Kryebashkiaku Bici: Luftëtarin e presim me lule
Kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, ka deklaruar dje se qyteti i tij dhe sportdashësit gramshiotë do ti presin miqtë gjirokastritë me lule. Sipas tij, ky është mesazhi që futbolli i sotëm duhet të përçojë te të gjithë të interesuarit. Me Luftëtarin konsiderohet kryendeshja e fazës së parë për Gramshin, ndaj dhe pritësit kanë rezervuar një ndeshje model. ”Drejtuesit e skuadrës po marrin masa për ti nderuar kryesuesit e kategorisë së parë. E kam ftuar tifozërinë, që miqtë ti presim me lule.
Dëshiroj që kjo ndeshje të mbartë emocione dhe rivalitet, pasi të gjithë në Gramsh janë të ‘etur” të shohin një lojë vërtet korrekte. Nga informacioni që kam nga stafi teknik, Gramshi do të synojë që përmes lojës dhe kualitetit që disponon, të marrë pikë. Shpresoj që të gjithë protagonistët të respektojnë etikën dhe rregulloren e futbollit, – është shprehur për Sportin shqiptar kryebashkiaku Bici.
Kujtojmë që, përveç Kukësit, që fitoi 0-1, në Gramsh nuk ka mundur të marrë pikë askush. Gramshi zhvilloi në fushë asnjanjëse dy ndeshje dhe i fitoi të dyja. Gjithashtu, kryebashkiaku Bici tashmë është ”i lirë” të jetë i pranishëm në tribunën e stadiumit, pasi e ka shlyer dënimin.
