E Diel, 1 Nëntor 2026

“Krushqit” kap 19 klandestinë, arrestohen 3 organizatorët

25/01/2009  Emigrantët nga Lushnja dhe Berati, mes tyre 6 të mitur dhe 8 gra. Paguan deri në 2000 euro

KOLONJË- Policia e Kolonjës në bashkëpunim me seksionin e luftës kundër trafiqeve ka mundur të kapë një grup të madh klandestinësh prej 19 vetash, të përbërë nga 6 të mitur, 8 femra dhe 5 meshkuj, duke arrestuar në flagrancë tre organizatorët e këtij trafiku: T. Malon, 56 vjeç, birin e tij H. Malon, 23 vjeç, dhe A. Lifon, 26 vjeç, që të tre banorë të qytetit të Ersekës. Mësohet se 19 emigrantët e kapur vinin nga rrethet Lushnjë dhe Berat. Ata do të kalonin kufirin shqiptar me destinacion shtetin grek kundrejt një pagese prej 1500-2500 euro për person.

“Krushqit”

Sipas policisë, arrestimi u krye më 24.01.2009 rreth orës 10:10, në kuadër të operacionit të koduar “Krushqit”, i cili u realizua në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga seksioni i luftës kundër trafiqeve të paligjshme pranë drejtorisë së policisë së Qarkut të Korçës në bashkëpunim me drejtorinë rajonale për kufirin dhe emigracionin në Korçë. Nga të njëjtat burime mësohet se gjithçka ishte bërë e mundur në saje të informacioneve që kishte marrë policia në rrugë operative. Nga të dhënat është mësuar se më 23.01.2009, rreth orës 20:45 minuta, në rrugën nacionale Korçë–Ersekë, në afërsi të fshatit Mollas të rrethit Kolonjë, ishte kapur fugoni taksi me targë ER 005 A i drejtuar nga shtetasi T. Malo, në të cilin po udhëtonin si pasagjerë 19 persona të ardhur nga rrethet Lushnjë dhe Beratit. Informacionet saktësonin se në përbërje të këtij grupi ishin 6 të mitur, 8 femra dhe 5 meshkuj. Nga hetimet e mëtejshme ka rezultuar se grupi prej 19 vetash synonte të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, me destinacion Greqinë. Sipas skenarit të vetë organizatorëve, ata do të kalonin kufirin në zonën e Leskovikut, ku tre të arrestuarit merrnin përsipër kalimin pa probleme të kufirit kundrejt pagesës nga 1500 deri në 2500 euro për person.

Klandestinët

Mësohet se pasagjerët që po udhëtonin në drejtim të Ersekës dhe më pas në qytetin e Leskovikut, ishin gjetur nga shtetasi A. Lifo, 26 vjeç, i cili, duke shfrytëzuar lidhjet me bashkëqytetarin e tij H. Malo, 23 vjeç, kishin rënë dakord t’i transportonin drejt Kolonjës dhe më pas në shtetin grek. Kjo marrëveshje duket se ka qenë e domosdoshme, pasi H. Malo punonte si fatorino në furgonin-taksi të të atit, T. Male, 56 vjeç. Pra, u kërkohej që të vinin në dispozicion të emigrantëve furgonin e 56-vjeçarit, me qëllim për të realizuar misionin e tyre që kishin marrë përsipër. Skenari i tyre ka përfunduar fill pas mbërritjes në fshatin Mollas të Kolonjës, ku janë kapur nga policia. Tashmë të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›