Retro/Histori: 9 korrik 1816 Argjentina e pavarur
Ajo që sot festohet si Pavarësia e Argjentinës u shpall më 9 korrik 1816 nga Kongresi në Tukuman. Në realitet, kongresmenët e mbledhur atje shpallën pavarësinë e Provincave të Bashkuara të Amerikës së Jugut, që ende sot është një nga emrat zyrtarë të Republikës së Argjentinës. Provincat e Ligës Federale në luftë me Provincat e Bashkuara nuk u lejuan të merrnin pjesë në Kongres. Në të njëjtën kohë disa provinca nga Peruja e Epërme, që më vonë do të bëheshin pjesë e Bolivisë së sotme, ishin të përfaqësuara në atë Kongres. Kongresi i inauguruar në qytetin Tukuman përbëhej nga 33 deputetë. Presidenca e Kongresit do të ndërrohej çdo muaj. Pas diskutimesh të shumta e të gjata, deklarata e pavarësisë u shpall më në fund më 9 korrik 1816. Presidenti i Kongresit u zgjodh Francisco Narciso de Laprida, delegat i provincës së San Juan-it. Kongresi e vazhdoi punën në Buenos-Ajres në vitin 1817, por u shpërnda në vitin 1820 pas betejës së Cepeda-s, e cila i thelloi ndryshimet mes Partisë Unitariste, e cila favorizonte një qeveri qendrore të fortë dhe Federalëve, që favorizonin një qeveri të dobët.