E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i Vlorës kallëzon në prokurori firmën aleate të kartave

Shpëtim Gjika: Procesi i aplikimit për kartat, i dështuar dhe në dhe selektiv në favor të PD
Në debatet e herëpashershme në bashkinë e Vlorës për aplikimin dhe pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, kryetari i bashkisë së qytetit, njëherazi edhe sekretari politik i PS-së së qarkut Vlorë, Shpëtim Gjika është shfaqur shumë rrallë për të mos thënë fare. Duke lënë të sqarojnë pozicionin e bashkisë për këtë problem dy nënkryetarët e kësaj bashkie Arqile Mishtaku dhe Halim Dervishi, të cilët nuk kanë munguar që edhe njëherë në dy ditë të shkojnë në zyrat përkatëse dhe të shikojnë nga afër se si punohet në këto zyra. Mirëpo, këto ditë kur po afron afati limit i mbarimit, ai ka shpërthyer vetë duke sqaruar të gjithë situatën sipas tij penguese nga firma përkatëse dhe duke e çuar atë në ndjekje penale. Me cilësinë e kryetarit të bashkisë, në mbështetje të ligjit, kam qenë në krye të detyrës për të përmbushur detyrimet e mia në lidhje me hartimin dhe shpalljen e listave paraprake të zgjedhësve. Në zbatimin korrekt të vendimit të KM nr. 336 për aplikimin e pajisjen e shtetasve me letërnjoftimin elektronik dhe pasaportë biometrike.  Për procesin e hartimit të listave të zgjedhësve dhe përcaktimin e qendrave të votimit, kemi bërë detyrën tonë dhe nuk kemi pasur asnjë kontestim nga partitë politike, por jemi vlerësuar nga OSBE, ODIHR dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është shprehur Gjika. Sipas tij, procesi i pajisjes së qytetarëve me karta të identitetit dhe pasaportave biometrikë, i menaxhuar nga qeveria dhe kompania Aleate e kontraktuar prej saj, është tërësisht i dështuar dhe selektiv në favor të PD. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, duke e konsideruar mision të përbashkët plotësimin e standardeve të procesit zgjedhor, ka përmendur ndihmën e kërkuar nga ana e kësaj bashkie për transparencën e procesit, por sipas tij gjithçka ka rënë në vesh të shurdhër. Nga 46 mijë e 242 aplikantë, për të cilët qëllimisht nuk jepet informacion se sa janë pa pasaportë, janë shpërndarë deri të premten vetëm 23 601 karta identiteti. Ky është një skandal, pse të mos mendojmë se është i qëllimshëm, dhe ky fakt është shkaku që bashkia ka paraqitur kallëzim penal në Prokurori për drejtuesit e kompanisë Aleate, theksoi Gjika, i cili me këtë rast nuk ka lënë pa përmendur edhe punën në tërësi të kësaj bashkie, duke iu përgjigjur edhe akuzave që vijnë nga kampi kundërshtar. Sipas tij, puna për investimet në përmirësimin e cilësisë së jetës komunitare të qytetarëve të Vlorës, ka qenë në themel të punës së bashkisë. Në këtë drejtim ai ka përmendur vlerësimin nga institucionet qeveritare si dhe nga ndërkombëtare, që sipas tij e kanë evidentuar bashkinë e Vlorës më të vlerësuar në drejtim të perfomancës dhe menaxhimit të taksave vendore dhe territorit urban. Akuzat e PD janë në kuadrin e fushatës zgjedhore, por që në të vërtetë jo vetëm nuk i japin krah, por kthehen në boomerang, pasi qytetarët e ndjejnë ndryshimin dhe kuptojnë mashtrimin, vijoi ai. Lidhur me deklarimet e pushtetarëve qendror për një shumë të madhe investimesh dhënë nga qeveria shqiptare, Gjika përgjigjet se deklarimi i këtyre shifrave nuk është gjë tjetër, veçse një trumbetim i gënjeshtrës së madhe se gjoja, janë investuar 800 milionë euro gjatë katër vjetëve. Sipas tij, kjo shifër është në mendjen e Berishës dhe berishëve të vegjël që mashtrojnë qytetarët, dhe kjo është një ndër arsyet që ai jep fakte konkrete me shifra. Bashkia e Vlorës, deklaron me përgjegjësi se vetëm 7 milionë euro për ndërtimin e rrugës Transballkanike janë investuar nga Qeveria shqiptare, madje edhe kjo me abuzime skandaloze, jo vetëm për cilësinë e standardeve të projektit të bashkisë së Vlorës, por edhe të keq menaxhimit dhe vjedhjes së fondeve publike. Pjesa tjetër prej 493 milionë euro, që mbeten nga shifra abuzive e reklamuar nga mëngjesi deri në darkë, në rastin më të mirë, ose janë investime jashtë qytetit të Vlorës, ose janë nisur nga Qeveria socialiste të realizuara nga investitorë e donatorë të huaj, theksoi Gjika. Duke përmendur projektet në Bashkinë e Vlorës, që kapin shifrën rreth 251 milionë euro, ai thekson se ato nuk janë aspak kontributi i Qeverisë shqiptare. Ka rreth katër vjet që në tryezën e punës së kryeministrit Berisha, Bashkia e Vlorës ka depozituar projekte për përmirësimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve vlonjatë, me një vlerë prej 8.6 miliardë lekë, por ato janë harruar nëpër sirtarët e tij dhe nuk është investuar edhe një qindarkë. Nëse do të kish bërë qoftë edhe njërën nga këto investime do ti thoshim Berishës: Vërtetë të digjet xhani për Vlorën, nënvizoi Gjika. Por, sipas tij mashtrimet e Berishës janë një boomerang, humbje besimi, pse jo edhe një prerje bese në raport me ato çka premtoi për Vlorën më 2005. Gjika me këtë rast përmend edhe shumën që ka kjo bashki për investime në vitin 2009 dhe që është 5 miliardë lekë në infrastrukturë, që janë taksat e qytetarëve. Në fund të konferencës për shtyp, Gjika është shprehur se gjithçka që është investuar në këtë qytet ka qenë vetëm meritë e kësaj bashkie, ndërkohë që akuzon qeverinë se e ka harruar Vlorën.

Last Updated on Sunday, 14 June 2009 16:39

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›