E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja, ndeshkime prodhuesve ne qendrat e banuara dhe formave te medha

04/04/2011  Deri në 500 mijë lekë gjobë për shkelësit dhe ata që nuk plotësojnë standardet

Ndotja, firmat do të instalojnë aparatura për matjen

Qeveria kërkon masa shtrënguese për firmat ndërtuese, karburantet, furrat e gëlqeres etj.

Parandalimi dhe mbajtja nën kontroll e ndotjes që shkaktohet nga disa kategori veprimtarish industriale në vend, ka detyruar Këshillin e Ministrave të hartojë një projektligj për lejet e mjedisit. Të gjitha subjektet private, që kryejnë aktivitet industrial dhe shkaktojnë ndotje të mjedisit, duhet të kryejnë instalimin e njësisë teknike të palëvizshme që lidhet drejtpërdrejtë apo ka lidhje teknike me veprimtaritë ndotëse të këtij subjekti. Ky instalim do të kryejë procesin e filtrimit të gazrave të ndryshme, në mënyrë që shkarkimet e tyre në ajër të hapur të jenë sa më pak të dëmshme. Me anë të këtij projektligji, synohet të arrihet një nivel më i lartë i mbrojtjes së mjedisit në tërësi, shëndetit të njeriut dhe rritjes së cilësisë së jetës. Me anë të këtij projektligji, qeveria synon të krijojë bazën e nevojshme ligjore për mbrojtjen mjedisit, nëpërmjet vendosjes së një sistemi lejesh mjedisi, që do të jenë të ndara në tri kategori (A, B dhe C). Kjo ndarje është konceptuar në varësi të kapacitetit kufi të prodhimit të tyre, konsumit të sasisë së shkarkimeve në mjedis, që parashikohet të shkaktohet nga funksionimi i veprimtarisë si dhe rrezikshmërisë së ndotësve të mjedisit. Gjithashtu janë parashikuar dhe masat për parandalimin e shkarkimeve të tyre të gazta, të lëngëta e të ngurta në ajër, ujë e tokë.

Lejet e mjedisit

Në projektligj janë parashikuar tri sisteme lejesh mjedisore: të tipeve A, B dhe C. Lejet e mjedisit të tipeve A dhe B do të përgatiten nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe i dërgohen ministrit përkatës për firmosjen e aktit të miratimit. Më pas ato do të lëshohen nga Qendra Kombëtare e Licencimit në përmbushje të dispozitave ligjore të parashikuara në ligj. Ndërsa lejet e mjedisit të tipit C do të miratohen nga agjencitë rajonale të mjedisit dhe do të lëshohen nga QKL-ja. Të gjitha instalimet e kategorive A, B dhe C ekzistuese nuk do të funksionojnë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç rasteve kur kjo lejohet nga leja e mjedisit, sipas tri kategorive, e miratuar në përputhje me kërkesat e parashikuara në këtë projektligj. Ndërsa e njëjta leje mjedisi, e ndarë sipas tipeve, lejon funksionimin e më shumë se një instalimi të të njëjtit operator në të njëjtën vendndodhje.

Impiantet e mëdha me djegie

Për këtë kategori është e nevojshme një kërkesë shtesë për lejen e mjedisit. Ky seksion kërkesash zbatohet për impiantet me djegie, fuqia termike e të cilëve është e barabartë ose më e madhe se 50 ME, pavarësisht nga lloji i karburantit të përdorur për djegie. Gjithashtu, ky seksion kërkesash shtesë zbatohet vetëm për impiantet me djegie të projektuara për prodhimin e energjisë, me përjashtim të atyre që përdorin në mënyrë të drejtpërdrejtë produktet e djegies në procesin e prodhimit.

Kundërvajtjet administrative

- Zhvillimi i veprimtarisë që është subjekt i një leje mjedisi të tipeve A, B dhe C, sipas përcaktimeve të këtij ligji, pa lejen përkatëse të mjedisit, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 milion lekë deri në 2 milionë lekë të reja. Kësaj shume i shtohet dhe 10-përqindëshi i masës së gjobës çdo ditë, deri në plotësimin e detyrimit.

- Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipeve A, B dhe C nga operatori i një instalimi, do dënohet me gjobë në vlerën nga 300 mijë lekë deri në 500 mijë lekë të reja.

- Mosinformimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga operatori, në përputhje me përcaktimin ligjor të parashikuar në projektligj, do dënohet me gjobë nga 1 milion lekë të reja deri në 2 milionë lekë.

Ligji, kontroll për ajrin, ujin, tokën dhe të gjitha ndotjet e tjera

Me anë të projektligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, qeveria qartëson ndarjen e funksioneve politikëbërëse nga ato ekzekutive, me qëllim mirëfunksionimin e autoriteteve kompetente që administrojnë mbrojtjen e mjedisit në vendin tonë. Sipas hartuesve, “ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit në një nivel të lartë, ruajtjen dhe përmirësimin e tij, parandalimin dhe pakësimin e rreziqeve ndaj jetës e shëndetit të njeriut, sigurimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, në dobi të brezave të ardhshëm, si dhe sigurimin e kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”. Objektivat e qeverisë në mbrojtje të mjedisit janë parandalimi, kontrolli dhe ulja e ndotjes së ujit, ajrit, tokës, si dhe ndotjeve të tjera të çdo lloji. Gjithashtu, janë përfshirë përdorimi i matur dhe racional i natyrës dhe i burimeve të saj. Nga ana tjetër, personi fizik apo juridik, veprimet ose mosveprimet e të cilit ndikojnë në ndotjen e mjedisit, mban përgjegjësi financiare, duke përballuar kostot e shkaktuara nga ky dëmtim i mjedisit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›