Kruyeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e përfshirjes së Beratit në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremonitë e organizuara në qytetin e Beratit me rastin e përfshirjes së këtij qyteti në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.
Fillimisht Kryeministri Berisha së bashku me Zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Znj. Fransua Riviere të shoqëruar edhe nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango përuruan Pllakën e Regjistrimit të Beratit në UNESCO.
Kryeministri Berisha e konsideroi këtë ditë të shënuar dhe historike jo vetëm për Beratin, por për mbarë Shqipërinë duke nënvizuar se kjo ditë e vendos Beratin si diamant në kurorën e trashëgimisë kulturore botërore. Duke përgëzuar qytetarët e Beratit, Kryeministri Berisha u shpreh se ky qytet dhe qytetarët e tij e bëjnë të ndihet krenar kudo dhe kurdoherë.
Më pas Kryeministri Berisha dhe znj. Riviere vizituan Galerinë e Arteve “Eduard Lear” dhe ekspozitën me temë “Berati në penelin e artistëve”, ku janë të ekspozuara 108 punime të piktorëve beratas.
Gjithashtu Kryeministri Berisha dhe znj. Riviere vizituan panairin artizanal në ambjentet e Muzeut Etnografik, ku vlerësuan se trashëgimnia e këtij qyteti tashmë i përket jo vetëm Shqipërisë, por edhe pasurisë kulturore botërore.
Kryeministri u shpreh se qeveria do të vazhdojë mbështetjen e zhvillimit të qytetit të Beratit dhe në këtë kontekst u kërkoi autoriteteve lokale hartimin e projektit të bulevardit të qytetit, për të cilin siguroi se qeveria do ta mbështesë atë sikurse theksoi se njëkohësisht do të përfundojë dhe fizibiliteti i rrugës së Bogovës.
Përfshirja e Beratit në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s u miratua më 8 korrik 2008, nga Komiteti i Trashëgimisë Kulturore.
Fjala e plotë e Kryeminitrit Berisha
21 tetori është dhe do të mbetet një ditë historike për këtë qytet të bekuar, për qytetarët e tij të mrekullueshëm, por edhe për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, më datë 21 tetor ne vendosëm Beratin në kurorën e margaritarëve të trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Zoti e bekoftë Beratin!
Faleminderit shumë UNESCO-s. Kjo përbën një arritje të madhe, ndaj dua të falënderoj nderoj të gjithë ata, të cilët me dashuri dhe përkushtim bën të mundur këtë arritje të madhe, bën të mundur që ky qytet rreth 2500 vjeçar të hapë sot një kapitull të ri në historinë dhe të ardhmen e tij, të rreshtohet në monumentet më të arrira të shoqërisë njerëzore.
Një falënderim të veçantë dua t’i bëj ekipit të studiuesve, historianëve, restauratorëve vendas dhe të tuaj, Prof. Emin Rizës dhe shumë profesorëve të tjerë. Janë këta njerëz të mençur, këta studiues dhe shkencëtarë që përgatitën dosjen në mënyrën më serioze dhe e bënë atë të përzgjedhshme nga mbarë komuniteti botëror. Një falënderim dua t’i bëj dhe ambasadores tonë në UNESCO, e cila ka përmbushur me përgjegjësi të madhe, me përkushtim dhe me dashuri këtë mision..
Por, sot falënderimi më i madh u takon burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave të Beratit, të cilët i dhuruan këtë qytet trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Një falënderim i veçantë u takon beratasve të të gjitha kohërave që me gjeninë e tyre krijuese, me shpirtin dhe me dashurinë e tyre bënë që qyteti të mbijetojë jo me shekuj, por me mijëvjeçarë. Ata bënë që qyteti, në shekuj dhe mijëvjeçarë, të rrisë vlerat e tij, t’i konservojë ato dhe t’i përcjellë nga brezi në brez. Sot, këto vlera i kalojnë mbarë njerëzimit. Por, pa veprën e qytetarëve të Beratit, pa gjeninë krijuese, pa dashurinë e tyre të pakufishme për këtë qytet asgjë nuk do të ishte e mundur sot.
Qytetit është një larmi vlerash mahnitëse në çdo pjesë të tij. Të vizitosh kalanë sheh aty jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e kombit tonë. Një nga shkollat më të njohura të ikonografisë evropiane dhe botërore u krijua dhe zhvilloi aty historinë. Por, kalaja nuk simbolizon vetëm qëndresën dhe përpjekjet e beratasve dhe shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre, por ajo simbolizon më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin bardhë dhe shpirtin e madh të beratasve dhe shqiptarëve. Ka shumë gjëra të çmuara në kala, por njëra prej tyre është e vogël dhe e çmuar sa gjithë të tjerat. Ikona me të cilën artisti i beratit shekuj më parë ka pikturuar kishën, katedralen dhe xhaminë me minaren e saj. Foton e kësaj ikone unë e paraqita e paraqita si kryefjalën time para kryetarëve të shteteve dhe qeverive në Samitin për Bashkimin për Mesdheun. Ajo ikonë dëshmonte se ç’ka qenë dhe ç’mund të bëhet Mesdheu dhe ky shembull vinte nga Shqipëria, nga Berati.
Mangalemi i dha qytetit emrin me arkitekturën e tij mahnitëse, me dritaret që vendosen mbi njëra tjetrën, dëshmi e vlerave të përsosura njerëzore. E tëra në të bardhë. Qyteti i bardhë është quajtur sepse në të gjitha kohërat ka ruajtur ngjyrën tonë. E bardha është ngjyra e shpirtit të shqiptarëve, është ngjyra me të cilën ata janë dalluar nga të gjithë të tjerët në identitin e tyre.
Gorica, një kopje e Mangalemit në bregun tjetër, njësoj sikur të ishte reflektimi në pasqyrë në shpatin tjetër të malit. Qendra historike të Beratit është dëshmi e një qyteti të fuqishëm me një rrezatim të madh jo vetëm në jugun e vendit, por në mbarë rajonin.
Zoti kryetar i Bashkisë, ju thatë se ky moment historik shton shumë përgjegjësitë për ju, por shton njëkohësisht dhe përgjegjësitë e mia para qytetarëve të Beratit. Le të marrim një përgjegjësi shumë më të madhe sesa për Beratin dhe për Shqipërinë, të marrim përgjegjësi përpara njerëzimit që Beratin ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë në të gjitha aspektet, në traditën e tij më të shkëlqyer. Por, aq sa e madhe është përgjegjësia, aq të mëdha janë dhe mundësitë tona. Unë ju garantoj ju zoti kryetar i Bashkisë se qeveria që unë kryesoj do të shumëfishojë fondet dhe financimet për këtë qytet. Kërkoj nga ju të bashkëpunoni me studiot më të mira vendase dhe të huaja në mënyrë që qytetin ta zhvillojmë në harmoni të plotë. Një seri projektesh janë, projekte të tjera i mirëpresim dhe qyteti do të njohë zhvillime shumë të mëdha.
Unë dua të siguroj qytetarët e Beratit se boshti i jugut do të bëhet realitet. Unë jam njeri që persistoj në ato që besoj. Kam ardhur këtu 12 vjet më parë me ish presidentin e Bankës Botërore z. James Wolfsohn, një mik i çmuar i Shqipërisë dhe i kam premtuar qytetarëve të Beratit se më këtë mik dhe me të tjerë do të bëjmë çdo përpjekje që Berati të fitojë dhe të shpallet pasuri kulturore e njerëzimit. Pas 12 vitesh, ky premtim sot është realitet.
Kam premtuar boshtin e jugut dhe do ta bëjmë realitet sepse ai është një bosht jetik jo vetëm për beratin, por për të gjithë jugun e Shqipërisë. Ai së bashku me autostradën Kardhiq- Delvinë, afron me më shumë se 100 km Sarandën me Tiranën dhe i jep Beratit të gjitha fuqitë që ai ka pasur.
Berati nuk ka qenë ndonjëherë pa akse kryesore, pavarësisht se sot kanë ndryshuar mjetet. Ndërkohë me ndryshimin e mjeteve ne do të ndryshojmë dhe aksin, duke e bërë Beratin një nga qendrat më të fuqishme të zhvillimit të këtij rajoni.
Por, sado që të bëjmë ne për Beratin nuk do të arrimë kurrë të bëjmë atë që keni bërë ju qytetarë të mrekullueshëm të Beratit. Vlerat e mëdha, më të shquara dhe më fisnike të këtij qyteti, jeni ju, të nderuar qytetarë, me shpirtin tuaj punëtore dhe tolerant, me vizionin tuaj për të sotmen dhe të ardhmen e këtij qyteti të mrekullueshëm. Edhe një herë ju uroj gëzuar dhe ju shpreh kënaqësinë time më të madhe, ndaj gëzimin tim me ju për këtë ditë të bekuar.
Faleminderit!”
...