E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarifat portuale, përplasje mes PS-së dhe portit të Durrësit

25/01/2009  Socialistët pretendojnë se janë rritur, autoritet e portit e kundërshtojnë

DURRES- Tarifat e reja portuale për operatorë e udhëtarë që përpunohen në portin e Durrësit kanë shkaktuar reagimet politike. Partia Socialiste e Durrësit është shprehur se tarifat e reja portuale rëndojnë mbi biznesin e qytetarët dhe sjellin përfitime për një grup individësh si dhe vetë Kryeministrin e vendit Sali Berisha. Kryetari i PS-së në Durrës Gazmir Bizhga, nisur nga informacionet shkresore si dhe konsultat me specialistë të subjektit të tij politik, e ka cilësuar ndryshimin e tarifave dhe rritjen në disa herë të tyre krahasuar me vite më parë si një veprim abuziv. Sipas tyre, tarifa e imbarkimit për person në Bari e Ankona është 2 euro, kurse me tarifat e reja 6 euro. Më tej është thënë se një anije për një hyrje-dalje nga 599.4 euro do të paguajë 2125.7 euro. Bizhga ka vijuar më tej me rritjen e tarifave të shërbimit të rritura deri në 268 për qind të disa zërave, vendosjen e tarifave të reja, mosklasifikimin e duhur të taksave për ngarkesat e rënda etj. Ndërkohë ai ka thënë se për shkak të tarifave të reja të larta anijet kanë shmangur Durrësin dhe kanë zgjedhur Igumenicën e Selanikun.

Por ka reaguar menjëherë drejtori i portit të Durrësit Eduart Ndreu. Ai ka bërë të qartë fillimisht se të gjitha tarifat e portit janë përgatitur nga një kompani e huaj, që monitoron edhe portin më të madh në Evropë: portin e Hamburgut. “Tarifat janë përgatitur nga “Hamburg Port Consulting” dhe ato janë diskutuar një vit më parë, në janar 2008, për 10 ditë me të gjithë aktorët dhe operatorët që veprojnë apo që janë të lidhur me portin”, - ka thënë Ndreu. Ai ka shkuar më tej, duke pohuar se “Bizhga ka nivel të ulët inteligjence, pasi ka rënë viktimë e radhës e personave që nuk kanë mundur të përballojnë ngarkesën e punës në administratën portuale”. Drejtori i APD sh.a ka pranuar se tarifat kanë ndryshuar: një pjesë janë rritur, të tjera janë ulur apo edhe janë vendosur për herë të parë. Prej një viti porti ofron shërbimin me trajler si dhe siguri portuale që në janar 2007. Nga ana tjetër, Ndreu ka theksuar se tarifa e kanalit për të cilën pretendohet se është rritur ndjeshëm është ulur. Për sa i përket akuzës lidhur me ndryshimin e destinacionit të anijeve të transportit për shkak të tarifave të larta, që i janë drejtuar Igumenicës dhe Selanikut, Ndreu ka deklaruar se porti i Durrësit është ndër portet më atraktiv në të gjithë rajonin, që thith një fluks shumë të lartë të mallrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›