E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP, studim i ri mbi duhanpirjen

Autori i Lajmit: red.
Instituti i Shëndetit Publik do të ndërmarrë së shpejti një studim mbi duhanpirjen në vend. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, tha dje për mediat se ISHP ka filluar fazën përgatitore të një studimi mbi demografinë e shëndetit, i cili pritet të nisë nga fundi i këtij muaji apo fillimi i muajit tjetër. "Studimi do të shohë gjendjen shëndetësore, faktorët e rriskut, çështjet e lidhura me shkaqet, diferencat shoqërore, etj, dhe midis tyre ka disa pyetje, të cilat do të na bëjnë më të qartë se ç po ndodh me duhanpirësit", - tha zoti Ylli. Për sa i përket raportit midis femrave dhe meshkujve duhanpirës, drejtori i ISHP-së tha se në Shqipëri janë meshkujt që dominojnë, ndërsa në Perëndim raporti është i barabartë. "Ka një kurbë të epidemisë së duhanpirjes kudo në botë, që fillon zakonisht të rritet tek meshkujt, duke arritur në 50-60 % e tyre pijnë duhan",- tha Ylli, sipas të cilit, duhanpirja fillon me meshkujt më të pasur, më të kulturuar dhe përfundon me meshkujt me nivelin më të ulët. Ndërsa, femrat fillojnë ta pinë më vonë dhe janë më të pakta në numër. Sipas tij, në Shqipëri duhanpirja është në fazën e parë të epidemisë dhe numrin më të lartë e zënë meshkujt, rreth 50 % e tyre.
Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›