Rama prezanton librin e tij me zhgarravinat në trajtë përbindëshi
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njëkohësisht dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, bëri prezantimin e librit të tij, ku falënderoi të ftuarit dhe pjesëmarrësit në këtë promovim libri, dhe theksoi se ky libër është fryti i bashkëpunimit dhe i një kontributi të përbashkët njerëzish, të cilët ndihmuan dhe bënë të mundur realizimin e tij. Rama tha se ideja e këtij libri ka qenë e Maks Velos, i cili pati thënë se pikturat duhet të jenë të gjitha në një libër, ndërsa një kontribut miqësor për këtë realizmin e tij, sipas Ramës ka dhënë dhe Vladimir Myrtezai i cili i kishte ekspozuar pikturat dhe i pati prezantuar para miqve të tij artistë.
Ky libër është rezultat i mendjes së jashtëzakonshme dhe intuitës gjeniale të Anri Salës, për ti bashkuar bashkë jo vetëm vizatimet, por edhe të gjitha copat e tjera, pa të cilat libri nuk mund të kuptohej. Dhe këtu është një debat i hapur me Maksin, që sheh si pjesë të rëndësishme dhe kuptimplota të librit vetëm vizatimet, ndërkohë që libri është jo më shumë, por do thosha diçka tjetër nga një album i mirëfilltë vizatimesh, theksoi Rama në fjalën e tij përshëndetëse. Sipas tij, ky libër është një bashkim eksperiencash që bën fjalë për njerëz si ai, që i ka pak të ngatërruara gjërat mes artit, politikës dhe sigurisht asaj pjese që tek ai është si te gjithë të tjerët dhe që ka të bëj me jetën private të tij si prind, si mik, si një njeri që është i rrethuar nga njerëz të tjerë në sferën e intimitetit dhe të marrëdhënieve njerëzore. Ndër të tjera, ai falënderoi të gjithë njerëzit që kishin kontribuar për realizimin e këtij libri, siç ishin Edi Hila i cili e kishte ndihmuar edhe në rini, Gazmend Leka i cili ka qenë profesori i akademisë së arteve, Vilson Kilican. Rama, një falënderim të veçantë bëri dhe për Anri Salën, të cilin e quajti dhe gjeniun e kësaj vepre, sipas Ramës pa intuitën e një njeriu si ai, ky libër nuk do të kishte dalë kurrë në këto dimensione që është. Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj. Dua tu them, se për mua, edhe për kaq, ky libër vlen për të bërë të mundur që të takohemi në këtë sallë, të takohemi në këtë kontekst, të takohemi mes këtyre njerëzve, që janë sot këtu dhe që në një mënyrë ose në një tjetër, kanë qenë pjesë e jetës time dhe duke shtuar një post scriptum, dua të shpreh dhe kënaqësinë që bashkë me të tjerët këtu ka ardhur edhe një shoqe e kohës së shkuar, që të gjithë e njihni, që është Besa Myftiu, e cila për të gjithë është e njohur si një arratiske e lindur, por është rikthyer me vajzën e vet, që tashmë është bërë thuajse sa ajo, përfundoi Rama.