E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet në Trieste një traget me pasagjerë shqiptarë

Pasagjerët e një trageti që ishte nisur nga Durrësi për në Trieste, janë bllokuar dje në mbrëmje në portin italian, pasi dyshohet se një prej tyre ishte bartës i virusit të gripit të derrit. Lajmi u bë i ditur rreth orës 21:00 të ditës së djeshme, kur njëri nga pasagjerët u ankua në një televizion të Tiranës. Sipas pasagjerit, autoritetet e Portit të Triestes kishin bllokuar zbarkimin e njerëzve që nga ora 18:00 e mbrëmjes së djeshme, pasi kishin marrë sinjalin se një i moshuar që udhëtonte në këtë traget kishte simptomat e sëmundjes së rrezikshme. Pasagjerët, pjesa dërrmuese e të cilëve janë shtetas shqiptarë, kanë parë një të moshuar të zbritej nga trageti me barelë dhe vetëm pas disa orësh në pritje janë njoftuar se nuk do të lejoheshin të zbrisnin në tokë deri sa autoritetet të siguroheshin se nuk kishin virusin e gripit AH1N1. Pasagjerët kanë mbetur të bllokuar deri pas mesnate, duke protestuar dhe duke kërkuar të paktën krijimin e kushteve për qëndrimin e gjatë në traget.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›