Kryebashkiaku Lulzim Basha, sot 7 projekte të reja në këshillin bashkiak
Një ditë para mbledhjes së radhës, zëdhënësja e administratës së re të bashkisë shpjegon efektet që sjellin këto projekte për qytetarët e Tiranës
Sot në mbledhjen e radhës Këshilli Bashkiak i Tiranës, do të shqyrtojë 7 projekte të kryebashkiakut Basha. Zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha deklaroi se këto projekte kanë të bëjnë me përpjekjet për të krijuar vende punë, për të ndërtuar një Tiranë moderne europiane, për të përmirësuar shërbimet e qytetit dhe për të përfshirë zërin e qytetarëve në qeverisje.
“Në thelbin e tyre, këto projekte synojnë zgjerimin e transportit publik, kursimin e parave të qytetarëve, investim në art dhe kulturë, fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, pra, angazhimin e Kryetarit të Bashkisë, për të ndërtuar një qytet më të mirë sot dhe për brezat e ardhshëm”, u shpreh Bisha.
Ajo theksoi se projektet janë si, krijimi i një linje të re autobusi e cila do të shtrihet nga Qendra deri në Qytetin Studenti; zyrtarizmi i procesit të hartimit të Planit Urbanistik të qytetit; ngritja e komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re; fuqizimi i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve; krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën.
Zëdhënësja e Bashkisë vlerësoi se nga projektet që shpalosen sot para anëtarëve të Këshillit Bashkiak përfitojnë studentët e Tiranës, të cilët do të përdorin kartën e studentit për më shumë lehtësi në qarkullim.
Linja e re urbane Qyteti Studenti – Qendër, do t’u krijojë studentëve lehtësi në qarkullim dhe do të ofrojë shërbimin në përputhje me kartën bashkiake të Studentit. Projekti i dytë ka të bëjë me nisjen e procesit të hartimit të planit të ri urbanistik për kryeqytetin.
“Në bazë të këtij plani do të ndërtojmë një qytet më të mirë, për të jetuar, punuar dhe argëtuar. Në zemër të këtij plani do të jetë përpjekja për të përmirësuar trafikun dhe parkimin, krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra për qytetarët si dhe rritjen ekonomike, duke ndarë tregun në zona dhe vendosur rregulla të ndershme për zhvillim të sigurt dhe të qëndrueshëm”, tha zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës.
Ndërkaq, një tjetër vendim i rëndësishëm është dhe ngritja e komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re të Tiranës. Ky komision do të përfshijë zërin e qytetarëve, në procesin e ndërtimit të saj dhe përbëhet nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman, të institucioneve qendrore dhe vendore. Bashkia e Tiranës i ka propozuar Këshillit Bashkiak edhe një projekt për rehabilitimin e qendrës së Tiranës.
“Kjo pasi qendra është më shumë se sa hapësira fizike që ajo zë, është ndërlidhëse e lagjeve të ndryshme dhe është projektuar për të ndihmuar qytetarët, në jetën e tyre të përditshme”, tha zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha.
Axhenda e sotme e këshillit bashkiak do të vijojë me miratimin e një projekti, për t’u siguruar qytetarëve shërbim më efiçent dhe më të mirë në kopshte e çerdhe, në parqet dhe hapësirat çlodhëse dhe në qendrat kulturore të Tiranës. Po ashtu, arti dhe kultura janë në qendër të politikave të bashkisë. Për këtë, kryetari Basha i ka drejtuar Këshillit Bashkiak për miratim, një projekt për ngritjen e një Bordi për Artin dhe Kulturën, i cili do të ketë si detyrë miratimin e fondeve në këtë fushë, çka do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet.
“Krijimi i këtij Këshilli, është një hap përpara në premtimin e z.Basha, për të investuar në art dhe kulturë dhe për t’i vendosur artistët në vendin që ata meritojnë, në krye të këtij angazhimi, tha Bisha, duke shtuar se në këtë këshill marrin pjesë emra të njohur të artit e kulturës si: Ali Oseku, Timo Flloko, Vikena Kamenica, Arben Skënderi, Gent Korini, Erfort Kuke, Parid Teferiqi, Genc Çocoli, Yllka Mujo, Kreshnik Tartari, Marjeta Zaçe, Miço Papadhopulli, Bujar Shehu. Kryebashkiaku Basha është i angazhuar për të punuar me të gjithë, për të ndërtuar një qytet më të mirë dhe këto projekte do të çojnë Tiranën përpara dhe do ti shërbejnë interesave të qytetarëve”, theksoi më tej ajo.
Projektet e Bashës që do të miratohen sot në Këshillin Bashkiak
- Krijimin e një linje të re autobusi e cila do të shtrihet nga Qendra deri në Qytetin Studenti - Projekti i dytë ka të bëjë me zyrtarizmin e procesit të hartimit të Planit Urbanistik të qytetit. - Projekti tjetër ka të bëjë me krijimin e Komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re - Kryetari i Bashkisë do të paraqesë dhe një projekt, për t’u siguruar qytetarëve shërbim më efiçent dhe më të mirë në kopshte e çerdhe, në parqet dhe hapësirat çlodhëse dhe në qendrat kulturore të Tiranës. Këto ndryshime do t’i kursejnë qytetarëve 1 milionë dollarë në vit dhe kjo është pjesë e angazhimit të Kryebashkiakut, për uljen e barrës fiskale, për llogaridhënie në qeverisje dhe për mbrojtjen e taksave të qytetarëve. - Gjithashtu, sot do të paraqitet në Këshill, një projekt që ka të bëjë me fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, nga spekulimet dhe mashtrimet. - Një tjetër projekt është ai për rehabilitimin e qendrës së qytetit - Projekt tjetër që i propozohet sot Këshillit Bashkiak, është edhe ai që ka të bëjë me krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën
...