Krujë, i sëmuri mendor pret damarët dhe hidhet në pus
Dy tentativa vetëvrasjesh janë shënuar brenda 24 orëve në Krujë dhe në Elbasan. Një 47-vjeçar i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga lartësia në Elbasan, ndërsa një i ri nga fshati Derven i Krujës ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë nën kujdesin e mjekëve, pasi ka prerë damarët e duarve dhe më pas është hedhur në pus. 29-vjeçari Altin.L ndodhet në gjendje të rëndë për jetën pas hemorragjisë së shkaktuar nga prerja e damarëve. Nga deklarimet e marra nga familjarët e tij rezulton se 29-vjeçari ka prerë damarët e dorës së djathtë dhe pastaj është hedhur në pusin e ujit të shtëpisë, duke tentuar të vetëvritet. Familjarët deklarojnë se Altini është i sëmurë mendor dhe kurohet prej dy vjetësh pranë spitalit nr.5 të Tiranës. Ndërkohë kanë mbetur enigmë arsyet që e kanë çuar një 47-vjeçar nga fshati Klos i Elbasanit t‘i japë fund jetës rreth orës 10:30 të së dielës në lagjen "Qemal Stafa". Burime të policisë bëjnë të ditur se 47-vjeçari Rrapush Vishkulli është hedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim dhe ka humbur jetën. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Vishkulli kishte qëndruar një natë në Elbasan, te të afërmit dhe në mëngjes ka kryer vetëvrasjen. Policia është duke hetuar për shkaqet e ngjarjes, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e një vrasjeje.