E Diel, 1 Nëntor 2026

Soba me dru djeg shkollën në Pogradec



POGRADEC - Soba e lënë ndezur djeg gjatë natës shkollën 9- vjeçare të fshatit Rëmenj në Pogradec. Zjarri që ka rënë dje rreth orës 02:00 është përhapur në ambientet e brendshme të shkollës. Për pasojë janë dëmtuar katër klasa, mes të cilave edhe zyra e Drejtorisë së kësaj shkolle, në të cilën ishin vendosur regjistrat dhe dokumente të tjera. Banorë të fshatit kanë parë rastësisht flakën që po dilte nga çatia e shkollës dhe kanë sinjalizuar Komisariatin e Pogradecit. Sipas dëshmitarëve, 2 orë më pas mbërritën mjetet zjarrfikëse, por flakët gjatë kësaj kohe kishin dëmtuar katër klasa dhe pjesë të tjera të shkollës. Nga hetimet e policisë, vatra e zjarrit është krijuar në një nga klasat ku ishte lënë e ndezur një sobë me dru. Një shkëndijë e rënë në parketin me dërrasë ka shkaktuar përhapjen e zjarrit edhe në ambientet e tjera të kësaj shkolle. Zjarri ka rrezikuar të djegë të gjithë shkollën, pasi në afërsi të saj ndodhet edhe një kabinë elektrike. Djegia dhe dëmtimi i ambienteve ka bërë që të ndërpritet mësimi dhe përkohësisht procesi do të vazhdojë në shkollën e fshatit Starovë. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›