E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja në ashensorin e ngjitjes, me Ilirinë fitoren e radhës

Nga Julian Kasapi

Verdhejeshilët gëzojnë një formë të mirë dhe me fushë-krujasit synojnë 3 pikët, nisur edhe nga fakti se luajnë në fushë asnjanëse

Drejtuesit e Lushnjës janë njoftuar dje se ndeshjen me Iliriën do të luajnë në fushën e Mamurrasit ditën e diel. Ndeshja në fjalë do të luhet një ditë pas të tjerave, por nga sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi, mësohet se do të kërkohet që me Ilirinë të luhet në një fushë më të përshtatshme se ajo e Mamurrasit, sipas rregullores së FSHF-së.

Iliria Verdhejeshilët çdo ditë përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga  udhëzimet që jep stafit teknik, në mënyrë që skuadra të jetë e gatshme dhe për një tjetër fitore këtë javë. Lushnja vjen pas 4 fitoresh radhazi, që e kanë ngjitur në vendin e 4-t, i konsoliduar pas fitores me Besën javën e fundit në stadiumin Roza Haxhiu, por kuptohet që nuk është ky maksimumi.

Myzeqarët janë të vendosur për të ngjitur të tjera shkallë në tabelën e klasifikimit, duke iu drejtuar kreut, pasi me formën që kanë shfaqur në ndeshjet e fundit, kanë treguar se i kanë mundësitë për të fituar në çdo fushë. Ndeshja me Ilirinë, që zhvillohet në fushë asnjanëse, është një shans ideal për të regjistruar një tjetër 3-pikësh në transfertë, që do të ishte një shtysë e fortë për lushnjarët. Ndoshta armiku kryesor në këtë moment mund të jetë euforia, por Lushnja ka futbollistë me përvojë, të cilët nuk mund të bien pre e saj.

Futbollistët e stolit kanë luajtur një ndeshje testuese me Bylisin dhe janë mundur 2-0. Gjithsesi, stafi teknik lushnjar ka marrë informacionin e duhur për të rinjtë që ka në kontigjent, në mënyrë që ndonjëri prej tyre të aktivizohet në ndeshjet e kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›