Zjarr në një fabrikë te dogana në Tiranë
Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë polisteroli në Tiranë. Zjarri ka rënë rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme, ndërkohë që mësohet se fabrika është e pozicionuar pranë doganës në Laprakë, zonë me ndërtesa të tjera pranë. Menjëherë në vendngjarje janë grumbulluar policë e zjarrfikës, të cilët kanë filluar të shuajnë flakët dhe të mos lejojnë përhapjen e zjarrit. Nga ana e policisë është mësuar se nuk ka persona të lënduar. Edhe kreu i zjarrfikësve ka deklaruar se nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa dëmtimet në fabrikë janë shumë minimale. Kreu i zjarrfikësve, Dilaver Laçi, deklaroi me tej se zjarri është i përmasave të mëdha, ndërsa shton se në vendngjarje janë aktualisht, duke punuar katër zjarrfikëse. Zjarri ishte i përmasave të mëdha, por veprimi shumë i shpejtë ka bërë që të mos përbëjë rrezik për banesat përreth, duke mundësuar shuarjen e plotë të tij. Sipas të dhënave, pas shuarjes së flakëve kanë nisur hetimet për të mësuar shkakun e zjarrit.
#