E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku: Të ndalohet tregtimi i alkoolit për persona nën 18 vjeç



SHKODER - Asnjë pije alkoolike nuk duhet të tregtohet për personat nën 18 vjeç. Bashkia e Shkodrës kërkon nxjerrjen e një vendimi nga Këshilli Bashkiak për ndalimin e pijeve alkoolike kur kërkohen të konsumohen nga adoleshentët e të miturit. Ka qenë vetë kryebashkiaku Lorenc Luka, i cili në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak u ka bërë apel këshilltarëve dhe u ka kërkuar atyre për ndërmarrjen e këtij vendimi. Sipas Lukës, vendimi i ndalimit duhet të jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë baret e Shkodrës. “Një apel të tillë po e bëj për secilin prej jush, jo vetëm si qytetarë të këtij qyteti, jo vetëm si këshilltarë, por edhe si prindër. Të gjithë kemi fëmijë, të gjithë kemi qejf që jeta e natës të jetë sa më e gjatë dhe e larmishme, por askush nuk ka qejf të përballet me skena të tilla, ku persona të mitur nën efektin e alkoolit zihen njëri me tjetrin në ambiente publike”, u ka pohuar Luka këshilltarëve. Ai ka vazhduar, duke përmendur ngjarje të fundit, ku në disa raste nuk është ndalur as përdorimi i armëve të zjarrit. “Nisur nga këto u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që të shikojnë mundësinë e marrjes së masave të domosdoshme në përputhjen me ligjin për të parandaluar një situatë e tillë. Në të njëjtën kohë u kërkojmë edhe institucioneve të tjera që herë pas here të ushtrojnë kontrolle në zbatim të këtij vendimi”, ka përfunduar Luka. Kjo iniciativë e kryebashkiakut të Shkodrës vjen pasi kohët e fundit është vënë re një tendencë e situatës së papëlqyeshme në qytet, ku të rinj të ndryshëm, pasi kanë konsumuar pije alkoolike, shpeshherë janë bërë protagonistë të ngatërresave masive mes tyre, madje edhe të përdorimit të armëve të zjarrit. Tani mbetet mbledhja e radhës e këtij këshilli që të marrë një vendim në përputhje me legjislacionin në fuqi. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›