E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja për kufirin detar Greqi-Shqipëri, detyrim i konventës së OKB

Ministria e Jashtme dhe e ajo Mbrojtjes kanë sqaruar në detaje marrëveshjen e nënshkruar ditën e hënë mes Shqipërisë e Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Sipas tyre nuk është cënuar asnjë milimetër nga hapësira territoriale detare e vendit tonë, si pasojë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, duke sqaruar se kjo marrëveshje ka përcaktuar njëherë e mirë kufirin mes dy vendeve, si një detyrim të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, në të cilën të dy vendet janë palë, si dhe saktësuan se vija kufitare e shënjuar në bazë të 150 koordinatave, është absolutisht e baraslarguar nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend. Për caktimin e kufirit detar janë respektuar neni 5, 7, 10 dhe 15 i konventës për të drejtën e detit. Siç është theksuar shprehimisht në tekstin e marrëveshjes, 150 koordinatat e përcaktuara, të cilat, të bashkuara në një vijë të pandërprerë, caktojnë kufirin detar mes dy vendeve, janë absolutisht të baraslarguara nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend. Çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Shqipëria nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale, si rezultat i kësaj marrëveshje, thuhet në deklaratën për shtyp. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes, baza juridike për përcaktimin e kufijve detarë dhe shelfit kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit, ku Greqia është palë nga 21 korriku 1995  ndërsa Shqipëria që nga data 23 qershor 2003. Duke qenë të dy vendet palë në këtë traktat ndërkombëtar, janë të detyruara sipas nenit 83 të Konventës, të përcaktojnë me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtare kufirin e shelfit kontinental, vijon deklarata, ku ndër të tjera sqarohet se metodat e matjes janë metoda jo të përdorura vetëm në këtë rast të veçantë, por të përdorura në të gjitha rastet kur shtetet përcaktojnë kufijtë detarë ndërmjet tyre. Në fund të deklaratës për shtyp, theksohet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të gatshme të ofrojnë transparencën e nevojshme ndërkohë që abuzime të tilla nuk i shërbejnë as informimit të drejtë të publikut shqiptar dhe as interesave të shoqërisë dhe të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›