Kruja pret Miss Shqipërinë
Ka ndryshuar kah destinacioni i "Miss Shqipërisë" këtë vit. Nga Gjirokastra, organizatori i spektaklit të bukurisë "Deliart Association", ka marrë rrugën drejt Veriut për të ndalur në Krujë. Edicioni i 13-të i garës së më të bukurave të trevave shqiptare, këtë vit do të zhvillohet mbi një skenë gjigante, të ngritur në Kalanë e Skënderbeut në Krujë. Janë, si gjithmonë, 31 pretendente për kurorën e bukurisë, të përzgjedhura nga një numër që sivjet i kalonte 450 aplikimet, jo vetëm nga trevat shqiptare – Kosova, Maqedonia e Mali i Zi – por sidomos nga vende të largëta ku jetojnë shqiptarë, Europa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Faza e parë seleksionuese është pasuar me një të dytë, prej së cilës, jo pa vështirësi, organizatorët kanë zgjedhur konkurrentet e këtij viti, të cilat do të prezantohen në një superproduksion, si për nga rëndësia, ashtu edhe për nga kontributi i veçantë që ka dhënë në promovimin e vlerave më të mira të bukurisë femërore dhe po aq të atyre kulturore dhe historike shqiptare. Tek e fundit, sepse ky ka qenë qëllimi i Deliart që në krye të herës: gërshetimi i vlerave historike me ato turistike të Shqipërisë. Kështu këtë vit vendi që do të presë bukuroshet është Kalaja e Skënderbeut. Bëhet fjalë për një vend me histori të jashtëzakonshme, protagonist i së cilës ka qenë një figurë po aq e tillë, Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Në të njëjtën kohë bëhet fjalë për një terren në 560 metra lartësi dhe një sipërfaqe prej 800 metrash katrorë të shtrira në një territor të pjerrët dhe aspak të lehtë për një show të tillë. E vetmja herë kur në këtë kala është organizuar një shfaqje, ka qenë ajo e para viteve '90-të për "Vallen e shqipes", realizuar nga Besim Zekthi. Edhe atëherë, për ngritjen e skenës u desh ndërhyrja e ushtrisë me mjetet e saj të rënda për të realizuar skenografinë e nevojshme për eventin. "Por arti është ndjesi", thotë producenti i spektaklit Petri Bozo. "Është ajo që të udhëheq për të bërë gjëra të mëdha, përndryshe nuk do mundeshim". Pa të nuk do të gjendej as guximi për të ngritur skenën gjigante në atë sheshnajë të vështirë, mbi të cilën të dielën mbrëma do të parakalojnë jo vetëm konkurrentet për kurorën e ‘Miss Shqipërisë’, por edhe shumë të ftuar që Bozo ka parashikuar për eventin. Kështu, me statusin e anëtarit të jurisë, ka mbërritur në Tiranë dhe më pas i është bashkuar turit të vajzave top modeli me origjinë shqiptare, Xhemil Shabani, i njohur në botën e modës si Gemy. Ai është një nga modelet më të paguar në Gjermani dhe aktualisht është i angazhuar me markën e prodhimit të perlave, "Vision of Pearls", me të cilin ka një kontratë deri në vitin 2015. Në skenën e ‘Miss Shqipërisë’ këtë vit do të përformojnë edhe Big Basta, Dr. Flori, Devid Xherahu, Eneda Tarifa etj.