E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Rama fiton ndaj mazhorancës

06/05/2010 Lejet e ndërtimit, Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin për komisionin hetimor

Shfuqizohet edhe raporti përfundimtar i komisionit “Xhaferri”

Bashkia e Tiranës e ka fituar betejën me Kuvendin e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me mosmarrëveshjet e kompetencës për të ushtruar kontroll mbi njësinë e qeverisjes vendore nga legjislativi. Pas kërkesës së Bashkisë së Tiranës adresuar Kushtetueses në fund të prillit të vitit të shkuar, lidhur me kundërshtinë që kjo bashki kishte për vendimin e Kuvendit për të ngritur komisionin hetimor për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, gjykata ka vendosur shfuqizimin e këtij vendimi dhe raportit përfundimtar të komisionit. “Gjykata Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: Pranimin e kërkesës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke shfuqizuar vendimin nr. 249, datë 24.04.2009 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ‘Për ngritjen e komisionit hetimor’ dhe vendimin nr. 252, datë 15.05.2009 ‘Për miratimin e raportit përfundimtar të komisionit hetimor’”, thuhet në vendimin e Kushtetueses. Kuvendi i Shqipërisë, me shkresën datë 24.04.2009, i ka komunikuar Bashkisë Tiranë kërkesën e komisionit hetimor për të dërguar pranë këtij të fundit praktikat e plota të lejeve të ndërtimit të dhëna nga KRRT i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1 janar 2007 e në vazhdim. Bashkia Tiranë, e përfaqësuar nga kryetari i saj, me kërkesën datë 27.04.2009, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 249 të Kuvendit që ka sjellë lindjen e kësaj mosmarrëveshjeje, duke pretenduar se ky vendim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, dhe se objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor përbën tejkalim të funksioneve të Kuvendit dhe ndërhyrje në kompetencat e organeve të qeverisjes vendore.

Raporti

Kuvendi pasi miratoi raportin përfundimtar e komisionit hetimor vendosi dërgimin e tij Prokurorit të Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale për personat që eventualisht kanë abuzuar me detyrën dhe funksionin publik; konstatimin e pavlefshmërisë së vendimeve të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës të datës 17 prill 2009 dhe ngarkimin e ILDKP-së që në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit, të ndërmarrin masat ligjore në përputhje me nenin 40/6, shkronja “b” të Ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për konfliktin e interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›