Kryebashkiaku dhe policia: Mund të jetë helmim i qëllimshëm
Kryetari i Bashkisë së Ballshit, Neim Begaj, tha dje se në orën 18:00 ka urdhëruar ndërprerjen e furnizimit me ujë të qytetit, ndërsa ka shtuar se: “klorifikimi i ujit është bërë konfrom rregullave. Depot nga ku merr ujë Ballshi janë në Usojë dhe Qafën e Kashit. Analizat e marra mbrëmjen e së hënës kanë treguar se uji nuk ka ndotje të rëndë”.
Pyetjes së gazetës për ndonjë helmim të shkaktuar nga faktor të jashtëm, Neim Begaj i është përgjigjur se edhe kjo është një pistë hetimi.
Në pistën e ndërhyrjes së qëllimshme në rrjetin e ujësjellësit janë përqendruar hetimet policisë së Ballshit dhe Fierit, që kanë ngritur menjëherë një grup të posaçëm për zbardhjen e shkaqeve të këtij helmimi masiv.
Një ekip specialistësh të shëndetit parësor dhe atij publik nën shoqërinë e kreut të seksionit të ngjarjeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Zigur Bizha, kanë shkuar mbrëmjen e së hënës në depon e ujit në fshatin Usojë. Pasi është bërë këqyrja e depos dhe janë marrë mostra për analiza, policia ka shoqëruar punonjësit të cilët janë marrë në pyetje. Në pyetje është marrë drejtori i ujësjellësit dhe një pjesë e madhe e stafit të kësaj ndërmarrjeje. Nëndrejtori i Policisë së Qarkut Fier, Halit Murataj, ka ndjekur situatën nga afër. Ai tha se policia po punon për gjetjen e shkakut dhe ajo që është arritur deri më tani lidhet më ujin e ndotur, por nëse ka ndërhyrje nga jashtë apo është problem rrjeti, nuk mund të thuhet ende.
Ende nuk ka një prononcim zyrtar për këtë ngjarje, por deri tani policia e Fierit dhe autoritetet lokale të Ballshit shprehen për një epidemi të shkaktuar nga uji.
#