E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryediplomatja e BE-s Ashton, pritet të vizitojë Tiranën në shtator

Ngërçi politik i provokuar nga opozita, objekt i agjendës së delegacionit europian

Ngërçi politik, i provokuar nga sjellja e opozitës në Shqipëri, pritet të jetë sërish në axhentën e ndërkombëtarëve, veçanërisht në vëmendjen e Brukselit zyrtar.
Një delegacion i posaçëm të Bashkimit Evropian, pritet të mbërrijë në Tiranë në muajin shtator, për të rinisur sërish hetimin në terren të faktorëve që kanë krijuar të ashtuquajturën krizë politike, e cila me gjithë nismat e ndërmarra, por edhe me qëndrimin tolerant të mazhorancës, sërish pasohet nga sjellje mbushur me pretekste nga ana e opozitës.
Delegacioni që do të vizitojë Tiranën në muajin shtator, mësohet se do të kryesohet nga shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Katerinë Ashton. Mësohet se ka për të qenë pikërisht ajo, e cila do të marrë përsipër misionin e dëgjimit nga afër të pretendimit të palëve, dhe për të përgatitur më pas një raport mbi përparimin e Shqipërisë dhe situatën aktuale politike në vend.
Ndërkaq, mësohet se delegacioni i Bashkimit Evropian që pritet të mbërrijë në shtator në vendin tonë, pritet se në kuadrin e vëzhgimit të debatit për zgjidhjen e krizës politike në vend, do të kryejë në të njëjtën kohë edhe një vëzhgim nga afër për shkallën e përmbushjes së kritereve nga pala shqiptare mbi heqjen e regjimit të vizave Shengen.
Në këtë kuptim, kjo vizitë e kryesuar nga kryediplomatja evropian Ashton në vendin tonë, paraqet një rëndësi mjaft të madhe dhe duhet analizuar me shumë kujdes nga kampet politike në vend. Bashkimi Evropian herë pas here ka dërguar në vendin tonë gjatë kësaj periudhe misione vëzhguese apo raporterët e tij, për të parë nga afër situatën politike, të cilët kanë hartuar edhe raporte të posaçme rreth zgjidhjes së krizës që e ka kapluar atë prej më shumë se një viti.
Që nga qershori i vitit të kaluar, kohë në të cilën u mbajtën edhe zgjedhjet e përgjithshme, Partia Socialiste ka refuzuar njohjen e tyre dhe në emër të transparencës, kërkon hapjen dhe rinumërimin e votave në kutitë e votimit. Prej më se një viti, kërkesa e opozitës, është kundërshtuar, jo vetëm nga mazhoranca, e cila i referohet kuadrit ligjor të Shqipërisë, por kjo kërkesë, nuk është përkrahur dhe është hedhur poshtë, edhe nga ndërkombëtarët, të cilët, më se një herë i kanë sugjeruar opozitës shqiptare, rrugët e duhura, për transparencën e pretenduar të zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›