Privatizimet, fillon procesi
nertila maho
Procesi i privatizimit për asetet publike me përjashtim të digave, shkollave dhe spitaleve ka filluar intensivisht. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti në një konferencë për shtyp bëri të ditur se pranë kësaj ministrie është ngritur një grup pune me më shumë se 100 persona që do të punojnë për këtë proces. "Në grup nuk ka vetëm punonjës të ministrisë por edhe të jashtëm si ekspertë kontabël që do të merren me vlerësimin e pronave dhe mbështetjes së gjithë procedurës së privatizimit" tha Prifti. Paralelisht me këtë, kreu i Ekonomisë informoi se në gjithë ministritë e linjës po punohet që të mblidhet informacioni për të gjitha pronat, asetet, ndërmarrjet që do të privatizohen. "Këtë proces e kemi filluar duke mobilizuar Drejtorinë e Privatizimit në Ministri, por edhe të gjithë Qeverinë. është ngritur një grup i posaçëm pune me drejtimin e Kryeministrit dhe gjithashtu është përpunuar një urdhër për gjithë ministritë e linjës për të grumbulluar gjithë informacionin" u shpreh ministri. Në këtë pikë duket se më e shpejta ka qenë Ministria e Mbrojtjes e cila vetëm disa ditë më parë ka dorëzuar pranë Ministrisë së Ekonomisë listën me 450 reparte ushtarake të cilat do të futen në procesin e privatizimit. Ministri Prifti theksoi se do të ishte mirë që në proces të përfshiheshin kryesisht investitorët shqiptarë duke e vlerësuar këtë si një mundësi mjaft të mirë për të investuar.
"Do t'ju bëj thirrje të gjithë atyre që kanë dëshirë të përfshihen në procesin e blerjes që të njihen me të gjitha këto pasuri e asete që do jenë në proces privatizimi. Mbi të gjitha ne do të na interesonte t'i blinin shqiptarët dhe më pas investitorët e huaj" tha Prifti duke inkurajuar biznesin vendas që të shfrytëzojë këtë mundësi të re që do i jepet. Ndërkohë mësohet se direktiva është për të privatizuar pothuajse çdo gjë me përjashtim të hidrocentraleve të kasakdës së Drinit që nuk do jenë në proces, shëndetësisë dhe arsimit. çdo gjë tjetër që është pronë e shtetit shqiptar qoftë në mazhorancë apo miniorancë, ndërmarrje shtetërore, asete dhe prona kudo në vend do të jenë pjesë e procesit. Kjo sipas ministrit do të krijojë mundësinë që shteti dhe Qeveria të zvogëlohet dhe të shpenzojë më pak, por gjithashtu do të ketë edhe një kontribut më të madh. "Ne parashikojmë që këtë vit rreth 100 milion euro do t'i shkojnë buxhetit të shtetit nga procesi i privatizimit" tha Prifti. Aktualisht siç edhe informoi ministri, ka filluar procesi i privatizimit për pjesën e mbetur të Albtelekomit, po punohet për privatizimin e pjesës së mbetur të ARMO-s, ka filluar procesi i përzgjedhjes së konsulentit ndërkombëtar për privatizimin e Albpetrolit dhe është ngritur një grup i posaçëm pune ndërministror për privatizimin e INSIG-ut.