj, bashkudhëtarë të mendimit M-L, e kanë mbaruar misionin e tyre. Vetëm disidentët realë respektohen dhe kanë prerë biletën e hyrjes së konkurrimit me mendimtarët e vërtetë të kohës. Çështë më e keqja, bijtë e tyre, të dërguar në vitet 70 nëpër shkolla perëndimore, kanë prenotuar drejtimin e institucioneve shkencore, dhe, ndonëse përpiqen të çlirohen nga “baballarët” e tyre, për të qenë të lirë, nuk i mohojnë dot veprat e lënduara nga mitra e përgjakur e komunizmit.
Në këtë gjendje, oshilacionet e mendimtarëve të kohës po kërkojnë te vetja një transplantim të kohëve moderne, po unifikohen en block në mbrojtjen e dëmeve që sollën tek e kaluara, po ngushtojnë shtigjet e zbulimit të të vërtetave dhe aty-këtu rehabilitojnë ndonjë mendësi madhore të para viteve 1945, por e bëjnë me dhimbje, duke i shoqëruar me operacione plastike figurat historike të asaj kohe.
Moralitet apo imoralitet, para kodit kombëtar?
Nuk e di, mu shpreh një ditë një mik, për kohën e Enverit, njëri ishte shkrimtar i shquar i realizmit socialist, tjetri kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të partishmërisë proletare, të cilëve u bënim komente letrare nëpër shkolla për heronjtë e komunizmit, për dritën e Partisë, duke na i futur në gjak. Mirë, dakord, me justifikimin e tyre se “na ikte koka”, “ashtu ishte koha”, “jo çdo gjë ishte e keqe, kishte dhe të mirat e saj”, por më shqetëson fakti se këta të “mëdhenjtë e letrave të komunizmit”, sot u bënë të mëdhenj duke sharë atë madhështi të së kaluarës. A thua se nuk janë ata vetë pjella dhe mbjella e djallit që po korrim?
Këta ish-bodigardë propagandistikë të ish-byroistëve komunistë janë bërë sot mbrojtësit e portave të ardhmërisë për të gjithë fëmijët tanë. Si kanë kurajën që i afrohen përsëri popullit, duke u hequr si disidentë, apo me kontribut për rrëzimin e diktaturës?!
Më thotë një shok, ish-ushtarak dhe shkrimtar, Bashkim Kozeli, se ma kishte lexuar emrin te libri i Kadaresë “Ra një mort e u pamë”. Nuk di gjë i thashë, por, pasi e bleva, lexova diçka.
Mu kujtua se kisha dërguar nga SHBA, me një çifute me emrin Miriam, një disketë me 300 faqe të printuara, për tu botuar nga shoqëria “Vatra”, material që fillimisht e kisha botuar te gazeta “55” gjatë muajve shkurt-maj 1999, i cili bënte fjalë për Kosovën që po digjej e vritej, ndërkohë që disa autorë shqiptarë po i hiqnin gjenezën ilire.
Çështë e vërteta, ata ishin kapituj të librit që e kam në proces: “Shoqërizimi i të keqes në Shqipëri”, mbi sllavizmin dhe shqiptarizmin në të cilin argumentoja: “Kosovarët nuk ishin ardhacakë, por autoktonë, ndërsa serbët erdhën në shekullin 6-7 para erës sonë”.
Një nga këta autorë është Fatos Lubonja, i cili në revistën “Ylberi” të Kapllan Resulit pohonte të kundërtën.
Nga njëra anë serbët po bënin largimin me dhunë të kosovarëve, nga ana tjetër ajo shoqërohej me shkrime të dëbimit gjenetik nga vatrat e tyre, që më revoltuan ndaj këtij uniteti antishqiptar dhe vura në dukje vlerat e shqiptarizmit në shekuj. Mirëpo për këtë material, që duhej botuar në atë kohë në median mike të SHBA, nga gazeta “Illyria”, nuk mora vesh asgjë, pa bërë fjalë për ndonjë shpërblim financiar, por të paktën moral, sepse e prisha librin, duke botuar para kohe një pjesë të tij.
Heshta. Por, kur mora vesh se edhe dy librat e tjerë, dërguar pranë shoqërisë “Vatra”, si: “Çamëria denoncon” dhe “Vinçanët”, kaluan dy vjet pa asnjë përgjigje, atëherë kuptova se ishët e mëdhenj nuk kishin dhënë licencën për tu publikuar.
Ndërsa i nderuari Kadare, kur më takoi, më shtrëngoi dorën dhe më përgëzoi me fjalët: “Të lumtë!”. Në fakt, u gëzova shumë, sepse kisha dhënë edhe unë një kontribut modest për të vërtetën e sllavizmit në Kosovë. Si mundet, vijoi miku im, që u bënë promovime vlerësuese, dhe ata autorë “madhorë” të historisë eneveriane heshtin? I thashë se këtu është akoma Shqipëri e realizmit socialist… Nuk je në SHBA që sot je dikush, nesër mund të jesh askush, sepse të japin atë që meriton, pa ta zgjatur shumë me biografinë tënde.
Për të arritur te mendimtarët e kohës sonë, le të ndalemi edhe me profesor Rexhep Qosen, në mënyrë që për këto 100 vjet të kaluara të gjykojmë të qetë në tri dimensionet kohore të saj, për të vendosur masën e drejtësisë edhe në madhështinë e tyre, kur ti referohemi për orientim vlerash.
Koha e rilindësve tanë madhorë, që na ringjallën kombin, koha e Zogut dhe e partisë që përjetuan madhështi në ngritje dhe në dështim të shtetit shqiptar, po kërkon vetveten.
Kadare ka të drejtë që kërkon të bisedojë me lexuesit e tij, me mendimin e ri shqiptar, sepse ata i flasin hapur, pa rezerva dhe paragjykime, jashtë politikës dhe duke menduar së bashku çfarë do të bëjnë për Shqipërinë, për një rilindje të dytë të saj, tashmë moderne, sepse nuk i mungon miku i vërtetë që ti japë dorën në udhën e lodhur të saj - SHBA.
Rexhep Qosja shkruan për Naim Frashërin shumë mirë, sepse për mua është një mendimtar epokal i Shqipërisë. Po sikur të ishte gjallë Naimi, si do ti përgjigjej pyetjes për Çamërinë? Në qoftë se Çamëria nuk e ka ndarë nga kujtesa asnjëherë Kosovën, që nga Hoxha Tahsimi apo Abedin pashë Dino, Musa Demi e deri te mikpritja e vitit 1999, më mirë se kushdo në gjirin e familjes çame, atëherë pse kjo gjë nuk ndodh edhe në Kosovë për Çamërinë?
Deri në vitin 1945, Veiz Sejko shkruante për Çamërinë edhe nga toka kosovare me pseudonime të ndryshme; gazeta “Kosova” rrallë kishte numra të saj pa shkruar për fatin e Çamërisë, ndërsa te profesor Rexhep Qosja gjejmë ndonjë shkrim, sa për të larë gojën, për këtë trevë shqiptare, simotër e Kosovës. Pse?