Kuçovë, emigranti padit policinë për dhunë
Një efektiv i Policisë së Shtetit akuzohet nga një qytetar, se ka ushtruar dhunë dhe e ka mbajtur pa të drejtë në komisariat. Qytetari pretendon se ka rënë pre e dhunës së policisë, rast të cilin tashmë do ta zbardhë Prokuroria e Beratit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Burime të prokurorisë në Berat bëjnë me dije se ditën e premte pranë këtij organi ka mbërritur denoncimi i qytetarit Artur Xhebraj, nga qyteti i Kuçovës. 36-vjeçari, i cili jeton dhe punon prej disa vitesh në Suedi, mësohet se ka ngritur pranë Prokurorisë së Rrethit të Beratit denoncimin ndaj oficerit të Krimeve të Kuçovës, Gerald Toska. 36-vjeçari ka deklaruar se sapo ishte kthyer nga Suedia, një bashkëqytetari i tij i kishte kërkuar borxh që po ia vononte dhe emigranti i ka kërkuar t’ia kthejë shumën e lekëve shpejt. “Bashkëqytetari im duket se është ankuar në polici dhe mesditën e së enjtes oficeri i Krimeve, Gerald Toska, më ndaloi në rrugë dhe më kërkoi të shkoja me të në polici. E pashë që oficeri udhëtonte me një mjet me targa të huaja, dhe i kërkova dokumentin e policisë që të identifikohej”, ka deklaruar 36-vjeçari. Më tej ai ka thnë se, sapo ka mbërritur në shtëpi, atje ka shkuar grupi i gatshëm së bashku me oficerin e Krimeve. “Më dhunuan fizikisht. Më vunë prangat sikur të isha ndonjë kriminel dhe më pas më çuan në komisariat, ku më mbajtën për disa orë”, ka rrëfyer më tej 36-vjeçari. Menjëherë pas këtij episodi ai ka bërë denoncimin e parë në prokurorinë e Beratit, ndërsa dje ka bërë një tjetër denoncim pranë SHKB-së. Ai është pajisur dhe me një raport mjekoligjor, ku është përcaktuar dhuna fizike e ushtruar.
#