E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku nis nga njesia bashkiake nr 5 konsultimet me banoret e Tiranes per projekt-buxhetin 2012

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka nisur konsultimet me qytetarët për projekt-buxhetin për vitit 2012. Konsultimet kanë nisur me njësinë bashkiake numër 5 dhe do të vijojnë me të gjitha njësitë e tjera.
Rritja ekonomike dhe punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë shtyllat kryesore të projekt -buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 i cili është rreth 70 milionë dollarë. Në buxhet parashikohet trefishim i investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite dhe shpërndarje e tyre anembanë qytetit. Ky buxhet i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, që qyteti fillon nga pragu i derës së çdo qytetari.
Sipas kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha ky buxhet nuk ka të përllogaritur asnjë lloj rritje takse apo tarife por ka si synim të gjenerojë më shumë të ardhura nepërmjet shtrirjes së bazës fiskale në mënyrë të drejtë anë e mbanë qytetit.
Zoti Basha tha se 50 për qind e investimeve që Bashkia synon të ndërmarrë vitin e ardhshëm do të jenë tërësisht investime të reja, projekte të nisura nga fillimi, ndërsa 50 për qind do të jenë për projektet që që janë gjetur të nisura.
“Në total janë parashikuar 100 hektarë rikualifikime urbane nga këto do të veçoja ndërtimin e 65 mijë metra katrorë rrugë nga të cilat 33 mijë metra katrorë do të jetë rrugë tërësisht të reja. Rikostruksionin e 153 mijë meter katrorë rrugëve egzistuese dhe 79 mijë metra katrorë trotuarë. Ndërtimi e dy urave , urës së Shkozës dhe urës tjerër që ka lidhje me njësinë 5, këtu tek Vasil Shanto për të zgjeruar atë dhe për ta bërë më të përshtatshme për trafikun”, tha Basha
Vetëm në Njësinë Bashkiake numër 5 është parashikuar ndërtimi dhe rikonstruksioni i 7 rrugëve. Në këtë buxhet parashikohet një zë i veçantë për rritjen e sigurisë në rrugë dhe këtu jo vetëm investimet klasike si korsitë e dedikuara, sinjalistika e ndriçimi por edhe nisja e një projekti për pajisjen me kamera automatike të kryqëzimeve kryesore për vëzhgimin në kohë reale të trafikut dhe të incidenteve.
Investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhet, ku është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare, 2 shkollave të mesme, 3 kopshteve dhe 2 çerdheve.
Krybashkiaku Basha tha se “paralel me buxhetin dhe mundësitë për të mbështetur këto objekte, ne do të identifikojmë troje dhe objekte për ndërtimin e 16 shkollave 9 vjeçare dhe të mesme dhe për të gjithë rrjetin e kopshteve dhe çerdheve për të kënaqur nevojat dhe kërkesat e projektuar të qytetarëve të Tiranës deri në vitin 2020 dhe për t’i ndërtuar këto brenda 24-30 muajt e ardhshme”.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›