E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamët i kërkojnë Berishës mos të luajë me dy porta me çështjen çame

Shoqata Çamëria: Qeveria shqiptare, detyrim kushtetues trajtimin e çështjes çame
Shoqata Çamëria kërkon nga kryeministri Berisha qartësimin e qëndrimit të tij në lidhje me çështjen çame. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kjo shoqatës së bashku me partinë për Drejtësi dhe Integrim kanë reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha gjatë takimit të zhvilluar me homologun e tij grek Karamanlis, se mes dy vendeve nuk ka çështje të pazgjidhura. Në kundërshtim me këtë deklaratë, ata i përmbahen një interviste televizive që kryeministri Berisha ka dhënë pak muaj më parë për një televizion të huaj, gjatë së cilës ai ka pohuar ekzistencën e çështjes Çame. Lidhur me këto deklarata shoqata Çamëria, kërkon nga kryeministri Berisha qartësimin e qëndrimit të tij. Ata shprehin bindjen e tyre, se qeveria shqiptare e ka detyrim kushtetues ta trajtojë çështjen Çame e të kërkojë nga qeveria greke të ngrihet mbi hijet e errëta të së shkuarës dhe të mos e trajtojë më këtë çështje si tabu. Kryeministri aktual i Shqipërisë si edhe të gjithë paraardhësit e tij apo kryetarët e shtetit shqiptar e kanë pohuar ekzistencën e çështjes Çame, si çështje e të drejtave të njeriut, dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së saj. Në këtë rast kryeministri Berisha duhet të qartësojë qëndrimin e tij, thuhet në deklaratën për shtyp, të kësaj shoqate. Duke marrë shkas nga mostrajtimi i kësaj çështje në takimin që kryeministri Berisha zhvilloi me homologun e tij grek, Karamanlis, përfaqësuesit e Çamërisë kanë pasur besimin tek ky takim, për gjetjen e kurajës dhe vullnetit të duhur politik mes dy kryeministrave, për tu bërë nismëtarë të diçkaje shume historike, të fillimit të procesit të dialogut ndërqeveritar për zgjidhjen e çështjes Çame. Nga ana tjetër, nëpërmjet deklaratës për shtyp, përfaqësuesit e shoqatës Çamëria, kanë përmendur kërkesën e kryeministrit grek për respektimin e të drejtave të minoritetit ku veçojnë faktin se ky i fundit u sigurua më së miri për këtë nga autoritetet shqiptare. Në këtë drejtim, ata shprehin bindjen se respektimi i të drejtave themelore të njeriut përbën bazën e marrëdhënieve të qëndrueshme mes dy vendeve, por në këtë rast është Greqia ajo që duhet të japë prova të respektimit të këtyre të drejtave. Ne besojmë se Greqia, më parë se çdo vend tjetër, mundet e duhet tia lejojë vetes që të hapë një dialog me një komunitet shumë paqësor, punëtor e luajal të shtetasve të vet dhe të fqinjit të saj historik e partner, sidomos kur çështja në diskutim ka të bëjë me të drejta e vlera kaq të patjetërsueshme, që asnjë qeveri nuk mundet tua marrë, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë. Shoqata Çamëria dhe partia për Drejtësi dhe Integrim shprehin bindjen se zgjidhja e çështjes Çame do ti shërbente forcimit të marrëdhënieve të miqësisë së mirë mes dy vendeve, paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin e Europës Juglindore. Sipas tyre, çdo përpjekje për të zgjatuar status quo-në duke i mohuar komunitetit Çam të drejtat e tij më themelore të njeriut, nuk do ti shërbente këtyre qëllimeve.
Berisha- Karamanlis, injorohet çështja çame
Çështja çame, një nga çështjet më imperative për atë pjesë të popullsisë që ka pronat, pasuritë dhe gjithçka në shtetin helen, nuk u përmend në asnjë moment nga kryeministri shqiptar, i cili nxitoi të konsiderojë të mbyllur këtë problem. Çështja çame nuk ka qenë pjesë e takimeve që kryeministri grek, Kostas Karamanlis ka zhvilluar në vendin tonë, me krerët më të lartë të shtetit. Gjatë takimit, që kryeministri Berisha ka zhvilluar me homologun e tij grek, Kostas Karamanlis nuk është përmendur fare çështja çame. Në këtë drejtim, qëndrimi i Athinës është mëse i qartë, se kush kërkon prona duhet ti drejtohet gjykatës dhe se zgjidhje politike për këtë çështje nuk do të ketë asnjëherë. Ndërkohë gjatë një konference për shtyp, kryeministri Berisha ka vlerësuar se mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk ka probleme të pazgjidhura, të gjitha çështjet me shtetin fqinj helen sipas tij janë të superuara. Ne nuk kemi çështje të mbetura pezull, pasi ato janë zgjidhur tashmë, ka theksuar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›