E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mohimi i mohimit sjell pohim?!

A ishin zgjedhjet në Kashar një test paraelektoral? Apo thjesht një tregues i mbështetjes së partive politike në këtë moment rutine politike? Apo një hiç-ngjarje pa kurrfarë rëndësie politike? Përgjigja pozitive ndaj pyetjes së parë erdhi më shumë vetiu sesa e artikuluar nga faktorët e mazhorancës si fituese e renditur në këto zgjedhje të pjesshme. Përveç ndonjë deklarate rastësore të drejtuesve të PD-së, zhurma mbi rezultatin surprizë nisur nga vendi i dytë e poshtë, erdhi kryesisht nga të majtët. Kjo do të thotë se për të djathtën ky test vlen vetëm për të parë mbështetjen elektorale një vit para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Ndërsa pyetja e tretë, nëse këto zgjedhje ishin një hiç-ngjarje, e ndërlikoi më shumë debatin publik që vazhdon në disa media të shkruara. Jo sepse kjo pyetje është konfirmuar, por përkundrazi, sepse ushtria e ndihmësve të kryetarit të PS-së është investuar aq shumë për ta zhvlerësuar rezultatin e këtij procesi lokal, saqë po i mbush mendjen publikut me zor se pyetja e parë ka qenë ajo më me vend.

Nga të tre variablat në formë pyetjeje, ai që merr rëndësinë më të madhe është pikërisht i pari, për disa arsye që lidhen me rezultatin dhe rreshtimin e kandidatëve pas numërimit të votave. Arsyeja e parë që na çon logjikisht tek konfirmimi se ky ishte një test paraelektoral, ka të bëjë me faktin se PS-ja i ka humbur të tëra minitestet e zgjedhjeve të pjesshme që pas ardhjes së Ramës në krye të partisë. Dhe nëse rastet janë të vijueshme, atëherë përballemi me tendencë dhe jo një ngjarje të izoluar. Së dyti, prej muajsh rivaliteti mes Ramës dhe Metës ka filluar të marrë trajtat e duelit ose përplasjes “kokë më kokë”. Në këtë moment të marrëdhënieve brenda së majtës, renditja e kandidatit të PS-së në vend të katërt përbën një ngjarje të rëndë për një parti që synon të marrë pushtetin. Një ngjarje aq të rëndë, saqë një kandidat i pavarur pa një të shkuar në krye të komunës dhe me një buxhet modest arrin të rreshtohet në vend të tretë duke e shtyrë PS-në drejt një rezultati alla PAD apo PDS. Së treti, duke qenë se këto lloj zgjedhjesh përveçse shërbejnë si teste politike, pra për mënyrën se si perceptohet një parti politike, mbartin mbi vete një provë tejet të rëndësishme. Atë organizative, që i jep mundësinë perceptimit politik që të ekonomizohet me administrimin përkatës të votave. Dhe nga kjo pikëpamje, kuptohet lehtë se PS-ja është në hall të madh. Ajo që për këtë parti ka qenë pika e fortë, tashmë është shndërruar në dobësinë më të madhe. “Ushtria e kuqe” është shthurur duke gjetur lloj-lloj arsyesh për humbjen. Nervozizmi për këtë shkak “lexohej” tek deklaratat autoironike e të pavenda të njerëzve të afërt të njeriut të akuzuar si “një pallat, një votë”, duke e adresuar këtë njollë tek mazhoranca. Rezultati i zgjedhjeve në Kashar ka zbuluar dhe një handikap akoma më serioz që të shtyn drejt dyshimeve tejet të mëdha mbi menaxhimin “ndryshe” të politikës nga kryetari i PS-së. Politika e re e tij që ka marrë titullin e “Dialogut me fshatin”, është testuar si në çdo eksperiment me një kampion tipik. Një komunë ku një pjesë e madhe e popullsisë përjeton eksperiencën rurale shqiptare. Dhe rezultati i eksperimentit ishte një dështim spektakolar. Dialogu i Ramës rezultoi një monolog pa fillim e fund, një komunikim ku folësi dhe dëgjuesit nuk kanë komunikuar. Ata nuk janë marrë vesh hiç, pra muajt e harxhuar në një tur disamujor bisedash të tipit “futja kot”.

Të katra këto arsye qëndrojnë jo vetëm prej vetvetes, por mbi të gjitha sepse vërtetohen prej së pestës, e cila është e karakterit psikologjik, sepse pas sjelljes qëndrojnë gjithnjë arsye, apo e thënë ndryshe, taktika politike dhe arsyeja themelore dhe e pestë që vërteton se Rama e ka marrë këtë humbje si test elektoral, ka të bëjë me intensitetin e shkrimeve në gazeta të “entourage” të tij. Nuk ka ditë që në gazeta të rëndësishme mos të ketë nga një apo dy shkrime të Islamit, Tahirit e shumë të tjerëve me tituj të tipit “Politika e re nuk ka të bëjë me Kasharin”. Kjo fushatë agresive e komunikimit me publikun, pavarësisht se ndër rreshta shpreh indiferencë ndaj zgjedhjeve të pjesshme të Kasharit, tregon vëmendjen shumë të madhe që vetë Rama po i kushton kësaj humbjeje. Ky mohim i humbjes po e shtyn publikun ta marrë seriozisht rezultatin e këtyre zgjedhjeve, pasi intuita në këto raste vlen shumë më shumë se manipulimi mediatik. Efekti “boomerang” ka nxjerrë zbuluar pasigurinë e lidershipit të PS-së se mos zgjedhjet e ardhshme mund të jenë një “Kashar i madh”. Dhe jo pa të drejtë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›