E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e zyrtarëve, Prokuroria nën akuzë



BLEDAR HOTI

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se përdor standarde të dyfishta në nxjerrjen para drejtësisë të zyrtarëve që fshehin pasuritë. Pas Kontrollit të Lartë të Shtetit, akuza e rëndë erdhi dje sërish nga një tjetër institucion i pavarur ndaj organit të akuzës, për mosveprim në ndëshkimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. "Jo të gjitha rastet në prokurori kanë pasur të njëjtin përfundim. Na shqetëson mbajtja e standardeve të dyfishta nga ana e prokurorisë. Kur bëhet fjalë për zyrtarë lokalë ose të niveleve të ulëta, hetimet për ta përfundojnë në kohë rekord, pasi tek ne provat janë bindëse dhe nuk ka nevojë për hetime të mëtejshme. Kur bëhet fjalë për zyrtare të niveleve më të larta, çështjet zvarriten dhe kanë të njëjtin përfundim, pushohen", u shpreh kryeinspektori Lalla. Sipas kreut të ILDKP-së: "Janë informuar eprorët, Presidenti, Prokuroria e Përgjithshme, Kuvendi, por nuk kemi asnjë reagim prej tyre". Një prokuror, një ambasador dhe një i zgjedhur në KKRT nga Kuvendi kanë qenë persona që prokuroria i ka pushuar çështjet penale, të akuzuar ILDKP-ja për abuzime në shifra nga 300 mijë deri në 800 mijë euro dhe që i kanë shpëtuar hetimit. Pyetjes së deputetit Halimi për personat që kishin konflikt me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, Llalla u shpreh: "është konstatuar konflikti i interesave në mbledhjen e KKRT së Bashkisë së Tiranës, lidhur me pjesëmarrjen e dy anëtarëve të KKRT së saj, Alban Eftimi dhe Arben Biçoku, në vendimmarrjen në mbledhjen e datës 22.03.2009 dhe në mbledhjen e datës 17.04.2009 dhe vendosën ndaj tyre masa administrative, dënim me gjobë për shkelje të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Ato leje e ndërtimit u pezulluan, por ende dhe sot e kësaj dite ata dy zyrtarë vazhdojnë punën e tyre në bashki". Llalla ndërkohë, pyetjes së deputetit Bumçi për marrjen e borxheve nga zyrtarët dhe të paverifikuara, iu përgjigj se, janë rreth 100 subjekte që kanë marrë hua në rrugë informale për bizneset e tyre, ka dyshime, por që nuk vërtetohen ende nga ana e ILDKP-së. Gjatë seancës së pyetjeve, deputetët e maxhorancës kërkuan nga inspektoriati të hetojë edhe pasuritë e njerëzve të drejtësisë, gjyqtareve dhe prokuroreve, edhe pse sipas kryeinspektorit, Adriatik Llalla, për 2009-ën nuk ka kërkesë nga KLD-ja për kontrollin e pasurisë së 365 gjyqtarëve të vendit. Ndërsa për këtë vit, ILDKP-ja në bazë të ligjit do të hetojë të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, duke nisur nga presidenti, kryeministri dhe deputetët e Kuvendit. "Kuvendi kërkon që për vitin 2010, ILDKP-ja të informojë publikisht apo drejtpërdrejt Kuvendin për rastet kur autoritetet përgjegjëse, gjegjësisht Pro-kuroria e Republikës neglizhojnë apo kapin rezultate të ulëta në ndjekjen dhe ndëshkimin e konfliktit të interesit apo fshehjes së pasurisë së zbuluar prej tij", thuhet në pikën 5 të rezolutës.

Shifrat

• Deklarata të dorëzuara nga subjektet e ligjit, 4964 zyrtarë
• Kontroll i plotë, 335 subjekte
• Konflikt interesi, të dyshuar 148 nga ILDKP-ja dhe 122 nga burime të tjera
• Raste konflikti të zgjidhura 8 nga 84 të hetuara nga totali prej 148 rasteve. Parandaluar, 122 raste
• Kallëzime penale, 16 zyrtarë
• Gjoba, 37 zyrtarë
• Pushim ndjekje penale, 3 zyrtarë

Prokuroria: Gjykata na dha të drejtë ne, jo ILKDP
Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar në lidhje me akuzat e lëshuara nga ana e ILDKP-së për pezullimin e kallëzimeve penale. "Prokuroria gjatë vitit 2009, për kallëzimet e paraqitura nga ILDKP, ka pushuar hetimet për shtetasin Florian Nova me detyrë ambasador, shtetasin Arjan Ndoja me detyrë prokuror dhe shtetasin Shpëtim Guxholli me detyrë inspektor tatimesh në Korçë. ILDKP është njohur rast pas rasti me vendimet e pushimit dhe i ka ankimuar në gjykatë vendimet vetëm për shtetasit Florian Nova dhe Arjan Ndoja. Gjykata e Tiranës me vendimet Nr.1466 datë 25.11.2009 dhe Nr.523 datë 22.04.2009 ka lënë në fuqi vendimet e pushimit të prokurorisë si të bazuara në prova dhe ligj. Fakti që vendimet e pushimit të prokurorisë të ankimuara nga ILDKP janë konsideruar të drejta nga gjykata, tregon se vendimmarrja e prokurorisë nuk ka qenë me standarde të dyfishta, por e bazuar në ligj". Ndërsa më tej theksohet se "zyrtari i lartë i emëruar nga Kuvendi, për të cilin ILDKP pretendon se janë mbyllur hetimet pa të drejtë nga prokuroria, është shtetasi Detar Hysi, me detyrë anëtar i KKRTSH. Ky është një rast i vitit 2008, i kallëzuar nga ILDKP për refuzim deklarimi nga shtetasi Detar Hysi. Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve për faktin se ILDKP nuk kishte ezauruar më parë masën administrative që kërkon neni 257/a, paragrafi i 2 i Kodit Penal". ILDKP-ja ka reaguar menjëherë pas këtij qëndrimi të prokurorisë se, çështjet janë pushuar nga gjykata. "çështjet janë ende në proces në organet e drejtësisë dhe akoma nuk është marrë një vendim i formës së prerë", deklaron zëdhënësi i ILDKP-së, Albi Serani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›